Rajon

Dodikut i hiqet mandati si president i Republikës Sërpska

Milorad Dodik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë ka marrë vendim unanim për t’ia hequr mandatin Millorad Dodikut si president i entitetit të Republikës Sërpska.

Ky vendim vjen pasi Dodiku është dënuar me një vit burg dhe është ndaluar për gjashtë vjet të ushtrojë funksionin e presidentit, vendim ky që ka ndikuar drejtpërdrejt në legjitimitetin e tij për të vazhduar mandatin.

Duke u përgjigjur për vendimin e KQZ-së, Dodiku u shpreh në terma fyes: “Një tjetër copë m*** nga Sarajeva”.

Mbrojtja e Dodikut ka të drejtë të apelojë vendimin në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila trajton ankesat lidhur me proceset zgjedhore. Ankesa mund të bëhet brenda dy ditëve nga pranimi i vendimit. Pas përfundimit të procesit të ankesës, vendimi do të bëhet përfundimtar.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit, KQZ-ja pritet të marrë një vendim për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Republikën Sërpska.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, ka paralajmëruar se do të kërkojë një masë të përkohshme për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit dhe do të bëjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.

Në përpjekje për të ruajtur pushtetin, Dodik dhe partia e tij SNSD kanë bërë thirrje për formimin e një “qeverie të unitetit kombëtar” duke ftuar në bashkëpunim edhe partitë opozitare të Republikës Sërpska. Megjithatë, opozita aktualisht nuk është e gatshme të bashkëpunojë, pas fyerjeve të rënda që Dodik u ka bërë më herët, duke i quajtur “mercenarë të huaj” dhe “shërbëtorë të Sarajevës”.

Deri më tani, vetëm kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDP), Drashko Stanivukoviq, nuk ka dalë me një qëndrim të qartë lidhur me ftesën e SNSD-së. Vendimi i PDP-së pritet pas mbledhjes së Kryesisë që do të mbahet nesër.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës Sërpska është mbledhur dje dhe ka miratuar tetë konkluzione, përfshirë refuzimin e vendimit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe thirrjen për unitet politik rreth Dodikut.

Gjithashtu pritet të thirret edhe një seancë e Kuvendit Kombëtar të Republikës Sërpska për të diskutuar situatën e krijuar.