Këngëtari Alban Skenderaj ka njoftuar të martën se do të mbajë koncertin “MOTIVI i jetës time” edhe në Kosovë.
Ai ka njoftuar se koncerti do të mbahet më 4 dhjetor.
“Kosova dhe Prishtina më kanë dhënë aq shumë mbështetje dhe dashuri përgjatë këtyre 22 viteve muzikë, duke më frymëzuar e duke qenë një nga faktorët kryesorë që sot jam ky që jam si artist dhe si njeri! Së bashku me stafin, një produksion të madh si “MOTIV” do të kishim dashur ta shfaqnim në një arenë sa më të madhe, por pas një vlerësimi të të gjitha hapsirave që ofron qyteti i Prishtinës, kuptuam se aktualisht e vetmja sallë që i përshtatet ketij eventi, me kushtet dhe disponibilitetin e saj është Salla “1 Tetori”. Kështu që… më 4 dhjetor, “MOTIV” do të ndriçojë Prishtinën!”, ka njoftuar Skenderaj në rrjetet sociale.
Sipas tij, 30 instrumentistë dhe mbi 30 këngë, do ta bëjnë koncertin një spektakël të mirëfilltë artistik.
Ndërkaq lidhur me biletat, ka thënë se për daljen e tyre do të bëhet e ditur në ditët në vijim.