Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Sarajeva Safari morbid dhe Aleksandar Vuçiq

Të qëllosh dhe të vrasësh njerëz sikur të ishin trofe gjuetie – kjo është ajo që quhet “Sarajevo Safari”, një krim monstruoz që në Evropë nuk mbahet mend që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ekspedita të përgjakshme “turistike” të njerëzve të pasur, të sjellë nga vende të ndryshme, të cilët në Sarajevën e rrethuar nga ushtria e Republikës Srpska, gjatë fundjavave vrisnin fëmijë dhe civilë – është diçka që sfidon çdo mendje normale njerëzore. 

Rrethimi serb i Sarajevës zgjati katër vjet, gjatë të cilave qyteti ishte çdo ditë i ekspozuar ndaj terrorit të snajperistëve dhe gjuetisë së njerëzve. Sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, gjatë katër vjetëve të rrethimit u vranë rreth 11 mijë persona. Çdo i dhjeti fëmijë i vrarë në qytet u godit nga plumbi i snajperit, ndërsa më shumë se 14 mijë fëmijë u plagosën. Megjithatë, asnjë snajperist nuk është mbajtur përgjegjës, as para gjykatave vendore dhe as para atyre ndërkombëtare. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Si është e mundur që askush të mos ketë dhënë llogari për ata që qëllonin mbi fëmijët teksa luanin para shtëpive të tyre, shëtisnin me prindërit apo ktheheshin në këmbë nga shkolla, apo kur ngisnin biçikletën? Si ka mundur Tribunali i Hagës të përfundojë proceset gjyqësore duke u fokusuar vetëm në përgjegjësinë komanduese, ndërsa çështja e drejtësisë për viktimat individuale të mos trajtohet? A është e mundur që të mos përgjigjen para drejtësisë individë të tillë, të cilët paguanin ture turistike të organizuara nga kriminelë serbë? 

Pse, kur për snajperistët dhe gjuetinë e njerëzve në Tribunalin e Hagës ka dëshmuar edhe marinsi amerikan John Jordan, ende nuk ka përgjegjësi konkrete? 

Dhe si është e mundur që vetëm tani, pasi ata fëmijë dhe njerëz u vranë nga plumbat e snajperëve, për herë të parë – më saktë që nga nëntori i vitit të kaluar – të flitet më gjerësisht në publik për këtë vend të përgjakur të vuajtjes në Sarajevë? Që të dalin në pah rrëfime, filma dokumentarë, indicie dhe kallëzime penale? Siç ka bërë shkrimtari dhe regjisori italian Enrico Gavezzeni. 

Në kallëzimin e tij penal në Prokurorinë e Milanos, ai thekson se gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë (1992–1995), individë të pasur nga Gjermania, Kanadaja, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore paguanin nga 80 deri në 100 mijë euro (në vlerën e sotme) për të kaluar fundjavën në pozicionet e snajperistëve serbë rreth Sarajevës, duke qëlluar mbi njerëz. 

Rrëfimi për këtë “sport” morbid lufte – gjuetinë e njerëzve – paraqitet në mënyrë shumë eksplicite edhe në filmin “Sarajevo Safari”, të regjisorit slloven Mirana Zupaniq, si dhe në dokumentarin “Srpska epika” të autorit serb Lazar Stojanović. Në këta filma, të dy autorët paraqesin njohuri dhe pretendime mbi pagesat e individëve të pasur për të vrarë fëmijë, gra dhe të moshuar në Sarajevën e rrethuar. 
Në një mori mediash me tirazhe milionëshe, të cilat po e rikthejnë në qendër të vëmendjes historinë e përgjakshme të “Sarajevo Safari”, po përmenden gjithnjë e më shpesh edhe akuzat e gazetarit investigativ kroat Domagoj Margetić, si dhe kallëzimi i tij penal kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dorëzuar në Prokurorinë e Milanos, e cila tashmë ka nisur hetime lidhur me vrasjet nga snajperët rreth Sarajevë. 

Në këtë kontekst, prej ditësh në media publikohen pretendime se, sipas gazetarit kroat, Vuçiq ka qëlluar mbi Sarajevën e rrethuar dhe ka shoqëruar të huaj dekadentë në të ashtuquajturin “safari”. Mediat italiane raportojnë se shërbimet boshnjake kishin dyshuar se pas gjithë kësaj qëndronte Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Serbisë, ndërsa tabloidi britanik “Daily Mail” shkruan se presidenti i Serbisë është akuzuar për përfshirje në “safari njerëzor”. 

Gazetari Margetiq ka publikuar një dokument ku, sipas tij, Vuçiq përmendet “më shumë se qartë” në lidhje me “Sarajevo Safari”. Ai pretendon se dokumentet që zotëron vijnë nga arkiva e vojvodës çetnik të ndjerë Slavko Aleksiq, ish-komandant i Njësisë Çetnike të Novo Sarajevës, i cili me bashkëluftëtarët e tij për vite me radhë nga pozicionet e Varrezave Hebraike terrorizonte qytetarët e Sarajevës së rrethuar. 

Së fundmi, ai ka publikuar materiale të reja për të cilat pretendon se konfirmojnë praninë e Vuçiqit në një nga pozicionet më të kërkuara të snajperistëve mbi qytet. Në Tribunal të Hagës, gjatë dëshmisë së tij, këtë – sipas këtyre pretendimeve – e ka përmendur edhe lideri radikal Vojislav Sheshelj, duke e cilësuar Vuçiqin si vullnetar në njësinë çetnike të vojvodës Slavko Aleksiq, i cili ndërkohë ka ndërruar jetë në rrethana të dyshimta. 

Sipas këtyre pretendimeve, pikërisht nga ai pozicion – ku thuhet se Vuçiq ka qenë fizikisht i pranishëm – forcat e serbëve të Bosnjës qëllonin mbi Sarajevën e rrethuar. Kjo, sipas autorëve të akuzave, e bën Vuçiqin një aktor relevant të asaj kohe. 

Po ashtu, pretendohet se në vitin 1994 Vuçiq kishte deklaruar për mediat e Beogradit se gjatë kohës së “safarit njerëzor” kishte qenë në një nga ato pozicionet “luksoze” ku vinin turistët për të qëlluar mbi njerëz. Margetiq ka publikuar edhe një incizim ku shfaqen Vojislav Sheshelj dhe Vuçiq; sipas tij, presidenti aktual i Serbisë shmang kamerën sepse në dorë mban pushkë, e jo çadër, siç ka pretenduar Vuçiq. 

Bëhet fjalë për Varrezat Hebraike, gjë që – sipas pretendimeve – është konfirmuar edhe nga vetë Vuçiqi në një intervistë për revistën beogradase “Duga”, më 6 gusht 1994. 
Në pjesën përmbyllëse, Domagoj Margetiq thekson se ekzistojnë dëshmitarë, emra dhe dokumente që, sipas tij, mund të hedhin më shumë dritë mbi rolin e pretenduar të Aleksandar Vuçiq në të ashtuquajturat “safari” gjatë rrethimit të Sarajevë. 

Një nga dëshmitarët që ai e cilëson si të rëndësishëm është Aleksandar Liqanin, i cili pretendohet se ka qenë pjesë e njësisë së vojvodës çetnik Slavko Aleksiq në Varrezat Hebraike. Sipas Margetiqit, Liqanini dëshmon se njësia e Aleksiqit organizonte “safari njerëzor” për të huaj dhe se, përveç Aleksiqit, organizatorë kryesorë kanë qenë edhe Vojislav Sheshelj dhe Vuçiqi. I njëjti dëshmitar pretendohet të ketë deklaruar se ka parë personalisht Vuçiqin duke transportuar gjuetarë të huaj, si dhe duke qëlluar mbi fëmijë. 

Në fund, në pyetjen e Margetiqit nëse njerëzit kanë frikë të flasin, Liqanini citohet të ketë thënë se nuk ka frikë, duke theksuar: “Unë e kam vënë jetën time për drejtësinë dhe të vërtetën. Që e vërteta dhe drejtësia të njihen një ditë. Që të dihet kush e ka bërë këtë – çetniku Aleksiq, Sheshelj dhe Vuçiq”.  
Në këtë kontekst të pretendimeve për lidhje të Vuçiqit me gjuetinë e njerëzve gjatë rrethimit serb të Sarajevës, përmendet edhe qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai së fundmi ka folur për nevojën e krijimit të një gjykate të posaçme për “Sarajevo Safari”. Në një konferencë ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë, Kurti ka deklaruar se ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte që sugjerojnë se “Sarajevo Sniper Safari” ka qenë një krim lufte i organizuar, ku pretendohet se ka marrë pjesë edhe presidenti aktual i Serbisë. Ai ka theksuar se civilët boshnjakë mund të qëlloheshin me snajper nga kodrat përreth Sarajevës kundrejt shumave të caktuara parash dhe ka kërkuar ngritjen e një gjykate të veçantë ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar këto krime. 
Sido që të jetë, ideja e kryeministrit Kurti konsiderohet domethënëse, pasi tregon se luftërat e viteve ’90 nuk janë mbyllur ende plotësisht në planin shoqëror dhe moral. 

Pretendimet se Vuçiqi ka qenë i pranishëm në Varrezat Hebraike në kohën kur qëllohej mbi Sarajevën mbeten pjesë e një debati të hapur politik dhe juridik. Mohimet e tij publike nuk e mbyllin diskutimin mbi përgjegjësinë politike dhe trashëgiminë e politikave të asaj periudhe. Për këtë arsye, rikthimi i kësaj çështjeje në vëmendje, edhe tri dekada më vonë, vazhdon të ngjallë reagime dhe polemika.