Presidenti Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar "kolaps total" të Serbisë nëse deri më 13 shkurt nuk përfundon ndryshimi i pronësisë së NIS-it (Naftës Industriale të Serbisë), e cila gjendet nën sanksionet e SHBA-së.
Sipas tij, situata me NIS-in, që është nën sanksione që nga 9 tetori, krijon probleme serioze që kërcënojnë stabilitetin ekonomik, sektorin shëndetësor, furnizimin me karburant dhe sistemin financiar. Presidenti paralajmëroi se pas këtij afati mund të vijë deri te paraliza e plotë në industri, veçanërisht në rafineritë, të cilat paraqesin pikën kyçe për funksionimin e vendit.
“Gjërat janë të qarta, sanksionet janë në fuqi, por pas 13 shkurtit, ne hyjmë në kolaps total”, tha Vuçiq, duke shtuar se aktualisht ekzistojnë disa rezerva, por nëse situata nuk zgjidhet deri atëherë, Serbia do të jetë në rrezik serioz.
Vuçiq theksoi se Serbia aktualisht posedon disa rezerva të karburantit dhe rezervë ushtarake, por përdorimi i tyre paraqet barrë të madhe financiare për shtetin. Ai vuri në dukje se sanksionet ndaj NIS-it ndikojnë në funksionimin e përditshëm, por shumica e qytetarëve ende nuk i kanë ndier pasojat sepse rezervat janë ende në përdorim.
“Do të kemi edhe për pak kohë, por afatgjatë kjo nuk mund të zgjasë. Duhet të gjejmë zgjidhje, sepse rafineria në Pançevë është kyçe për të gjithë systemin”, deklaroi tutje Vuçiq.
Sa i përket zgjidhjeve dhe negociatave, presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar se Serbia po punon për zgjidhjen e situatës përmes bisedimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe thotë se edhe pse negociatat me Rusinë e SHBA-në nuk janë të lehta, ka shpresë për zgjidhje.
“Shëndetësia varet nga dizeli, transporti, ushtria… Duhet të sigurohemi që asgjë të mos ndalojë së funksionuari. Nuk mund të presim edhe një muaj. Vendimet duhet të merren tani. Dhe nuk duam t’i gënjejmë qytetarët, por duhet të jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë”, përfundoi Vuçiq.
Një ditë më parë, më 14 nëntor, ministrja e Minierave dhe Energjisë së Serbisë, Dubravka Dedoviq-Handanoviq, ka bërë të ditur se kanë marrë njoftim nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kërkohet largimi i pronësisë ruse nga Industria e Naftës e Serbisë (NIS).
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të muajit tetor të këtij viti, nisën zbatimin e sanksioneve kundër industrisë së naftës serb, NIS. SHBA-ja e vendosi NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Sanksionet i quajti lajm jashtëzakonisht të keq presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, u shpreh i zhgënjyer edhe me Rusinë e cila i ofroi Serbisë një kontratë për furnizimin me gaz vetëm deri në fund të vitit. Serbia kishte pritur nënshkrimin e një marrëveshjeje afatgjatë.