Autoritetet serbe kanë njoftuar se një zyrtar ka pranuar se ka falsifikuar një dokument që lejonte një pjesë të mbrojtur në Beograd të shkatërrohej dhe të zëvendësohej me një Hotel Trump, ka raportuar “The New York Times”.
Projekti për hotelin 500 milionë dollarësh i familjes së Trumpit në Serbi, i destinuar për t’u ndërtuar në zonën e ndërtesës së bombarduar të Ministrisë së Mbrojtjes, ka hasur në një ndërlikim të turpshëm. Një dokument kyç që qeveria serbe është mbështetur për të arritur këtë marrëveshje është falsifikuar, sipas zyrtarëve.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe partnerët e tij biznesorë planifikojnë të ndërtojnë një kompleks luksoz banimi dhe kompleks tregtar në zonën e lënë pas dore. Aty destinohet të përfshihet edhe zinxhiri i hoteleve ndërkombëtare Trump, që do të ishte i pari në Evropë.
Udhëheqësi i agjencisë serbe me detyra për mbrojtjen e monumenteve kulturore ka pranuar para autoriteteve se ai e ka falsifikuar një dokument qeveritar për të lejuar që selia e Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë në Beograd të shkatërrohet dhe të zëvendësohet me një hotel Trump.
Projekti vitin e kaluar fitoi miratim paraprak nga Qeveria serbe, madje para se qeveria ta heqë zyrtarisht statusin e monumentit historik të kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ishte dëmtuar gjatë fushatës së bombardimeve nga NATO në vitin 1999.
Zyrtarët e qeverisë serbe tani thonë se udhëheqësi i agjencisë, Goran Vasiq, ka falsifikuar një mendim eksperti për të justifikuar vendimin e Qeverisë për t’ia larguar statusin e trashëgimisë kulturore.
“Vasiq ka falsifikuar propozimin për vendimin për të hequr statusin e pronës kulturore”, ka deklaruar Zyra e Prokurorit për Krim të Organizuar.
Dokumentet e fabrikuara kanë shërbyer si bazë ligjore për largimin e mbrojtjes së kompleksit. Vasiq tani përballet me akuza për abuzim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, sipas zyrtarëve në Beograd.
“Affinity Partners”, kompania e Kushnerit, ka njoftuar përmes një deklarate se nuk ka luajtur asnjë rol në rishikimin e statusit të zonës. Puna në atë zonë akoma nuk ka filluar dhe fati i projektit tani është më pak i qartë, sipas kompanisë.
“Sot kemi mësuar nga raportimet e mediave se një ish-zyrtar i Qeverisë serbe pa lidhje me kompaninë tonë dyshohet se ka falsifikuar dokumente në lidhje me përcaktimin historik të projektit të Sheshit të Beogradit. Ne do të rishikojmë këtë çështje dhe do to të vendosim për hapat e radhës”, thuhej në deklaratë.
Në Serbi, perspektiva që kompleksi historik të shembet dhe të zëvendësohet me një hotel luksoz në dobi të presidentit amerikan ka shkaktuar zemërim.
Liderët e opozitës në Parlamentin e Serbisë e vënë në dukje pranimin se dokumenti ishte i falsifikuar si provë se bizneset e familjes Trump dhe Kushner siguruan një marrëveshje speciale.
“Kjo e gjitha ishte për të krijuar hapësirë për Trumpët”, ka deklaruar Dragan Joniq, deputet i Parlamentit që ka ndihmuar në udhëheqjen e protestave kundër projektit.
Toka e zonës është planifikuar t’i jepet Kushnerit dhe partnerëve të tij për 99 vjet, sipas kushteve të marrëveshjes paraprake. Planifikohet të jetë projekti i parë i përbashkët nga familjet Kushner dhe Trump.
“Serbia është një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë, dhe ne jemi jashtëzakonisht të nderuar të jemi këtu”, pati deklaruar Eric Trump, djali i presidentit amerikan, gjatë një interviste në janar, duke shtuar se “do të jetë kënaqësi të bashkojmë familjen”.
Shumë protesta janë organizuar në Beograd për të kundërshtuar shkatërrimin e kompleksit. E fundit ndodhi në mars, në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s.
Protestat në zonën e projektit kanë qenë vetëm një pjesë e demonstratave kombëtare të studentëve kundër presidentit të Serbisë dhe qeverisë së tij. Ato filluan në nëntor pasi një çati betoni u shemb në një stacion të trenit në Novi-Sad, në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, duke marrën jetën e 16 personave. Studentët dhe politikanët opozitarë kanë fajësuar punën e keqe të bërë nga kontraktorët të lidhur me zyrtarët e korruptuar.
Sipas NYT, Donald Trump Jr, djali më i madh i presidentit Trump, ka vizituar dy herë Serbinë gjatë muajve të fundit për të treguar mbështetje për presidentin Aleksandër Vuqiç, administrata e të cilit veproi shumë shpejt për të miratuar projektin e hotelit të familjeve Kushner dhe Trump. Shkrimi shton se këto vizita kanë ndihmuar në forcimin e pozicionit të Vuqiçit në mes të thirrjeve të protestuesve për dorëheqjen e tij.
Projekti në Serbi është një nga marrëveshjet e shumta të kohëve të fundit të familjes Trump që përfshinë qeveritë e huaja. Të tjera përfshijnë një angazhim prej 2 miliardë dollarësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për një kompani kriptomonedhash të familjes Trump dhe projekte luksoze të pasurive të patundshme në Katar dhe Oman.
Avokatët që merren me çështje etike, duke përfshirë ata që kanë shërbyer në Shtëpinë e Bardhë për administrata të Republikanëve dhe Demokratëve, thanë se përfshirja e qeverive të huaja në marrëveshje të tilla në prona të patundshme dhe kriptomonedha krijon përshtypje të korrupsionit, ose të paktën të trajtimit të veçantë për familjen e presidentit.
“Kjo krijon pamjen edhe nëse jo realitetin se politika jonë e jashtme e Shteteve të Bashkuara është duke u ndikuar nga interesat e biznesit të presidentit dhe familjes së tij”, ka deklaruar Richard Painter, i cili ka shërbyer si avokati kryesor i etikës në Shtëpinë e Bardhë për presidentin George W. Bush. “Është shumë e rrezikshme që të kemi një president me interesa biznesore të gjera përreth botës”, ka shtuar ai.