Opinion

Riformësimet gjeopolitike me shpejtësi drite

Vendet e vogla me ekonomi të hapur, si Shqipëria dhe Kosova, ndiejnë menjëherë luhatjet e ekonomisë evropiane dhe amerikane. Ekonomitë tona, të bazuara në konsum, importe dhe dërgesa të mërgimtarëve janë të brishta përballë krizave. Por, qëndrueshmëria ekonomike nis aty ku fillon prodhimi. Prandaj, për vendet tona prioritet duhet të jetë zhvillimi i kapaciteteve që krijojnë vlerë dhe gjenerojnë të hyra, si industria përpunuese, agropërpunimi, shërbimet që mund të eksportohen dhe energjia. Kjo kërkon politika industriale të fokusuara, institucione funksionale dhe kushte të parashikueshme për biznesin.

Zhvillimet e sotme gjeopolitike, po lënë në hije edhe skenarët më imagjinativ të trillerëve politikë holivudian. Që në javët e para të vitit, Shtetet e Bashkuara ndërmorën veprime dramatike. Në një operacion blic, forcat speciale amerikane arrestuan presidentin autoritar të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe e dërguan para drejtësisë amerikane. Vetëm pak ditë më pas, presidenti amerikan tronditi aleatët duke përsëritur pretendimet territoriale mbi Grenlandën, territor autonom nën kurorën daneze, i pasur me burime natyrore. Ai madje la të kuptohet se ShBA do ta marrë kontrollin e Grenlandës patjetër. Njëkohësisht, Uashingtoni paralajmëroi tarifa ndëshkuese tregtare për disa vende evropiane aleate, nëse ato i kundërvëhen planeve amerikane. Këto lëvizje të paprecedenta krijuan habi dhe shqetësim të thellë në marrëdhëniet transatlantike dhe e kanë vënë NATO-n përballë një sprove të re.

Në shikim të parë, këto veprime duken si rezultat i impulsivitetit, sidomos po të gjykohen nga mënyra e paparashikueshme me të cilën artikulohet sot politika e Uashingtonit. Por në thelb, ato janë pjesë e një llogaritjeje strategjike më të gjerë dhe e një realiteti të ri gjeopolitik që po riformëson botën.

Rivaliteti i ri strategjik

Politika aktuale e ShBA-së duhet parë si reagim ndaj zgjerimit global gjithnjë e më agresiv të Kinës, i shprehur edhe përmes nismës së saj ambicioze “Një brez, një rrugë (OBOR)”. Prej vitesh, Kina po shtrin ndikimin ekonomik dhe politik anembanë globit, nga investimet në infrastrukturë dhe në minerale në Afrikë e Azi, deri te depërtimi në sferat tradicionale të ndikimit amerikan në Arktik dhe në Amerikën Latine. Uashingtoni e sheh këtë si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj interesave të veta strategjike. Veprimet e fundit të ShBA-së, sado dramatike, synojnë t’i dërgojnë Pekinit një mesazh të qartë: të mos e shtyjë ndikimin deri në “oborrin” amerikan.

Në të njëjtën kohë, Evropa duket se ka mbetur vetëm shikuese pasive në këto përplasje gjeopolitike. Për dekada, shtetet kryesore evropiane, nuk kanë arritur të mbrojnë në mënyrë të qëndrueshme interesat e veta strategjike, ekonomike dhe të sigurisë. Shumë vende kanë reduktuar gradualisht kapacitetet ushtarake, duke u mbështetur pothuajse tërësisht te ombrella amerikane e sigurisë. Si pasojë, Evropa sot shihet nga Uashingtoni si një aktor me rol të kufizuar në rendin global, i paaftë për të frenuar depërtimin ekonomik kinez në kontinent apo agresivitetin rus në fqinjësi. Për administratën amerikane, kjo pafuqí evropiane vetëm sa e shton nxitjen që ShBA të marrë vetë frenat e lojës globale, edhe nëse kjo vjen me koston e përkeqësimit të marrëdhënieve transatlantike.

Përplasjet në Amerikën Latine dhe Arktik

Përplasja mes fuqive të mëdha po shfaqet sot qartë në disa hapësira kyçe gjeografike, veçanërisht në Amerikën Latine dhe në Arktik, me potencial të zgjerimit në Afrikë dhe Azi. Në qendër të këtij rivaliteti janë burimet natyrore strategjike, mineralet e rralla, energjia, portet dhe rrugët e reja tregtare. Venezuela, një vend me rezerva kolosale nafte dhe i qeverisur nga një regjim anti-amerikan, ishte shndërruar në një pikë strategjike kineze dhe ruse pranë kufijve të ShBA-së. Operacioni i befasishëm amerikan që rrëzoi dhe arrestoi Maduron ndryshoi ekuilibrat dhe dërgoi një mesazh global se mbështetja ruse apo kineze nuk vlen asgjë përballë vendosmërisë amerikane. Ky është një realitet i ri që Pekini, Moska dhe të tjerët nuk mund ta injorojnë.

Grenlanda përfaqëson një tjetër front rivaliteti të shtrirë përgjatë rrethit të Arktikut. Ishulli gjigant, gjeografikisht pjesë e Amerikës së Veriut, por i administruar nga Danimarka, ka fituar rëndësi strategjike me shkrirjen e akujve polarë, të cilët po hapin rrugë të reja detare dhe qasje në pasuri natyrore. Grenlanda ka rezerva të mëdha mineralesh të rralla dhe burime energjetike që janë joshëse për shumë ekonomi. Prej disa vitesh, Kina ka shfaqur interes të madh për ishullin. Kompani kineze kanë tentuar të investojnë në miniera dhe projekte infrastrukturore, përfshirë edhe ndërtimin e aeroporteve lokale. Rusia, nga ana tjetër, ka praninë më të madhe ushtarake në rajonin arktik dhe pretendon hapësira të reja detare.

Rikthimi i merkantilizmit

Përtej dimensionit gjeostrategjik, prapaskena e këtyre përplasjeve udhëhiqet nga rikthimi i merkantilizmit në politikat ekonomike të fuqive të mëdha. Kjo doktrinë e vjetër ekonomike synon forcimin e shtetit përmes kontrollit të tregtisë dhe grumbullimit të pasurisë. Si Uashingtoni, ashtu edhe Pekini, i shohin gjithnjë e më shumë marrëdhëniet tregtare jo si bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë, por si lojë me rezultat zero, ku fitimi i njërës palë nënkupton humbje për tjetrën. Kjo qasje sfidon hapur parimet klasike të tregtisë së lirë dhe idenë se hapja dhe specializimi në tregje të caktuara, sjell mirëqenie të përbashkët.

Kur ekonomitë kryesore largohen nga rregullat e tregtisë së lirë dhe fillojnë t’i trajtojnë partnerët si rivalë ekonomikë, përplasjet e interesave bëhen të pashmangshme. Aleatët kthehen në kundërshtarë, institucionet shumëpalëshe dobësohen dhe rregullat e lojës anashkalohen. Historia tregon se periudha të tilla shpesh kanë qenë pararendëse të konflikteve dhe shenjat aktuale tregojnë se bota po hyn në një fazë të re rreziku.

Përshkallëzimi i tensioneve tregtare mes fuqive të mëdha vjen me një kosto të lartë dhe kërcënon stabilitetin e ekonomisë botërore. Një luftë e re tregtare mes ShBA-së dhe Bashkimit Evropian do të kishte pasoja serioze. Një spirale tarifash dhe kundër-tarifash mund ta zhysë ekonominë globale në recesionin më të madh që prej krizës financiare të vitit 2008. Rënia e tregtisë globale do të godiste rritjen ekonomike kudo, si në vendet eksportuese, ashtu edhe te konsumatorët në ShBA dhe Evropë, përmes rritjes së çmimeve dhe humbjes së vendeve të punës. Vendet në zhvillim do të preken edhe më fort, pasi varen drejtpërdrejt nga kërkesa e ekonomive të mëdha. Kur ShBA, BE apo Kina ngadalësohen, importet e tyre bien dhe kjo përkthehet në më pak të ardhura për ekonomitë në zhvillim.

Si të mbijetojnë në rendin e ri

Një thënie e vjetër shqiptare thotë “të mëdhenjtë i hanë mollat, të vegjëlve u mpihen dhëmbët”. Vendet e vogla me ekonomi të hapur, si Shqipëria dhe Kosova, janë veçanërisht të ekspozuara. Ato i ndiejnë menjëherë luhatjet e ekonomisë evropiane dhe amerikane, pasi varen nga dërgesat e diasporës dhe investimet dhe eksportojnë kryesisht në këto tregje. Edhe pse luftërat tregtare duken si përplasje mes gjigandëve, në realitet gjithë zinxhiri i ekonomisë globale rrezikon të këputet.

Ekonomitë tona, të bazuara në konsum, importe dhe dërgesa të mërgimtarëve janë të brishta përballë krizave. Por, qëndrueshmëria ekonomike nis aty ku fillon prodhimi. Prandaj, për vendet tona prioritet duhet të jetë zhvillimi i kapaciteteve që krijojnë vlerë dhe gjenerojnë të hyra, si industria përpunuese, agropërpunimi, shërbimet që mund të eksportohen dhe energjia. Kjo kërkon politika industriale të fokusuara, institucione funksionale dhe kushte të parashikueshme për biznesin.

Qëndrueshmëria nuk ndërtohet me shtet të madh, por me shtet funksional. Pa institucione të besueshme, rregulla të qarta dhe kapital, çdo strategji mbetet në letër. Në fund, për vendet e vogla, siguria ekonomike e kombinuar me aleanca politike të qëndrueshme mbetet forma më reale e sovranitetit.