Ekipi ligjor i aktorit, Justin Baldon, i ka kërkuar një gjykatësi federal të refuzojë plotësisht, ose të paktën të ulë ndjeshëm, kërkesën e aktores, Blake Lively, për më shumë se 8 milionë dollarë në tarifa avokatësh dhe shpenzime ligjore, ka shkruar FemaleFirst.
Dy yjet e filmit “It Ends with Us” u përfshinë në një betejë ligjore që nisi në muajin dhjetor të vitit 2024, kur Blake akuzoi Baldonin, i cili ishte edhe regjisori i filmit, për ngacmim seksual dhe organizimin e një fushate për të dëmtuar reputacionin e saj. Në përgjigje, Baldoni dhe kompania e tij Wayfarer Studios ngritën një kundërpadi ndaj aktores dhe bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, duke i akuzuar për shpifje dhe shantazh.
Palët arritën një marrëveshje jashtë gjykatës në prill, por mosmarrëveshja për shpenzimet ligjore vazhdon.
Lively ka kërkuar 8 milionë dollarë tarifa avokatësh, si dhe 539,514.01 dollarë për shpenzime dhe kosto të tjera.
“Lively nuk ka paraqitur prova të besueshme që tregojnë se tarifat dhe kostot që kërkon të rimbursohen janë të arsyeshme, ndaj kërkesa e saj duhet të refuzohet në tërësi”, thuhet në dokumentet e avokatëve të Baldonit, që janë paraqitur në gjykatë të hënën, më 13 korrik.
Edhe
Blake Lively dhe Justin Baldoni mbyllin betejën ligjore pa dëmshpërblim mes palëve
Ata shtojnë se, në rast se gjykata vendos të japë një kompensim, ai duhet të jetë shumë më i ulët, duke marrë si pikë referimi shumën prej 181,622.70 dollarësh, të kërkuar nga The New York Times pasi fitoi rrëzimin e një padie të ngjashme për shpifje të ngritur nga Baldoni.
Në vitin 2024, Baldoni kishte paditur gazetën për 250 milionë dollarë, duke pretenduar se ajo e kishte shpifur me raportimet për një fushatë të supozuar diskreditimi ndaj Livelyt. Ajo padi u rrëzua nga gjykata.
Në kërkesën e re, ekipi i Baldonit pretendon gjithashtu se pala e Livelyt ka përdorur një numër të tepruar avokatësh dhe ka faturuar një sasi të pajustifikuar pune.
“Edhe një shqyrtim sipërfaqësor i dokumentacionit të Livelyt tregon praninë e shumë avokatëve në të njëjtat seanca, tarifa të shumta për konsultime mes tyre dhe, për ta thënë butë, kërkime dhe hetime online jashtëzakonisht të tepruara”, thuhet ne dokumentet e tyre.
Nga ana tjetër, në një dokument të depozituar më 29 qershor, avokatët e Livelyt argumentuan se tarifat e kërkuara lidhen me mbrojtjen e suksesshme ndaj kundërpadisë së ngritur nga Wayfarer Studios dhe mbulojnë punën ligjore të kryer nga muaji janar deri në qershor 2025.
Sipas tyre, puna e ekipit ligjor ishte “gjithëpërfshirëse dhe e domosdoshme” për të arritur fitoren e plotë në çështje.
Ndërkohë, kundërpadia e Baldonit u rrëzua nga gjykata, ndërsa pretendimet e Livelyt për ngacmim seksual u hodhën poshtë për arsye juridiksioni. Kjo çoi në arritjen e një marrëveshjeje jashtë gjykatës, vetëm dy javë përpara se çështja të niste gjykimin në New York.
Edhe
Lively e kompania e Baldonit arrijnë marrëveshje dy javë para gjyqit
Një vendim i mëvonshëm i gjykatës përcaktoi se Lively mund të kërkojë vetëm rimbursimin e shpenzimeve ligjore nga Baldoni, por jo dëmshpërblim, sipas një ligji të Kalifornisë që mbron personat që raportojnë raste të sjelljes seksuale të papërshtatshme.
Të dyja palët vazhdojnë ta konsiderojnë veten fituese, ekipi ligjor i Baldonit pretendon se ata “kanë fituar”, ndërsa avokatët e Livelyt këmbëngulin se ajo është “pala fituese” në këtë proces.