Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Aeroporti i Shkupit anuloi të gjitha fluturimet e mëngjesit, shkak mjegulla

fluturime

Për shkak të mjegullës së dendur janë anuluar të gjitha fluturimet e mëngjesit nga Aeroporti i Shkupit. Janë anuluar fluturimet e kompanisë ajrore “Wizz Air” nga Shkupi drejt Dortmundit, Brukselit, Parisit, Lubjanës, Bazelit, Memingenit dhe Venecias. Është anuluar gjithashtu edhe fluturimi drejt Zagrebit i “Croatia Airlines”, si dhe ai drejt Stambollit i “Turkish Airlines”.

Aktualisht, në aeroportin e Shkupit nuk ndodhet asnjë avion. Asnjë nga gjashtë avionët e “Wizz Air” që janë të stacionuar në bazën e Shkupit nuk ka arritur të ulet dje në aeroportin e Shkupit. Për shkak të mjegullës, avionët janë devijuar drejt aeroporteve në Prishtinë, Sofje, Tiranë, Selanik dhe Ohër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekuipazhet e “Wizz Air” këtë mëngjes kanë udhëtuar drejt aeroporteve ku avionët u ulën dje dhe prej andej do të fluturojnë drejt disa prej destinacioneve që u anuluan në mëngjes, për të marrë pasagjerët e fluturimeve drejt Shkupit.

Për shkak të mjegullës shumë të dendur, të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u ulën vetëm tre avionë dhe vetëm ata arritën të nisen pasdite, kur kushtet e motit u përmirësuan pak. Fluturimet e tjera u anuluan, ndërsa avionët që duhej të uleshin u devijuan.

Dukshmëria ra në më pak se 100 metra, çka është shumë nën standardet për ulje instrumentale në kategorinë më të ulët 1, e cila është në përdorim në Aeroportin e Shkupit.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit theksojnë se, pavarësisht kushteve të motit, aeroporti është vazhdimisht i hapur dhe stafi është i gatshëm të pranojë, shërbejë dhe përcjellë avionët dhe pasagjerët, shkruan ALSAT.M.

“Në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit https://skp.airports.com.mk/ të gjitha ndryshimet në orarin e rregullt të fluturimeve përditësohen në kohë reale, sapo informacionet mbërrijnë në sistemet tona. Sporteli i informacionit funksionon 24/7 me personel të pranishëm në aeroport, ndërsa pa ndërprerje funksionon edhe linja telefonike me numrin +389 2 3148 333, ku pasagjerët mund të informohen për statusin e fluturimeve të tyre”, njoftojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (UHM), në Shkup edhe në tre ditët e ardhshme pritet mot pjesërisht me vranësira dhe paraqitje të mjegullës. /ALSAT