Rajon

Bota mblidhet në Potoçari, në përkujtim të mbi 8.000 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës

Srebrenica

Foto: Associated Press

Me thirrjet për luftimin e urrejtjes, padrejtësisë dhe vrasjeve, me mijëra njerëz nga Bosnjë-Hercegovina dhe e gjithë bota i përkujtuan mbi 8 mijë burrat e djemtë myslimanë, që u vranë dhe masakruan në gjenocidin e 30 vjetëve më parë në Srebrenicë. Në qendrën përkujtimore në Potoçari u varrosën mbetjet mortore të shtatë viktimave të porsaidentifikuara. E u adresua thirrja që bota të mos i harrojë kurrë krimet e kryera dhe të punojë për të ardhme pa dhunë

Me mijëra njerëz nga Bosnjë-Hercegovina dhe e gjithë bota u mblodhën të premten në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, për ta kujtuar gjenodicin e kryer 30 vjet më parë në Srebrenicë.

Tri dekada pas krimit më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë qendër, ku prehen 6 mijë e 750 viktima të gjenocidit, u varrosën me ceremoni të veçantë shtatë viktima, mbetjet mortore të të cilëve u identifikuan pak kohë më parë.

Me këtë rast, Munira Subashiq, kryetare e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, u adresoi thirrje Evropës dhe botës mbarë që të ndihmojnë në luftimin e urrejtjes, padrejtësisë dhe vrasjeve.

“Teksa qëndroj këtu përpara jush, ju bëj thirrje të na ndihmoni që të luftojmë kundër urrejtjes, kundër padrejtësisë, kundër vrasjeve, përdhunimit e kundër dëbimit. Askush nuk ka të drejtë t’i vrasë fëmijën e askujt. Askush nuk ka të drejtë ta përdhunojë vajzën e askujt. Askush nuk ka të drejtë të vrasë nënat e askujt”, ka thënë Subashiq.

Tek e përkujtoi masakrën e 8 mijë burrave e djemve myslimanë 30 vjet më parë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se gjenocidi në Srebrenicë është tragjedi që e tronditi gjithë botën dhe që i ndërlidhi përgjithmonë shtetin e tij, Holandën, me Bosnjë-Hercegovinën. Këtë ai e tha pasi që Holanda është shpallur pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 350 burrave boshnjakë që kërkuan strehim në qendrën e OKB-së në Potoçari, porse iu dorëzuan forcave serbe të Bosnjës më 13 korrik 1995 dhe më pas janë vrarë.

“Nuk do ta harrojmë kurrë tmerrin e atyre ditëve të errëta dhe mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur. Por, duke e nderuar të kaluarën, është detyra jonë ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritur. Ky vit e shënon gjithashtu 30-vjetorin e marrëveshjes së paqes të Daytonit. Daytoni mund të mos jetë perfekt, por mbetet gurthemel i një Bosnjë-Hercegovine të qëndrueshme, që i tregoi botës se paqja mund të mbizotërojë”, tha Rutte.

E, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, e shprehu mbështetjen e përhershme të popullit për atë të Bosnjë-Hercegovinës.

“Kroacia do të qëndrojë gjithmonë në mbështetje të Bosnjë-Hercegovinës, një vend fqinj e mik. Ne votuam vitin e shkuar në OKB për miratimin e rezolutës së gjenocidit. Sinqerisht, na vjen keq për atë që ndodhi këtu. Sikurse Bosnja, edhe Kroacia ishin viktima të regjimit të Millosheviqit dhe të mbetjeve të ushtrisë jugosllave në fillim të viteve 1990. Kjo është arsyeja përse është e rëndësishme t’ua shprehim respektin tonë të gjitha viktimave dhe familjeve”, tha kryeministri kroat.

Në korrikun e 1995-tës, mbi 8 mijë burra e djem myslimanë, të moshave prej 12 deri 77-vjeç, u vranë dhe masakruan kur forcat serbe të Bosnjës e morën nën kontroll zonën përreth Srebrenicës e që qe shpallur në mbrojtje të trupave paqeruajtëse të OKB-së.

Për këtë krim, gjenerali i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mladiq, u dënua me burgim të përjetshëm, teksa Radovan Karaxhiq, që ka qenë lider politik i serbëve, me 40 vjet heqje lirie.

Vitin e shkuar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, duke e riafirmuar natyrën gjenodicale të krimit.

Në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë mbi 100 mijë njerëz, janë zhdukur mbi 32 mijë dhe ende po kërkohen eshtrat e 7 mijë e 600 personave, mes tyre edhe rreth 1 mijë të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.