Ngjarja më e madhe e botës së modës, “Met Gala 2026", që organizohet në Muzeun Metropolitan të Artit në New York do të mbajë ekspozitën pranverore të Institutit të Kostumit, e cila këtë herë mban titullin “Costume Art”.
Nata gala do të ketë si nikoqirë emra të mëdhenj të shoubizit, sportit dhe modës si Beyoncé, Nicole Kidman, Venus Williams dhe udhëheqësja e gjigandit mediatik Condé Nast, Anna Wintour, ka raportuar prestigjiozja Vogue.
Ngjarja e vitit 2026 do të shënojë rikthimin e Beyoncés në “Met Gala” pas një pauze gati dhjetëvjeçare. Hera e fundit që ajo eci në shkallët e Met-it ishte në vitin 2016, gjatë mbrëmjes gala me temë “Manus x Machina”, kur u shfaq e veshur me brendin “Givenchy”.
Nicole Kidman dhe Venus Williams, ndërkohë, kanë qenë të pranishme rregullisht ndër vite, përfshirë edhe galanë me temë “Superfine” që u mbajt këtë maj. Në këtë ngjarje, Kidman veshi një krijim skulpturor të brendit “Balenciaga” me frymëzim “vintage”, ndërsa Williams zgjodhi një fund tenisi, bluzë polo dhe mantel të personalizuar nga brendi i veshjeve “Lacoste”.
Anthony Vaccarello dhe Zoë Kravitz do të jenë bashkënikoqirë të “Met Gala 2026".
Anëtarë të tjerë të këtij komiteti të bashkënikoqirëve do të jenë edhe Sabrina Carpenter, Doja Cat, Gwendoline Christie, Alex Consani, Misty Copeland, Elizabeth Debicki, Lena Dunham, Paloma Elsesser, LISA, Chloe Malle, Sam Smith, Teyana Taylor, Lauren Wasser, Anna Weyant, A’ja Wilson dhe Yseult.
Emra të tjerë pritet të bëhen publikë në një datë të mëvonshme.
Ekspozita “Costume Art”, e bërë nga Andrew Bolton, do të eksplorojë marrëdhënien mes veshjes dhe trupit që ajo mbulon. Ajo do të organizohet rreth tematikave të ndryshme të trupit, që variojnë nga trupi i zhveshur, te trupi shtatzënë dhe trupi që plaket. Në ekspozitë do të përfshihen veshje dhe vepra arti nga koleksioni i gjerë i Met-it, duke bashkuar pjesë historike dhe bashkëkohore të Institutit të Kostumeve.
Për herë të parë, kjo ekspozitë do të prezantohet në galeritë e reja “Condé M. Nast” të Met-it, një hapësirë gati 1.100 metra katrorë, pranë sallës së madhe të muzeut.
“Doja të fokusohem te rëndësia qendrore e trupit të veshur brenda muzeut, duke lidhur paraqitjet artistike të trupit me modën si një formë arti të mishëruar. Në vend që të vërë theksin vetëm te pamja vizuale e modës, e cila shpesh e anashkalon trupin, ‘Costume Art’ i jep përparësi materialitetit dhe lidhjes së pandashme mes trupave tanë dhe rrobave që veshim”, ka thënë Andrew Bolton në një deklaratë.
Çdo vit, “Met Gala” shërben si një nga aktivitetet kryesore bamirëse të muzeut, me të ardhurat që mbështesin ekspozitat, botimet, blerjet dhe funksionimin e Institutit të Kostumeve.
Ekspozita “Costume Art” do të jetë e hapur për publikun nga 10 maji 2026 deri më 10 janar 2027. Kodi zyrtar i veshjes për natën gala do të bëhet i ditur më vonë.