PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Gjenerata që e kodon botën

PFF

Përshëndetje, miq të dashur! Sot nisemi në një aventurë fantastike drejt botës magjike të teknologjisë!

Një botë, ku fëmijët nuk janë thjesht përdorues, por shpikës, krijues dhe mendjehapur!

Ata ndërtojnë robotë, krijojnë lojëra, programojnë kalkulatorë, hapin faqe interneti, e madje shpikin sisteme, që i ndihmojnë mjekët dhe e luftojnë bullizmin.

Ejani t’i njohim heronjtë tanë të vegjël dhe veprat e tyre të mëdha!

Fillojmë me shpikje që lëvizin, mendojnë dhe ndihmojnë. Malsini na e prezanton robotin e tij inteligjent, ndërsa Darisi ka krijuar një shkop për personat e verbër, një dorë ndihmuese, që flet për zemrën e tij të madhe.

Froni na mahnit me një ashensor miniaturë, që funksionon për mrekulli!

Biiip! Mirë se erdhët në botën e lojërave! Joni rikrijon klasiken “Snake” me një stil të ri dhe zbavitës.
Dielli sjell “Angry Birds” në tri nivele, me pengesa sfiduese dhe shumë argëtim!

Nga loka te logjika dhe llogaritë! Gerta e ka ndërtuar një kalkulator, që i kryen të gjitha veprimet aritmetike - saktësisht, shpejt dhe me elegancë!

Edhe demokracia ka vend në këtë udhëtim! Eda dhe Vijona e kanë ndërtuar një sistem online votimi, që garanton siguri dhe transparencë për çdo qytetar, kudo që ndodhet.

Tani jemi në universin digjital! Ledioni dhe Riga kanë krijuar faqe për blerje online, që të sjellin gjithçka në derën tënde.
Ujana na fton në një udhëtim virtual në Muzeun Kombëtar të Kosovës, përmes një faqeje plot informacion e histori.

Laboratori i së ardhmes është këtu! Gerti ka ndërtuar një sistem me inteligjencë artificiale, që i ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve të mushkërive, një shpikje që mund të shpëtojë jetë.

Arti ka krijuar një faqe që ndihmon fëmijët të flasin për bullizmin, të kërkojnë ndihmë dhe të ndihen të sigurt.
Sepse askush nuk duhet të përballet vetëm.

E shihni? Teknologjia nuk është thjesht kabllo apo kode.

Ajo është një mjet për ta ndërtuar një botë më të mirë, më të drejtë dhe më të mençur.

Dhe, kur ajo është në duart e fëmijëve si ju, plot ide, guxim dhe dashuri, atëherë e ardhmja është në duar të sigurta.

Ju jeni krijuesit.

Ju jeni zgjidhja.

Ju do ta çoni botën përpara!