BKT Kosova, në bashkëpunim me Dhomën e Ekonomike të Grave të Kosovës – G7, organizuan forumin “Ndërtimi i Ekosistemit të Qëndrueshëm për Gratë në Biznes”, i cili u mbajt në Hotel Sirius në Prishtinë. Ky forum mblodhi së bashku sipërmarrëse, profesioniste dhe përfaqësues të sektorëve financiar dhe ligjor për të diskutuar strategjitë që fuqizojnë rolin e grave në biznes dhe krijojnë një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e tyre.
Ngjarja u shndërrua në një platformë të rëndësishme bashkëpunimi, shkëmbimi njohurish dhe fuqizimi, duke theksuar nevojën për qasje të barabartë në financa, mbështetje ligjore dhe mundësi tregu për gratë sipërmarrëse.
Në fjalën e tij hyrëse, z. Suat Bakkal, CEO dhe Anëtar i Bordit të BKT Kosova, theksoi përkushtimin e bankës për të mbështetur fuqizimin e grave në biznes si një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik:
“Në BKT Kosova jemi krenarë që mbështesim këtë nismë, sepse besojmë se fuqizimi i grave në biznes është thelbësor për rritje të qëndrueshme ekonomike. Kur gratë kanë qasje të barabartë në financa, mbështetje ligjore dhe mundësi tregu, ato jo vetëm që zhvillojnë bizneset e tyre — por transformojnë edhe komunitetet,” tha z. Bakkal.

Ai shtoi se qëllimi i përbashkët është ndërtimi i një ekosistemi bashkëpunues dhe afatgjatë që nxit zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, veçanërisht atyre që synojnë zgjerimin dhe eksportin:
“Objektivi ynë i përbashkët është krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm që mundëson lidhje domethënëse, njohuri praktike dhe partneritete që zgjasin përtej këtij forumi.”
Nga ana e saj, znj. Lendita Kastrati, Drejtore Ekzekutive e G7, theksoi rëndësinë e këtij forumi si një hap konkret drejt ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm për gratë në biznes:
“Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një ekosistemi të qëndrueshëm për gratë në biznes. Përmes bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrëseve dhe profesionisteve të fushave ligjore e financiare, po ndërtojmë ura që do të lehtësojnë rritjen, fuqizimin dhe daljen në tregje të reja të bizneseve të udhëhequra nga gratë.”
Përmes iniciativave të saj të vazhdueshme, BKT Kosova rikonfirmon përkushtimin për të mbështetur përfshirjen, inovacionin dhe sipërmarrjen në Kosovë. Banka mbetet e angazhuar në promovimin e mundësive të barabarta dhe në fuqizimin e grave në botën e biznesit.