Protesta janë duke u mbajtur nëpër Serbi të mërkurën në reagim të incidenteve dhe veprimeve të Policisë serbe në tubimet e së martës në Vrbas dhe Baçka Palanka. Në shumë qytete, mbështetësit e Partisë Progresive Serbe janë mbledhur para zyrave të tyre, derisa në Novi Sad ata kanë përdorur fishekzjarrë me cak qytetarët protestues.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka folur para zyrave të partisë për të falënderuar njerëzit që ai ka pretenduar se këtë mbrëmje kanë dalë në mbrojtje para zyrave të partisë, raportoi Danas.
Në Beograd, xhandarmëria ka vendosur shirita për të ndaluar qytetarët e studentët.
Të martën përleshjet mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të Qeverisë shënuan një përshkallëzim të tensioneve pas mbi nëntë muajsh demonstratash të vazhdueshme kundër Vuçiqit. Mbështetësit e Qeverisë hodhën fishekzjarrë, gurë dhe shishe drejt protestuesve, e dhjetëra njerëz u lënduan. Incidente të ngjashme u raportuan në disa qytete.
Protestat e udhëhequra nga studentët në Serbi filluan për herë të parë në nëntor pasi shembja e strehës së një stacioni treni në qytetin verior të Novi Sadit la të vdekur 16 persona, duke shkaktuar akuza për korrupsion në projektet shtetërore të infrastrukturës. Që atëherë protestat kanë tërhequr qindra mijëra njerëz, duke tronditur kontrollin e fortë të pushtetit të Vuçiqit në Serbi.