Rajon

Serbia bëri marrëveshje 1.64 miliardë dollarësh me gjigantin izraelit të armëve

Elbit - Dron

Mediat në Izrael kanë raportuar se Serbia është shteti evropian që ka bërë marrëveshje 1.64 miliardë dollarësh me gjigantin izraelit të mbrojtjes “Elbit Systems”. 

Elbit javën e kaluar njoftoi për një marrëveshje për furnizim me sisteme artilerie raketore me rreze të gjatë si dhe të dronëve, por nuk e njoftoi se kush është klienti. 

“Times of Israel” raporton se si pjesë e kontratës pesëvjeçare, Elbit do ta furnizojë Serbinë me një sërë dronë luftarakë me inteligjencë artificiale, duke përfshirë edhe dronë që operohen personalisht për përdorime taktike dhe operacionale. 

Marrëveshja përfshin gjithashtu furnizimin me raketa artilerie me precizion të lartë dhe produkte të pajisura me teknologjinë e avancuar të Elbit për inteligjencë, survejim, identifikim objektivash dhe zbulim (ISTAR), si dhe sisteme komunikimi dhe inteligjencë sinjalistike. Paketa përfshin gjithashtu dorëzimin e sistemeve të avancuara elektro-optike dhe pajisjeve të shikimit natën.