Mbi 1,800 aktorë, producentë dhe artistë, përfshirë disa prej yjeve të Hollywoodit, kanë nënshkruar një zotim që nuk do të bashkëpunojnë me institucionet filmike izraelite, të cilat i shohin si të përfshira në abuzimet ndaj palestinezëve.
Sipas Reuters, kjo nismë u publikua të hënën dhe vjen në kohën kur sulmet ushtarake të Izraelit në Gaza kanë shkaktuar krizë të rëndë humanitare, me imazhe të fëmijëve palestinezë të uritur që kanë nxitur zemërim global.
“Frymëzuar nga ‘Filmmakers United Against Apartheid’, të cilët refuzuan t’i shfaqnin filmat e tyre në Afrikën e Jugut gjatë aparteidit, ne zotohemi të mos shfaqim filma, të mos marrim pjesë ose të mos bashkëpunojmë me institucionet filmike izraelite, përfshirë festivalet, kinematë, transmetuesit dhe kompanitë e prodhimit, që janë të përfshira në gjenocidin dhe aparteidin ndaj popullit palestinez”, thuhet në tekstin e zotimit.
Deklarata sqaron se kjo nismë nuk synon individët izraelitë, por vetëm institucionet që, sipas nënshkruesve, janë të përfshira në shkelje të të drejtave të njeriut.
Në zotim theksohet gjithashtu se institucionet filmike izraelite janë angazhuar në zbardhjen ose justifikimin e abuzimeve ndaj palestinezëve.
Si argument shtesë, artistët i referohen edhe mendimit të vitit të kaluar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e cilësoi të paligjshme okupimin izraelit të territoreve palestineze, si dhe vlerësimeve të ekspertëve e akademikëve që sulmet në Gaza përbëjnë gjenocid.
Mes nënshkruesve janë aktorë të njohur si Olivia Colman, Emma Stone, Mark Ruffalo, Tilda Swinton, Riz Ahmed, Javier Bardem dhe Cynthia Nixon.
Nga ana e saj, qeveria izraelite i ka cilësuar këto thirrje për bojkot si diskriminuese.
Izraeli thotë se veprimet në Gaza janë “vetëmbrojtje” pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga militantët e Hamasit, ku u vranë 1,200 persona dhe mbi 250 u morën peng, sipas shifrave izraelite.
Sulmet e mëvonshme të Izraelit kanë vrarë dhjetëra-mijëra njerëz, kanë zhvendosur të gjithë popullsinë e Gazës dhe kanë shkaktuar krizë urie masive.
Ndërkohë, javën e kaluar në Festivalin e Filmit në Venecia, filmi “The Voice of Hind Rajab”, që tregon historinë e një vajze palestineze 5-vjeçare të vrarë nga forcat izraelite vitin e kaluar, u prit me duartrokitje te shumta. Prodhues ekzekutivë të filmit janë edhe yjet Brad Pitt dhe Joaquin Phoenix.