Showbiz

Aktori i “The Hangover” kishte frikë se si do reagonin prindërit pasi ta shihnin filmin

The Hangover

The Hangover

Aktori amerikan Ed Helms ka treguar së fundmi se ishte shumë nervoz kur prindërit e tij panë për herë të parë filmin e famshëm komik të vitit 2009, “The Hangover”, ku ai luan përkrah aktorëve të njohur Bradley Cooper dhe Zach Galifianakis, ka shkruar The Hollywood Reporter.

“Jam rritur në një familje të shtypur në jug të SHBA-së. Politikisht ishim shumë progresivë, por nga ana sociale ishim shumë konservatorë”, ka thënë Helms në podcastin e Ted Danson, Where Everybody Knows Your Name.

Ai shtoi me humor se filmi “The Hangover” është i çmendur.

“Nuk është ky lloji i filmave me të cilët më rritën prindërit e mi”, ka thënë ai.

VIDEO: Deklarata e Helms për nënën e tij

Në atë kohë, Helms ishte 35 vjeç, dhe ani pse tashmë ishte bërë i njohur për rolet e tij në projektet filmike “The Daily Show” dhe “The Office”, ai ka pranuar se ndiente ende presion nga prindërit.

“Ata kishin parë që unë bëja gjëra të çuditshme në ‘The Daily Show’ dhe ‘The Office’, kështu që ishin disi të përgatitur. Por prapë, isha nervoz. Isha 35 vjeç kur doli ai film, dhe sërish isha nervoz nga prindërit e mi”, ka thënë ai duke qeshur.

VIDEO: Një nga momentet më epike të filmit

Pavarësisht frikës, ai i mori me vete në premierën e filmit dhe reagimi i nënës së tij e befasoi.

“Po e shikoj mamanë time, dritat u ndezën, dhe ajo ishte me lot në sy. Për një moment mendova, ‘E thava zemrën e nënës sime.’ Por ajo më tha: ‘Ishte shumë qesharak’ dhe më përqafoi fort. Nuk do ta harroj kurrë atë moment, ishte shumë i veçantë”, ka treguar tutje aktori.

Helms ka thënë se “The Hangover” ishte një pikë kthese në karrierën dhe jetën e tij.

“Fakti që mamaja ime e pranoi me gjithë zemër, do të thotë shumë për mua”, ka theksuar ai.

Filmi, i regjisorit Todd Phillips, tregon historinë e tre miqve që zgjohen pas një feste beqarie në Las Vegas pa kujtuar asgjë nga nata e mëparshme dhe pa e ditur ku ndodhet dhëndri. Ata duhet t'i rikujtojnë ngjarjet për të gjetur mikun e tyre para dasmës.

Komedia u bë një sukses i madh, duke mbledhur mbi 277 milionë dollar në arkat filmike dhe solli dy vazhdime të tjera, “The Hangover Part II” dhe “Part III”.

Në një intervistë të mëhershme për People, Helms ka thënë se do të ishte i gatshëm të rikthehej në rolin e Stu, nëse do të bëhej pjesa e katërt.

“Bradley, Zach, Todd, janë disa nga njerëzit e mi më të preferuar në planet. Do të bëja gjithçka me ta. Zot i madh, gjithçka!”, ka thënë ai.

Traileri i filmit "The Hangover":