Showbiz

Ava Max e sjell turneun e ri edhe në Evropë

Ava Max

Pop-ylli me prejardhje shqiptare, Ava Max, po vjen për të performuar për fansat e saj në Evropë dhe Britani të Madhe, në kuadër të turneut “Don’t Click Play Tour”, i cili nis me koncerte në Amerikën veriore në shtator.

Performanca e parë e këngëtares do të jetë në Londër në arenën O2, gjatë muajit tetor, dhe do të vazhdojë tutje nëpër qytete si Parisi, Berlini, Amsterdami dhe Madridi.

Lajmi për turneun e Ava Maxit vjen pak kohë pas lansimit të dy këngëve të reja, “Lost Your Faith” dhe “Lovin Myself”.

“Kjo këngë rrjedh nga një moment kur më në fund e kuptova se nuk më nevojitej më vlerësimi i askujt tjetër për t’u ndier e plotësuar në jetën time. Kam kaluar nëpër shumë faza të karrierës, të mira, të këqija, jam sulmuar publikisht, jam rritur si njeri dhe gjatë gjithë këtyre përvojave, kam filluar ta kuptoj se raporti më i rëndësishëm që do ta kem ndonjëherë në jetë, është ai që kam krijuar me veten time”, deklaroi Max rreth këngës fuqizuese “Lovin Myself”, në një intervistë të fundit për revistën “Rolling Stone”.

Albumi i tretë i incizuar në studio i këngëtares, “Don’t Click Play”, do të lansohet më 22 gusht përmes kompanisë muzikore “Atlantic Records”, dhe i përfshin gjithsej 12 këngë të reja.

Ava Max për herë të fundit realizoi turne gjatë verës së vitit 2023, i cili kishte për qëllim promovimin e albumit të dytë të këngëtares me titull, “Diamonds & Dancefloors”.