Stephen Curry ka menduar për këtë dy vjet më parë, pasi e fitoi titullin e katërt në NBA me Golden State Warriors. E vetmja gjë që i mungonte ishte e arta olimpike.
Dhe në momentin e fundit, ylli i basketbollit u sigurua që medalja e artë të ishte e tij.
SHBA-ja është sërish në majën e basketbollit ndërkombëtar, pasi Curry i shënoi 24 pikë, të gjitha treshe, dhe udhëhoqi amerikanët drejt fitores 98:87 ndaj Francës në finalen e Lojërave Olimpike, të shtunën mbrëma në Paris.
Ishte medalja e pestë e artë rresht për SHBA-në dhe e 17-ta në 20 paraqitje të amerikanëve në Lojëra.
“Thjesht qëndro i sigurt dhe mos u trondit nga momenti”, tha Curry, i cili i realizoi 17 herë për tri pikë në dy ndeshjet e fundit. Në gjysmëfinale ndaj Serbisë realizoi nëntë trepikësha, ndërsa vazhdoi me efikasitet nga distanca edhe në finale me nikoqiren e Lojërave Olimpike.
“Steph e fitoi këtë”, tha trajneri i SHBA-së, Steve Kerr.
Turqia nuk i realizoi synimet, por i mbetet shpresa për të ardhmen
Curry realizoi katër trepikësha në fund, saktësisht duke nisur 2.43 minuta para fundit. 1.19 minuta para fundit vulosi fitore me një shënim tjetër, natyrisht nga distanca.
Me shënimin e tij SHBA-ja po udhëhiqte 93:84 dhe Curry lëshoi një britmë gjatë vrapimit për në mbrojtje, duke shfaqur fanellën në atë mënyrë që të gjithë të mund ta shihnin “SHBA” në pjesën e përparme.
Edhe sikur kjo mos të mjaftonte, Curry shënoi një tjetër treshe 30 sekonda para fundit. Dhe bëri lëvizjen “e gjumit”, duke bashkuar duart në njërën anë të fytyrës.
Curry ishte i përgatitur për festë. Pas ndeshjes u shfaq me një fanellë të veçantë, për festën me shampanjë dhe puro.
“Të marr medaljen e artë është çmenduri për mua. Falënderoj Zotin për mundësinë që ta përjetoj këtë”, tha Curry.
Kevin Durant, që ka katër medalje të arta olimpike, i shënoi 15 pikë për SHBA-në, sa i kishte edhe Devin Booker.
LeBron James, që mbathur kishte këpucë me shkëlqim ari, i shënoi 14 pikë. Superylli James fitoi medaljen e katërt olimpike me SHBA-në, të tretën të artë.
“Shumë i lumtur që mund ta luaj ende këtë lojë”, tha James. “Luajta në nivel të lartë, luajta me 11 lojtarë të tjerë të mëdhenj dhe një staf stërvitor të shkëlqyer. E bëmë këtë për vendin tonë. Ishte një moment i mrekullueshëm”.
Edhe
Fitore pa shumë vlerë e Turqisë së eliminuar
Në Olimpiadën e dytë rresht, francezët duhej të shikonin rivalët duke mbajtur flamujt amerikanë në festë pas ndeshjes për titull. Në Tokio, tri vjet më parë, francezët humbën finalen nga SHBA-ja me rezultat 87:82.
Finalja e së shtunës u vendos në fund. Natyrisht, kur Curry nisi serinë e tresheve.
“Mendoj se mund të jemi ekipi i vetëm në botë tifozët e të cilit do të jenë të turpëruar nëse marrim të argjendtën”, tha Kerr, trajneri i Golden State. Si trajner i SHBA-së, ai ka bilanc prej 21:3 në dy vitet e fundit. Këtë verë ka seri 11:0. Kjo seri përfundoi me të artën olimpike, medaljen më të vlefshme në sport.
“Ky është presioni me të cilin përballemi. Ju e patë Stephin dhe të tjerët, ata e duan presionin. Ata e çmojnë këtë atmosferë dhe ishin fantastikë”, tha Kerr.
Victor Wembanyama, “rookie” i vitit në NBA, ishte në finalen e parë olimpike. Dhe ishte brilant te Franca, duke shënuar 26 pikë.
“Po mësoj”, tha Wembanyama. “Dhe unë jam i shqetësuar për atë që vjen për kundërshtarët pas disa vjetësh”.
Wembanyama mbuloi fytyrën me peshqir më pas, ndërsa amerikanët festonin. Guerschon Yabusele i shënoi 20 pikë për Francën.
“Sigurisht që është zhgënjim pasi ne prisnim ta fitonim të artën”, tha trajneri i Francës, Vincent Collet. “Por në fund duhet të pranojmë se janë më të mirë. Jemi shumë afër. Por dallimi është kur ata bëjnë gjuajtje fantastike”.
SHBA-ja u shkëput në 14 pikë në fillim të çerekut të tretë. Por ndeshja ishte larg fundit. Francezët “lidhën” disa pikë dhe u kthyen në lojë.
Francezët u afruan deri në tri pikë, por jo më shumë. Curry bëri më pas dallimin. Ai ishte i saktë në katër tentime për tri pikë në periudhë prej 2.12 minuta. Dhe finalja olimpike u vendos.
“Një gjuajtje e madhe për të shkuar në epërsi prej gjashtë pikëve. Kjo vendosi gjithçka”, tha Curry.
“Më pas erdhi ritmi, orteku dhe fatmirësisht tri gjuajtje të tjera përfunduan në cak. Ishte moment i pabesueshëm. Unë isha i bekuar të luaj basketboll në nivel të lartë për një kohë shumë të gjatë . Kjo ndeshje renditet shumë lart sa i përket emocionit dhe ndjenjës së lehtësimit, duke arritur synimin”.
Për Jamesin, triumfi ishte një gjë më shumë në lsitën e pafund të sukseseve. Për Durantin është histori me katër medalje të arta. Për Bookerin, Anthony Davisin, Jayson Tatumin dhe Bam Adebayon ishte e arta e dytë. Për të tjerët yje të NBA-së ishte e para e artë olimpike.
“Ishte një përvojë e mrekullueshme, përvojë e bukur”, tha Durant.
SHBA-ja e Australia synojnë fitoren e dytë
Mbrëmja ishte e Curryt.
“Është një prej ndeshjeve më të mira të karrierës së tij”, tha trajneri Kerr. “Gjuajtja ishte e pabesueshme. Në këto rrethana, në udhëtim, në Paris, ndaj Francës për medalje të artë olimpike, është e arritur për libra tregimesh. Por këtë e bën Steph. Atij i pëlqen të jetë në libra tregimesh”.