Waititit, regjisori i “Thor: Ragnarok” sjell në ekran një nga personazhet më të njohur të komikëve britanikë
Taika Waititi do të jetë regjisori i filmit të ri për superpolicin e njohur të botës së komikëve britanikë, Judge Dredd. Filmi i ri do të sjellë në ekran këtë personazh të errët dhe karizmatik, i cili për dekada ka qenë i dashur për fansat e revistës “2000 AD”.
Skenari do të shkruhet nga Drew Pearce, autor i filmave aksion si “The Fall Guy” dhe “Mission: Impossible – Rogue Nation”. Sipas burimeve brenda industrisë, Pearce dhe Waititi janë miq të vjetër që janë rritur me këta komikë dhe kanë kërkuar prej vitesh një projekt të përbashkët.
“Judge Dredd” u krijua në fund të viteve ’70 nga shkrimtari John Wagner dhe ilustruesi Carlos Ezquerra, dhe u shfaq për herë të parë në komikun javor britanik “2000 AD”. Ai është një polic në qytetin e së ardhmes Mega-City One, ku ka autoritet absolut për të qenë gjyqtar, jurist dhe ekzekutues njëkohësisht.
Dredd është kthyer në një ikonë të kulturës pop, duke u shfaqur në dhjetëra histori, lojëra video, lojëra tavoline, libra dhe madje edhe në pulla postare në Britani.
Në vitin 1995, Dredd u shfaq për herë të parë në Hollywood me një film ku rolin kryesor e luante Sylvester Stallone, por filmi u prit keq nga kritika.
Në 2012, personazhi u rikthye me një version më të errët dhe më të vlerësuar, ku aktori Karl Urban interpretoi Dreddin dhe skenari ishte shkruar nga Alex Garland.
Filmi i ri besohet se do të mbështetet më shumë në materialin origjinal të komikëve, dhe jo te filmat e mëparshëm. Ai pritet të ketë një qasje më argëtuese, me humor të zi dhe ndërtim të thelluar të së ardhmes, me synimin për të krijuar një univers të ri “Dredd” që mund të zgjerohet me filma dhe seriale në platforma të ndryshme.
Ndërkohë, vetë Waititi ka rrëfyer me sinqeritet se nuk ishte shumë i entuziazmuar kur mori pjesë në botën “Marvel”.
“E dini çfarë? Nuk kisha asnjë interes të bëja një nga ato filma. Nuk ishte pjesë e planit tim si regjisor autor. Por isha i varfër dhe sapo më kishte lindur fëmija i dytë. Mendova: ‘Epo, kjo është një mundësi e mirë për t'i ushqyer këta fëmijë’”, tha ai në një intervistë për podcastin Smartless.
Ai pranoi se nuk ishte ndjekës i komikëve të “Thor” si fëmijë.
“Thor ishte ndoshta seria më pak e pëlqyer. Nuk i lexoja fare si fëmijë. Ishte ai komiku që kur e merrja në dorë thoja: ‘aiii’”, ka thënë regjisori.
Sipas tij, fakti që Marvel e kontaktoi për projektin tregonte se ata nuk dinin ç’të bënin më me këtë personazh.
“Nuk kishin më çfarë të bënin me Thorin. Kur më thirrën mendova: ‘Ky është fundi i fundit’”, ka thënë Waititi.