IPKO Telecommunications, në bashkëpunim me Telekom Slovenije, organizoi me sukses Konferencën e Tretë të Sigurisë Kibernetike, duke e kthyer Prishtinën në epiqendër të diskutimeve rajonale për të ardhmen e sigurisë digjitale.
Ngjarja, e mbajtur më 12 nëntor 2025, mblodhi mbi 450 pjesëmarrës, përfaqësues nga institucione, kompani teknologjike, banka, universitete dhe organizata ndërkombëtare, duke e bërë këtë edicion më të madhin dhe më gjithëpërfshirësin deri më tani.
Këtë vit, konferenca solli një format të ri dhe më interaktiv, që bashkoi ekspertizën, inovacionin dhe partneritetin në një ambient ku dialogu profesional u ndërthur me demonstrime reale të teknologjive më të avancuara.
Një risi e veçantë ishte Cybersecurity Exhibition, ku partnerët strategjikë të IPKO-s Check Point, CyberArk, UpGuard, Whalebone, ShieldIoT/MasterCard dhe Detenta prezantuan produktet dhe zgjidhjet më të reja për mbrojtjen e të dhënave, infrastrukturave dhe transaksioneve digjitale.
Në fjalimin e hapjes, Kryeshefi Ekzekutiv i IPKO Telecommunications, z. András Páli, theksoi se siguria kibernetike është bërë një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit kombëtar:
“Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, siguria kibernetike nuk është më një zgjedhje — është domosdoshmëri. Vetëm përmes partneritetit, besimit dhe inovacionit të përbashkët mund të ndërtojmë një të ardhme digjitale të qëndrueshme për Kosovën dhe rajonin. IPKO do të vazhdojë të udhëheqë këtë platformë si një urë e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike. Kjo konferencë nuk është vetëm një ngjarje, është një angazhim i përbashkët për të mbrojtur dhe fuqizuar të ardhmen digjitale të Kosovës,” u shpreh Páli.

Gjatë ditës, konferenca solli prezantime nga liderë globalë të industrisë, përfshirë Metod Platiše nga Telekom Slovenije dhe Marko Ostanek nga Check Point, të cilët ndanë trendet më të fundit dhe praktikat më efektive për parandalimin e sulmeve dhe forcimin e rezistencës digjitale të organizatave.
Pas sesioneve të para, pjesëmarrësit patën mundësinë të eksploronin zonën ekspozuese të partnerëve, ku u prezantuan zgjidhje inovative në fushën e sigurisë së rrjeteve, cloud-it dhe mbrojtjes së të dhënave.
Kjo pjesë e konferencës solli në një vend teknologjitë më të avancuara, ekspertizën ndërkombëtare dhe praktikat më efektive të industrisë, duke e shndërruar ngjarjen në një hub të vërtetë të inovacionit dhe bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë kibernetike.
Pika qendrore e ngjarjes ishte paneli i diskutimit kryesor, me temën “Siguria kibernetike si shtyllë e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimit digjital”, i moderuar nga Valon Canhasi, me pjesëmarrjen e:
- z. András Páli, CEO i IPKO Telecommunications
- z. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës (në detyrë)
- Prof. Blerim Rexha, Universiteti i Prishtinës, FIEK
- z. Elvin Mala, Udhëheqës i Divizionit për Mbikëqyrjen e Sistemeve të TI-së, BQK
- z. Vladislav Gurman, Zëvendëspresident në Whalebone
Diskutimi solli perspektiva të thelluara mbi rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe ndërtimin e kulturës së vetëdijes kibernetike si faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e teknologjik.

Në përmbyllje, z. Noam Segev nga MasterCard prezantoi inovacionet më të fundit të kompanisë në sigurinë e pagesave dhe mbrojtjen e të dhënave financiare, duke theksuar rëndësinë e integrimit të inteligjencës artificiale në sistemet moderne të mbrojtjes.
IPKO është operatori lider i telekomunikacionit dhe teknologjisë në Kosovë. Me fokus në inovacion, cilësi dhe siguri digjitale, IPKO ofron zgjidhje dhe shërbime të avancuara të sigurisë kibernetike për biznese dhe institucione, duke mbështetur mbrojtjen e të dhënave, rrjeteve dhe infrastrukturës kritike. Përmes investimeve strategjike dhe partneriteteve ndërkombëtare, IPKO po ndërton një ekosistem digjital më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit.