Rajon

Përplasje të dhunshme në Beograd, teksa protestat kundër qeverisë hyjnë në ditën e tretë

serbi

Policia serbe ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve anti-qeveritarë në qendër të Beogradit të premten, teksa përplasjet kanë hyrë në ditën e tretë në mbarë vendin, mes raportimeve për brutalitet policor dhe përdorimit të tepruar të forcës.

Protestat, të mbajtura të premten në mbrëmje në të gjithë Serbinë, u zhvilluan nën moton, “T’u tregojmë që s’jemi thes boksi”, ka raportuar AP.

Policia ka vendosur automjete të blinduara në disa pjesë të Beogradit, përderisa protestuesit u përballën me policinë speciale që i ndante ata nga mbështetësit pro-qeveritarë në qendër të qytetit.

Grupet e protestuesve, shumica me maska në fytyrë, kanë ndezur flakadanë dhe hodhën gurë e vezë drejt policisë, e cila u kundërpërgjigj me sulme përmes automjeteve të blinduara në bulevardin para godinës së Qeverisë serbe.

Disa persona u panë duke pranuar ndihmën e parë, porse nuk ka pasur raportime për numrin e të lënduarve.

Skena kaotike si në Beograd u regjistruan edhe në qytete të tjera në të gjithë vendin.

Më herët të premten, autoritetet policore kanë njoftuar se janë ndaluar qindra demonstrues që morën pjesë në protestat kundër qeverisë gjatë kësaj jave. 

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, e ka mohuar të premten se policia ka përdorur forcë të tepruar, duke fajësuar protestuesit për sulme ndaj forcave të rendit, të cilët, sipas tij, “vetëm sa po e mbronin veten me mburoja”.

Përplasjet tre-ditore mes policisë dhe mbështetësve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nga njëra anë dhe protestuesve anti-qeveritarë nga ana tjetër, kanë lënë dhjetëra persona të lënduar dhe të arrestuar.

Këto trazira përbëjnë përshkallëzim serioz të më shumë se nëntë muajve të protestave, kryesisht paqësore, të udhëhequra nga studentët e universiteteve në Serbi, që kanë tronditur pushtetin e Vuçiqit.

Protestat që kundërshtojnë pushtetin aktual filluan në muajin nëntor, pas shembjes së çatisë të stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.