Rajon

Të Gjelbrit Evropianë kërkojnë që BE-ja të ndryshojë qasje ndaj Serbisë

Të Gjelbrit Evropianë

Një delegacion i lartë i Partisë së Gjelbër Evropiane (EGP), i cili ishte në Serbi me ftesë të Frontit të Majtë të Gjelbër, u largua nga Beogradi pas fyerjeve dhe kërcënimeve të hapura nga regjimi në këtë shtet. Udhëheqësit e këtij grupi parlamentar evropian paralajmëruan se do t’i kërkojnë KE-së që të ndryshojë qëndrimin e BE-së ndaj regjimit autokratik në Serbi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq një ditë më parë fyeu anëtarët e Parlamentit Evropian që morën pjesë në protestën në Novi Sad dhe mbështetën studentët. Në një konferencë për shtyp, ai i quajti eurodeputetët “fundërrina”. Edhe kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Ana Bërnabiq, bëri të njëjtën gjë në rrjetet sociale.

Në një reagim në uebfaqen e Të Gjelbërve Evropianë, bashkëpresidentja Vula Tsetsi ka thënë se presidenti i Serbisë sulmoi të Gjelbrit Evropianë në një mënyrë shumë agresive, me gënjeshtra dhe fyerje.

“Deklaratat e tij janë të papranueshme dhe kërkojnë një përgjigje të prerë. Ai fyeu një parti politike evropiane, na kërcënoi dhe na frikësoi në nivel personal, dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme - ai gënjeu hapur”, ka thënë ajo. “Duke i portretizuar vizitorët evropianë si kërcënim për stabilitetin e Serbinë, ai po i sulmon të gjithë demokratët. Ajo që kemi përjetuar është autoritarizëm me të cilën përballen qytetarët e Serbisë çdo ditë. Solidariteti ynë është me ta. Guximi i tyre në mbrojtjen e demokracisë meriton mbështetje, jo armiqësi. Bashkimi Evropian nuk mund të heshtë”.

Partia e Gjelbër Evropiane ka njoftuar se do t'i drejtohet Komisionit Evropian, duke kërkuar një ndryshim në qëndrimin e BE-së ndaj regjimit autokratik në Serbi. Gjithashtu, Parlamenti Evropian do të mbajë një debat plenar mbi Serbinë javën e ardhshme, në të cilin janë ftuar përfaqësues të Frontit të Gjelbër-të Majtë dhe partive të tjera opozitare nga Serbia.

Rasmus Nordqvist është politikan danez dhe deputet i Parlamentit Evropian për të Majtën e Gjelbër. Vula Tsetsi është një politikane greke dhe bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër Evropiane, e zgjedhur në këtë pozicion në dhjetor 2024.

Grupi i të Gjelbërve dhe Aleancës për Evropën e Lirë i ka 53 deputetë në Parlamentin Evropian.