Showbiz

Beyoncé, Labubu dhe xhinset e Sydney Sweeney: 15 momentet virale që shënuan vitin 2025

Momentet më virale të 2025

Momentet më virale të 2025

12 muajt e fundit sollën një mori momentesh virale: fejesa e këngëtares Taylor Swift, një rakun i dehur, apo trendi “6-7” që i shtyu shumë mësues drejt pensionimit të hershëm.

Por këto nuk ishin të vetmet ngjarje që i mbajtën njerëzit të argëtuar gjatë vitit.

Ja 15 momente, mes kulmeve dhe dështimeve, që sipas BBC-së e përkufizuan vitin 2025.

Reagimi i Beyonces në “Grammy”


“Prit, çfarë? Unë? Fitova? Një ‘Grammy’? E sigurt?”.

Këngëtarja Beyonce nuk i tha në të vërtetë këto këto fjalë kur fitoi çmimin për albumin më të mirë country në muajin shkurt, por shprehja e fytyrës dhe gjuha e trupit e treguan qartë habinë e saj.

Albumi “Cowboy Carter” ishte përballur me snobizëm nga disa pjesë të komunitetit country, por në fund pati një natë triumfuese, duke i sjellë Beyonces edhe çmimin “Albumi i Vitit” për herë të parë. Interneti fitoi një meme të pavdekshme.

Drama e xhinseve të Sydney Sweeneyt


“Sydney Sweeney has great jeans”, që përkthehet në” “Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera”, por që në anglisht fjala “jeans” tingëllon sikur fjala “genes”, që do të thotë “gjene”, e pastaj fjalia kuptohet si “Syndey Sweeney ka gjene të shkëlqyera”.

Ky ishte slogani i një reklame të brendit amerikan të veshjeve “American Eagle” në muajin korrik. Për disa ishte lojë fjalësh e pafajshme, për të tjerë një mesazh i fshehtë me ngarkesë problematike.

Reagimi publik rriti ndjeshëm shitjet e kompanisë. Aktorja heshti gjatë debatit, por më vonë sqaroi gjithçka.

“Nuk i mbështes pikëpamjet që disa njerëz ia lidhën fushatës. E bëra sepse më pëlqejnë xhinset dhe brendi”, pati thënë Sweeney.

Hakmarrja e Lily Allenit përmes muzikës


Albumi “West End Girl” u bë më i përfoluri i vitit, falë përshkrimit të drejtpërdrejtë të divorcit të Lily Allenit nga aktori David Harbour.

Një varg që u shpërnda masivisht thoshte:

“Kishim një marrëveshje / Diskrecion dhe pa turp / Duhej të kishte pagesë / Duhej të ishte me të huaj”.

“Adolescence”, seriali i xhiruar me një plan


Seriali i Netflix për një nxënës të akuzuar për vrasjen e një shoqeje klase dominoi debatet publike.
“E dini që është xhiruar në një plan të vetëm?”. Po, e dinim.
Aktori 15-vjeçar, Owen Cooper, fitoi çmimin “Emmy” dhe tha në fjalimin e tij se me punë e përqendrim arrihet gjithçka.
“Nuk isha asgjë tre vjet më parë. Tani jam këtu. Nëse dëgjoni, përqendroheni dhe dilni nga zona e rehatisë, mund të arrini gjithçka”, ka thënë ai.

Çokollata e Dubait pushtoi raftet


Fëstëkët u kthyen në mani globale. Çokollata me mbushje kremoze me fëstëk e kadaif u bë virale në TikTok dhe çoi në rritje botërore të kërkesës për fëstëkë.

Reklama e “Jet2” që u tall pafund


Kënga “Hold My Hand” e këngëtares Jess Glynne u përdor në video ironike për pushime katastrofike. Aq shumë sa u shpall “kënga e vitit në TikTok”, ani pse ishte publikuar në 2015.

EsDeeKid dhe Timothée Chalamet


Reperi misterioz nga Liverpooli, EsDeeKid, mbajti identitetin sekret, ndërsa fansat vërejtën ngjashmëri me sytë e aktorit Timothee Chalamet. Aktori iu bashkua lojës dhe më pas u shfaq në videoklip me të.

Mania Labubu


Figurina me veshë të mprehtë dhe buzëqeshje demonike u bë aksesori i vitit. Ikona të stilit si Rihanna, Dua Lipa dhe Lisa nga Blackpink e promovuan pa dashje kaosin konsumator.

Kënga e çmendur e David Tennant në BAFTA


Aktori, Tennant hapi ceremoninë BAFTA me këngën “I’m Gonna Be (500 Miles)”.  Disa u kënaqën, disa mbetën të hutuar. Jeff Goldblum dukej sikur po jetonte natën më të bukur të jetës.

Dështimi filmik dhe triumfi teatror i Rachel Zegler


Filmi “Snow White” dështoi, por aktorja Rachel Zegler shkëlqeu në shfaqjen teatrale “Evita” në West End. Performanca e saj nga ballkoni i London Palladium mblodhi rreth 130 mijë njerëz në rrugë.

Hite dhe dështime në platforma transmetuese


Projektet filmike “Last One Laughing” dhe “The White Lotus”  bënë bujë, ndërsa seriali për çështjet  juridike, ku luan ylli televiziv, Kim Kardashian, u quajt nga disa kritikë “ndoshta drama më e keqe televizive ndonjëherë”. Ajo i përdori kritikat për marketing, dhe seriali u rinovua.

Alan Carr, tradhtari i papritur


“The Celebrity Traitors” ishte emisioni më i ndjekur e vitit. Aktori Alan Carr u shndërrua nga komedian nervoz në fitues surprizë, duke rifreskuar karrierën e tij.

“Kam qenë në televizion për 25 vjet. Paskam qenë shumë i keq më parë!”, ka thënë ai me humor.

Fjalimi i pafund i Adrien Brodyt në “Oscars”


Fjalimi  5 minuta e 40 sekonda i Adrien Brodyt në "Oscars", theu rekord. Kur orkestra tentoi ta ndalte, ai vazhdoi. Prezantuesi i spektaklit, Conan O’Brien bëri shaka më pas.

“Jam rikthyer si prezantues vetëm për ta dëgjuar Brodyn ta përfundojë fjalimin”, ka thënë komediani.

Fluturimi hapësinor i yjeve me “Blue Origin”


Këngëtarja Katy Perry dhe gazetarja Gayle King fluturuan për 11 minuta në hapësirë. Kritikët e quajtën gjestin “të shkëputur nga realiteti” në kohë krize ekonomike.

Mariah Carey: Mendoj se kam bërë mjaft


Kur u pyet për fluturimet në hapësirë, këngëtarja Mariah Carey u përgjigj me qetësi legjendare duke thënë: “Mendoj se kam bërë mjaft”

Një fjali që u bë motoja jozyrtare për vitin 2026.