Shoferë kamionësh në mbarë Ballkanin bllokuan dhjetëra pika kufitare në rajon të hënën, në shenjë proteste kundër rregullave të reja të hyrjes të Bashkimit Evropian (BE), për të cilat thonë se kanë dëmtuar punën e tyre.
Kolona të gjata kamionësh u formuan në pikat kufitare të transportit të mallrave në Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, në një veprim të koordinuar në këto katër vende.
Bllokada përfshiu gjithashtu portin e Barit në Mal të Zi, në Detin Adriatik.
Në pikën kufitare Odzak mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë, shoferët u zotuan se do të vazhdojnë bllokimin derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
“Po kërkojmë të na lejohet të punojmë. Është e qartë për ne se do të ketë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit”, ka thënë shoferi Amir Hadzidediq.
Shoferët ankohen se rregulli sipas të cilit shtetasit jo-anëtarë të BE-së mund të qëndrojnë në zonën e udhëtimit pa viza të BE-së deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore, do të thotë se ata nuk mund të punojnë normalisht.
Dhjetëra shoferë kamionësh tashmë janë dëbuar nga vende të ndryshme të BE-së për tejkalim të afatit të qëndrimit.
Rregullat e reja të hyrjes në BE, që filluan të zbatohen në tetor të vitit të kaluar (2025), parashikojnë gjithashtu regjistrim elektronik në vend të vulosjes së pasaportave, gjë që ka ngadalësuar më tej trafikun në pikat kufitare me vendet joanëtare të BE-së.
Sistemi i ri pritet të zbatohet plotësisht deri në muajin prill.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian ndodhen në faza të ndryshme të procesit të reformave të nevojshme për t’iu bashkuar bllokut prej 27 shtetesh.