Avokatët e P.Diddyt “dokumentari përdor pamje të vjedhura, të paautorizuara”
Në prag të publikimit të dokumentarit të platformës Netflix “Sean Combs: The Reckoning”, i prodhuar nga rivali i tij i hershëm, reperi, Curtis “50 Cent” Jackson, avokatët e reperit, Sean “Diddy” Combs i kanë dërguar një letër zyrtare platformës duke kërkuar që dokumentari të mos publikohet.
Një zëdhënës i Combsit i ka thënë CNN-it se dokumentari përdor “pamje të vjedhura, të paautorizuara”, duke e përshkruar projektin si “një sulm të turpshëm mediatik.” Pamjet në fjalë shfaqen edhe në trailerin zyrtar të Netflixit, publikuar të hënën.
“Na duhet dikush të punojë me ne, dikush që ka punuar në punët me të ndyta. Po humbasim”, dëgjohet Combs duke thënë në trailer.
Traileri i dokumentarit "Sean Combs: The Reckoning":
Sipas Juda Engelmayer, zëdhënës i Combsit, këto pamje janë xhiruar gjashtë ditë para arrestimit të tij në shtator 2024 dhe janë pjesë e një dokumentari personal që ai ka nisur ta filmojë që në moshën 19-vjeçare. “Këto pamje janë porositur për dokumentarin e tij”, ka thënë Engelmayer për CNN.
Ai ka shtuar se as Combs, që po vuan një dënim katërvjeçar pas një vendimi të përzier të jurisë, dhe as ekipi i tij nuk e kanë parë dokumentarin paraprakisht.
“Nuk morëm asnjë pamje. Do ta shohim sonte”, ka thënë ai.
Netflix, në përgjigje të kërkesës për koment, përcolli deklaratën e regjisores Alexandra Stapleton.
“Ne i kemi marrë pamjet ligjërisht dhe kemi të gjitha të drejtat. Bëmë gjithçka për të mbrojtur identitetin e autorit të pamjeve. Sean Combs gjithmonë e ka filmuar veten, është një obsesion prej dekadash. Ne kontaktuam disa herë ekipin e tij për koment, por nuk morëm përgjigje”, ka deklaruar ajo.
Në letrën e tyre, avokatët paralajmëruan padi të mëtejshme.
“Z. Combs nuk heziton të ndërmarrë veprime ligjore kundër mediave që shkelin të drejtat e tij, dhe nuk do të hezitojë të veprojë edhe kundër Netflixit”, thuhet në letrën e avokatëve të reperit.
Combs ka paditur më parë NBCUniversal për 100 milionë dollarë për dokumentarin “Diddy: The Making of a Bad Boy” në Peacock.
Ekipi i tij ka theksuar se Netflixi dhe drejtori menaxhues, Ted Sarandos ishin në dijeni që Combs ka mbledhur pamje personale prej më shumë se tre dekadash për të “rrëfyer historinë e tij, në mënyrën e tij”, duke e quajtur “të padrejtë dhe të paligjshme” përdorimin e tyre nga Netflix. Ata po ashtu e cilësuan bashkëpunimin me 50 Centin si “tronditës”, duke e quajtur atë “një rival të kahershëm me një hakmarrje personale.”
50 Cent vazhdoi të tallej me Combs gjatë gjithë ditës së hënën në Instagram.
Dënimet dhe paditë në vazhdim
Combs u dënua me 50 muaj burg në muajin tetor, pasi një gjyq dymujor përfundoi me fajësi në dy akuza për transportim me qëllim prostitucioni. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe shantazh, të cilat mund t’i sillnin dekada burgim.
Pas arrestimit të tij në muajin shtator 2024, ai u mbajt në qendrën e paraburgimit në Brooklyn dhe më pas u transferua në Fort Dix, burg federal me siguri të ulët në New Jersey.
Combs po apelon dënimin dhe ekipit të tij i kishte kërkuar administratës së presidentit Donald Trump një falje të mundshme.
Ndërkohë, ai përballet edhe me rreth 70 padi civile, ku dhjetëra akuzues, disa prej tyre të mitur në kohën e ngjarjeve, pretendojnë se janë droguar dhe sulmuar seksualisht.
Combs i ka mohuar të gjitha akuzat, disa prej padive janë hedhur poshtë.