Lajme të fundit nga Akademia e Regjistrimeve po japin disa të dhëna rreth asaj që mund të presim kur të shpallen nominimet për çmimet “Grammy”, të premten më 7 nëntor.
Të hënën, akademia njoftoi se këtë vit ka shtuar afërsisht 2,900 anëtarë të rinj me të drejtë vote, si pjesë e përpjekjeve shumëvjeçare për të diversifikuar trupën votuese. Nga anëtarët e rinj të pranuar, 49 për qind janë të moshës 39 vjeç e më poshtë, 60 për qind janë persona me ngjyrë dhe 30 për qind janë gra.
Gjithashtu, për herë të parë, ftesat për t’u bashkuar me Akademinë e Regjistrimeve iu dërguan të gjithë anëtarëve me të drejtë vote të Akademisë Latine të Regjistrimeve. Shumë prej tyre e pranuan ofertën. Kjo është një tregues i fortë se Bad Bunny mund të jetë në rrugë për të marrë nominimin e tij të dytë për “Albumin e vitit” me incizimin e fundit “Debí Tirar Más Fotos”. Ai tashmë ishte një kandidat i mundshëm në atë kategori, sidomos pas datës 28 shtator, kur u njoftua si performuesi kryesor në “Super Bowlit”. Tani, nominimi i tij duket thuajse i sigurt. Shtimi i anëtarëve nga Akademia Latine e Regjistrimeve gjithashtu e vendos në listën e artistëve pretendent për t’u nominuar këngëtaren, Karol G, e cila konkurron për “Albumin e vitit’ me incizimin “Tropicoqueta”.
Të enjten e kaluar, akademia njoftoi emrat e të famshmëve që do të marrin pjesë në transmetimin e drejtpërdrejtë të nominimeve të së premtes, përfshirë disa artistë që janë vetë në garë për nominime si, Sabrina Carpenter, Chappell Roan, Brandi Carlile, Doechii, Jon Batiste dhe Karol G. Vetëm pse dikush është ftuar të shpallë disa nominime në transmetimin e drejtpërdrejtë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të nominohet, por nëse e kërkojmë çdo indikacion të mundshme, atëherë kjo konsiderohet një shenjë pozitive. A do ta ftonte akademia një yll të madh si Carpenter të marrë pjesë në transmetimin e tyre nëse ajo nuk do të kishte asnjë nominim?
Albumi “GNX” i Kendrick Lamarit dhe “MAYHEM” i Lady Gagas, ndoshta janë bastet më të sigurta të këtij viti për nominimet për “Albumin më të mirë”. Kjo do të ishte hera e pestë që secili prej tyre nominohet në këtë kategori, si artist kryesor. Asnjëri nuk ka triumfuar ende në këtë kategori. Nëse Lamar nominohet, ai do të bëhet solo-artisti i parë në historinë e “Grammyt” që merr pesë nominime radhazi për albumin e vitit.
Elton John dhe grupi “Coldplay” mund të jenë drejt nominimit të tyre të katërt në këtë kategori – John për bashkëpunimin me Carlile, “Who Believes in Angels?”, ndërsa “Coldplay” për albumin “Moon Music”. Jon Batiste me “Big Money” dhe Justin Bieber me “Swag”, po ashtu mund të marrin nominimet e tyre të treta në këtë kategori.
Të premten po ashtu mund të shënohet histori, nëse tre albume rap nominohen për “Albumin e vitit”. Kurrë më parë nuk janë nominuar më shumë se dy albume rap në të njëjtin vit. “GNX” i Lamarit duket se e ka të sigurt një nominim. “Let God Sort Em Out” nga Clipse dhe “CHROMAKOPIA” nga Tyler the Creator, kanë gjithashtu shanse të mira për t’u nominuar.
Ndërsa dy albume me kolona zanore janë ndër pretendentët më të fortë – “KPop Demon Hunters”, që është kthyer në një fenomen të jashtëzakonshëm të kulturës pop dhe “Wicked”, që ka në rolet kryesore një yll të madh të muzikës pop (Ariana Grande) si dhe një artiste të shumëshpërblyer (Cinthia Erivo). Por në 30 vitet e fundit, vetëm tri albume me kolona zanore janë nominuar për “Albumin e vitit”, dhe të tria kishin producentë të njohur: “Waiting to Exhale” me producent Babyface, “O Brother, Where Art Thou?” nga T Bone Burnett dhe “Black Panther” nga Kendrick Lamar.
Albume të tjera që nuk u përmendën më sipër, por që janë kandidatë të fortë përfshijnë: “Hurry Up Tomorrow” nga The Weeknd, “So Close to What” nga Tate McRae, “A Matter of Time” nga Laufey, “SABLE, fABLE” nga Bon Iver, “Beautifully Broken” nga Jelly Roll, “I Quit” nga HAIM, “Virgin” nga Lorde dhe “Sincerely” nga Kali Uchis.