Si dikush që drejton një organizatë udhëheqjeje në Kosovë dhe që e ka parë nga afër se çfarë do të thotë udhëheqja e mirë, e di se sa thellë na mungon kjo cilësi në jetën tonë politike, shoqërore dhe institucionale. Për mua, udhëheqja përkufizohet më së miri nga një thënie që e përdori shpesh në punën time:
Udhëheqja e mirë është “marrja e përgjegjësisë në kushte pasigurie për fuqizimin e të tjerëve në arritjen e qëllimeve të përbashkëta”.
Brenda këtij përkufizimi gjenden katër themele pa të cilat udhëheqja nuk mund të jetë e qëndrueshme, efektive apo transformuese.
Marrja e përgjegjësisë është rrënja e çdo forme të vërtetë të udhëheqjes. Megjithatë, në shoqërinë tonë kultura e fajësimit mbizotëron pothuajse në çdo hap. Politikanët akuzojnë kundërshtarët, institucionet ia hedhin fajin njëri-tjetrit, ndërsa qytetarët, që shpeshherë ndihen të pafuqishëm, ia lënë fajin sistemit. Në këtë qark të pafund, shumë pak njerëz ndalen për të reflektuar mbi rolet e tyre personale në situatat që po përjetojnë. Të marrësh përgjegjësi nuk do të thotë që të mbash barrën e të gjitha problemeve, por do të thotë që të kuptosh dhe pranosh se secili prej nesh ka një pjesë të veten në ndërtimin ose në shkatërrimin e shoqërisë në të cilën jetojmë. Pa këtë vetëdije, çdo reformë është e pamjaftueshme dhe çdo premtim politik është premtim bosh.
Fuqizimi i të tjerëve është elementi që e dallon udhëheqjen e vërtetë nga udhëheqja formale. Në Kosovë, shumë drejtues e konceptojnë pushtetin si një hapësirë e mbyllur, që ruhet përmes krijimit të rrethit të ngushtë dhe mbajtjes së kontrollit të centralizuar. Ky model jo vetëm që e pengon zhvillimin e institucioneve, por edhe e dekurajon pjesëmarrjen e njerëzve me ide të reja, me ekspertiza të ndryshme dhe me energji për të reformuar. Udhëheqja e vërtetë e hap derën, nuk e mbyll atë. Ajo i fton të tjerët që të kontribuojnë dhe që të krijojnë kushte ku aftësitë e çdo individi mund të vihen në shërbim të shoqërisë. Kosova ka nevojë për udhëheqës që e ndajnë fuqinë, jo për ata që e monopolizojnë atë.
Qëllimi i përbashkët është një prej kontradiktave më të mëdha të realitetit tonë politik. Në letër, shumica e partive në Kosovë pajtohen për një numër të madh objektivash të rëndësishme për vendin. Të gjitha flasin për zhvillim ekonomik, arsimin si përparësi, shëndetësinë funksionale, sundimin e ligjit dhe orientimin euroatlantik. Kjo do të thotë se në ide, ne tashmë e kemi një vizion të përbashkët për Kosovën. Problemi lind nga fakti se secila palë politike dëshiron të jetë ajo që e udhëheq, shpeshherë si e vetme, këtë vizion dhe kësisoj refuzon që të bashkëpunojë, edhe kur bashkëpunimi do të ishte rruga më e shpejtë drejt rezultateve të mira. Qëllimi i përbashkët nuk është i mjaftueshëm nëse mungon gatishmëria për të punuar së bashku për ta realizuar atë.
Kushtet e pasigurisë përshkruajnë rrethanat botërore por edhe vendore në të cilët po vepron Kosova. Vendi ka kaluar gati një vit pa zgjedhur koalicionin e ri qeverisës pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, ndërkohë që sistemi arsimor dhe ai shëndetësor janë në krizë të thellë. Për më tepër, sfidat e jashtme shpesh vendosin në rrezik stabilitetin dhe sovranitetin tonë. Në rrethana të tilla, udhëheqja e mirë nuk është vetëm e dëshirueshme, është e domosdoshme. Historia jonë na tregon se jemi të aftë që të arrijmë një udhëheqje të tillë. Në vitet e nëntëdhjeta e të dymijëta, Kosova ishte shembulli më i pastër i udhëheqjes kolektive, ku shoqëria u bashkua nën trysni të jashtëzakonshme dhe realizoi një synim që shumë e konsideronin të pamundur: pavarësinë. Ajo periudhë tregoi se kur udhëheqësit veprojnë së bashku në kushte pasigurie, ata mund të arrijnë të pamundurën.
Sot kemi nevojë që të rikthejmë atë ndjenjë të përbashkët të përgjegjësisë, atë gatishmëri për të fuqizuar njëri-tjetrin, atë vizion të përbashkët që na ka udhëhequr dikur, dhe atë guxim për të vepruar në kohë pasigurie dhe të vështira. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, por ai do të mbetet pamjaftueshëm i shfrytëzuar përderisa mund të pranojmë se udhëheqja nuk është art i fajësimit, por art i shërbimit, nuk është mekanizëm ndarës, por forcë bashkuese. Vetëm duke kultivuar këtë lloj udhëheqjeje ne do të mund të ndërtojmë një të ardhme që na takon të gjithëve. Dhe që na çon të gjithëve përpara.
(Autori është drejtor i organizatës “Teach For Kosova”)