Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë shprehur krenarë me ekipin e xhudos që ia sollën medaljen e pestë olimpike Kosovës.
Të martën, xhudistja Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë. Ishte debutim në Olimpiadë për 23-vjeçaren.
“Medalja e dytë olimpike për Kosovën. Krenari e jashtëzakonshme që na sollën xhudistja Laura Fazliu, trajnerja e saj Majlinda Kelmendi dhe maestro Toni Kuka. Faleminderit pafundësisht!”, ka shkruar Osmani.
Ndërkohë kryeministri Kurti ka thënë se Kosova e dëshmoi që është shtet i xhudos.
“Krenaria olimpike në Paris vazhdon me Laurën nga Mitrovica! Në debutimin e saj në Lojërat Olimpike, Laura Fazliu ia siguroi Kosovës medaljen e bronztë duke e mposhtur në ndeshjen për vend të tretë kroaten Katarina Kristo. Kjo është medalja e pestë olimpike në histori të Kosovës me ekipin e xhudistëve të kryemjeshtrit Driton Kuka, e dyta në Paris dhe e para për Majlinda Kelmendin si trajnere. Për më shumë, kjo është edhe medalja e parë olimpike nga qyteti i Mitrovicës. Kosova edhe njëherë dëshmoi se është shtet i xhudos. Faleminderit Laura për gëzimin e pamasë!”, ka shkruar Kurti.
Medalje të argjendtë në “Parisi 2024” fitoi Distria Krasniqi.