Protestat masive që po zhvillohen prej ditësh në Serbi kanë hyrë në një fazë kritike, ku forcat policore janë kapur duke arrestuar edhe fëmijë në mesin e qindra protestuesve.
Në një video që është publikuar në rrjetet sociale shihet se si forcat policore gjatë ndërhyrjes me forcë për të shpërndarë turmat, vënë në pranga një fëmijë.
“Ky në këtë video është vetëm një fëmijë. Ky është fëmija ynë. Përgatituni për sonte. Përgjigjuni ndaj thirrjes së studentëve. Po ju presim — shihemi së shpejti”, thuhet krah videos së publikuar në platformën “X”.
Ovo na sninku je dete.
Ovo je naše dete.
Spremite se za večeras.
Odazovite se na poziv studenata.
Čekamo i vidimo se ❣️ pic.twitter.com/Fe88uWo2XQ— KO JE UBIO Manekenku za 6XL (@saranoviceva) August 15, 2025
Instituti për Çështjet Evropiane dënoi sot brutalitetin e autoriteteve policore në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera, ku qytetarët e ndaluar, të lidhur dhe të rrëzuar përtokë, iu nënshtruan goditjeve, duke përfshirë raste të shkeljes së rëndë të të drejtave të fëmijëve.
Instituti i bëri thirrje Departamentit të Kontrollit të Brendshëm që të nisë menjëherë hetim të plotë dhe të pavarur të të gjitha akuzave për torturë policore dhe të pezullojë të gjithë zyrtarët që morën pjesë në këto veprime deri në përfundimin e tij.
Qindra qytetarë, kryesisht studentë, janë mbledhur në Beograd dhe qytete të tjera të mëdha, duke protestuar kundër politikave autoritare të qeverisë dhe dhunës në rritje në vend. Protestat janë nxitur edhe nga një varg skandalesh politike dhe pakënaqësia ndaj mënyrës se si po trajtohet siguria në institucionet arsimore.
Pamje dhe video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë policinë serbe duke përdorur gaz lotsjellës dhe forcë fizike për të shpërndarë protestuesit, ndërsa raportohet për dhjetëra të arrestuar, përfshirë edhe fëmijë dhe të rinj nën moshën 18 vjeç.
Organizatat për të drejtat e njeriut në Serbi dhe ndërkombëtarisht kanë ngritur alarmin për përdorimin e dhunës së tepruar ndaj protestuesve dhe arrestimin e të miturve.
Deutsche Welle të enjten ka shkruar në një analizë për situatën në Serbi se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po përpiqet t’i shtyjë qytetarët e Serbisë drejt një lufte civile me provokime dhe përdorimin e njësive paraushtarake.
Protestuesit në Novi Sad kanë thyer zyrat e Partisë Përparimtare Serbe, si dhe i kanë ngjyrosur muret e jashtme.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se rreth 50 persona janë arrestuar në protesta për sulm ndaj policëve dhe të paktën 27 policë janë lënduar.