Aktori, Ashton Kutcher, ka folur hapur për frymëzimin për personazhin e tij si miliarder i errët në serialin e ri fantastiko-shkencor “The Beauty”, të krijuar nga regjisori Ryan Murphy.
47 vjeçi, luan rolin e një miliarderi enigmatik të njohur si “The Corporation”, dhe ka reaguar ndaj spekulimeve të fansave se personazhi mund të jetë frymëzuar nga figura reale si, miliarderi Elon Musk apo themeluesi i Metas, Mark Zuckerberg.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, aktori ka thënë qartë se personazhi i tij nuk është bazuar në këta emra.
“Ky personazh nuk ka asgjë të përbashkët me Markun. Disa njerëz më kanë pyetur për Elon Musk, dhe jo, nuk është i bazuar në Elon Musk. Ai ndoshta është më i afërti për nga pasuria”, ka thënë Kutcher.
Ai ka shtuar me humor se personazhi që luan mund të jetë edhe më i pasur.
“Mendoj se ‘The Corporation’ është personi më i pasur në botë. Ndoshta Elon është i dyti, por pasi Starlink të dalë në bursë, ai mund të kthehet sërish i pari”, ka thënë ai duke qeshur.
Megjithatë, aktori ka theksuar se personazhi nuk është ndërtuar mbi ndonjë individ konkret, por mbi një ide më të përgjithshme.
“Nuk është bazuar tek ai. Nuk është bazuar tek asnjë person i vetëm. Ka një atmosferë të veçantë te njerëzit në pozita shumë të fuqishme, ata kanë aq shumë gjëra në dispozicion, sa gjithçka që bëjnë duket sikur ndodh pa asnjë përpjekje”, ka thënë Kutcher.
Ylli ka shtuar se pikërisht këtë ndjesi ka dashur ta përcjellë në ekran.
Ndërkohë, Kutcher ka pranuar se e ka shijuar mundësinë për të luajtur një rol më të errët dhe më negativ, ndryshe nga personazhet për të cilët është njohur ndër vite në filma si “Dude”, “Where’s My Car?”, “Just Married” dhe serialin “Two and a Half Men”.
“Është një sfidë interesante të përpiqesh të justifikosh vendime që duken krejtësisht të pajustifikueshme. Kjo të detyron të bësh një lloj ‘gjimnastike mendore’, të mos e gjykosh personazhin dhe të veprosh sikur: ‘Jo, kështu duhet të ndodhin gjërat”, ka thënë ai.
Së fundmi, Ylli i filmit “Your Place or Mine”, është vlerësuar edhe nga modelja Bella Hadid, e cila ka një rol në serialin “The Beauty” dhe ka treguar se është mbështetur shumë te kolegët më me përvojë.
“Ata më dhanë shumë këshilla dhe fjalë të mençura. Më shpjeguan se edhe të qenit e çuditshme apo e pazakontë është diçka pozitive. Ndonjëherë gjërat duken të sikletshme, por në fund të ditës nuk janë. Të gjithë mund të jemi versione të ndryshme të vetes, dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme për mua në këtë set”, ka thënë ajo në një intervistë për People.
Ani pse shpesh xhironte skena veçmas nga pjesa tjetër e kastit, Hadid ka thënë se bashkëpunimi me ta ishte shumë domethënës.
“Ashton më ndihmoi shumë me fjalë të vogla, por shumë të rëndësishme. E dua shumë Jeremyn dhe të gjithë ishin jashtëzakonisht mikpritës”, ka përfunduar ajo.
Traileri i serialit "The Beauty":