Sot në Maqedoninë e Veriut po mbahen Zgjedhjet për të zgjedhur kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.
Lista e Votuesve përfshin 1,832,415 votues të cilët pritet të votojnë në 3,474 qendra votimi për 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunale, ose gjithsej 10,490 kandidatë.
Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, pra kandidatë të pavarur.
Qyteti i Shkupit ka numrin më të madh të kandidatëve për kryetar – 16.
Zgjedhjet do të monitorohen nga 1,451 vëzhgues – 807 vendas dhe 644 vëzhgues ndërkombëtarë.
Votimi fillon në orën 7 të mëngjesit dhe përfundon në orën 7 të mbrëmjes. Mund të zgjatet nëse ka votues që mbeten në qendrën e votimit në orën 19:00, ose nëse votimi ndërpritet gjatë periudhës së votimit me vendim të KKZ-së ose KSHZ-së. Nëse votimi ndërpritet për më shumë se një orë, ai do të vazhdojë për të njëjtën periudhë sa ndërprerja, por jo më shumë se tre orë.
Në orën 19:00, qendrat e votimit mbyllen. Votuesve të pranishëm në qendrën e votimit u lejohet të votojnë. Qendra e votimit në të cilën kanë votuar të gjithë qytetarët e regjistruar në Listën e Votuesve mund të mbyllet para orës 19:00, me pëlqimin paraprak të KKZ-së kompetente, por numërimi i votave nuk duhet të fillojë para orës 19:00. /Alsat
Në Maqedoninë e Veriut raportohen 20 raste të thyerjes së heshtjes zgjedhore
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se janë regjistruar 20 denoncime për shkelje të heshtjes zgjedhore. Sipas tyre, janë regjistruar 47 postime në rrjete sociale ku është bërë thirrje për të votuar kandidat të caktuar, si dhe video dhe foto të aktiviteteve partiake në selitë e partive.
MPB e Maqedonisë së Veriut ka treguar se edhe në cilat vende janë bërë këto denoncime, teksa ka thënë se në të gjitha rajonet, votimi i personave të sëmurë dhe i të burgosurve kaloi pa shqetësime, ku është regjistruar vetëm një ngjarje e vetme, shkruan Alsat.M.
“Gjatë heshtjes parazgjedhore, në periudhën nga 18.10.2025 deri në orën 07:00 të 19.10.2025, d.m.th. deri në hapjen e vendvotimeve, janë regjistruar 20 denoncime për shkelje të heshtjes zgjedhore, prej të cilave gjashtë në rajonin e SPB-Shkup, katër në rajonin e SPB-Kumanovë, më pas tre në SPB-Veles, nga dy në SPB-Ohër, SPb-Shtip dhe SPB-Manastir, dhe një në rajonin e SPB-Strumicë. Pas marrjes së masave të nevojshme, nuk u konfirmuan denoncimet për 15 ngjarje. Përveç kësaj, janë regjistruar 47 postime në rrjetet sociale gjatë heshtjes zgjedhore, të cilat lidhen me thirrje për të votuar për kandidatët e caktuar, si dhe video dhe foto të aktiviteteve partiake në selitë e partive. Në të gjitha rajonet, votimi i personave të sëmurë, të pafuqishëm dhe i të burgosurve kaloi pa shqetësime, është regjistruar vetëm një ngjarje e vetme”, thonë nga MPB.
KSHZ: Deri në ora 11:15 kanë votuar 154,275 qytetarë në Maqedoni të Veriut
Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Admir Shabani njoftoi se numëri e votuesve deri në ora 11:15 është 9,38 për qind.
Shabani tha se të drejtën e votës deri në këtë kohë e kanë shfrytëzuar 154,275 qytetarë, përcjell TV21.
“Sa i përket jehonës së votuesve, deri në ora 11:15 minuta Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve akumuloi të dhëna nga 3139 vendvotime, në të cilat 154,275 votues e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. Thënë kjo në përqindje, jehona e votuesve deri në ora 11:15 minuta është 9,38%”, tha Shabani.