Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se të bëhesh anëtar i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028 është slogan i mirë, por se do të ishte më domethënëse nëse anëtarësimi i Malit të Zi do të ndodhte edhe më herët.
Costa ka mbajtur konferencë të përbashkët për media në Podgoricë me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
I pyetur nëse marrëveshjet e Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe, janë në përputhje me legjislacionin evropian, Costa tha se komisionerja për zgjerim Marta Kos ka dërguar një letër ku shpreh qëndrimin e BE-së dhe kushti është respektimi i legjislacionit kur bëhet fjala për prokurim publik dhe mbrojtjen e natyrës.
“Është shumë e rëndësishme t’i ruani marrëdhëniet e mira me fqinjët tuaj, veçanërisht me ato vende që janë tashmë anëtare të BE-së”, tha Costa, raporton “Vijesti”.
E Milatoviq ka thënë se vizita e Costas është një nxitje e fortë jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për rrugën e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
“Ky takim është një vazhdim i dialogut që po zhvillojmë. Mali i Zi është krenar për statusin e tij si lider në integrimin në BE. Qëllimi është të bëhemi anëtar deri në vitin 2028”, tha Milatoviq.