Superylli i muzikës Beyonce u detyrua ta ndërpriste koncertin e saj për disa çaste, pasi gati sa nuk u rrëzua nga një makinë që po mbahej në ajër nëpërmjet kabllove, raporton “Female First”.
Këngëtarja 43-vjeçare po performonte të shtunën në koncertin e saj të parë në stadiumin “NRG” në Houston, Teksas, nga dy sa i kishte planifikuar aty në kuadër të turneut Cowboy Carter, kur si rezultat i një defekti teknik vetura nisi të anohej në ajër.
Beyonce, e cila po mbahej për një nga kabllot, ishte duke kënduar këngën “16 Carriages” kur ndodhi incidenti.
Ajo nisi të thërriste: “Ndalo, ndalo, ndalo, ndalo, ndalo”.
Muzika u ndërpre dhe vetura u ul poshtë gradualisht, ndërsa Beyonce i buzëqeshi turmës në fund.
“Faleminderit të gjithëve për durimin tuaj”, tha Beyonce.
Beyonce u largua shkurtazi nga skena, pasi makina u ul, përpara se të kthehej e ta përfundonte performancën.
“Nëse ndonjëherë bie e di se ju do të më kapni”, i tha ajo turmës.
Nuk është problemi i parë teknik që Beyonce ka përjetuar gjatë turneut të saj “Cowboy Carter”.
Ajo ishte në rrezik të goditej nga rekuizitat robotike gjatë koncertit në stadiumin “SoFi” në Kaliforni.
Pati probleme teknike edhe gjatë një koncerti në Londër muajin e kaluar.