Rajon

Costa në Beograd: S’mund ta festosh lirinë pa e dënuar pushtimin e një shteti tjetër

Antonio Costa

Foto: Associated Press

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të martën në Beograd se procesi i integrimit evropian të Serbisë “është në duart e saj”. Ai e ka porositur Serbinë se nuk mund ta festosh lirinë pa e dënuar pushtimin e një shteti tjetër.

Në një konferencë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se Serbia duhet t’i implementojë reformat dhe ta përdorë momentumin në Bashkimin Evorpian.

“Zgjerimi është proces i bazuar në besim. E di se shumë njerëz, jo vetëm në Serbi, por në tërë rajonin, kanë humbur besimin në këtë proces, por jam këtu që t’u siguroj për angazhim personal dhe përkushtim të plotë të BE-së për të arritur rezultate në procesin e zgjerimit”, ka thënë Costa në ditën e parë të vizitës në rajon.

Ai ka thënë po ashtu se dialogu Kosovë-Serbi është kyç dhe ka kërkuar që Serbia qartësisht ta dënojë pushtimin rus në Ukrainë.

“Topi është në anën tuaj tash dhe ju lutem mos humbni kohë, sepse e ardhmja nuk do të ju presë, andaj ta hapim këtë kapitull dhe të vazhdojmë me integrimin e suksesshëm të Serbisë në BE”, ka thënë ai.

Duke komentuar vizitën e Vuçiqit në Moskë për të shënuar Ditën e Fitores së Luftës së Dytë Botërore pavarësisht thirrjeve të Brukselit për të mos shkuar, Costa ka thënë se Vuçiqi ia ka shpjeguar se festa ishte për të kaluarën.

“Por në të tashmen, Serbia është plotësisht e përkushtuar në procesin e pranimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht se Serbia feston lirinë, por s’mund ta festojmë lirinë pa e dënuar pushtimin e sotëm të një shteti tjetër”, ka thënë ai.

Costa pas Beogradit do t’i vizitojë edhe kryeqytetet e shteteve të tjera në rajon. Në Kosovë do të jetë më 15 maj.