Opinion

Reçaku: Krim i një doktrine shtetërore serbe

Në histori ka data. Ka dokumente. Ka raporte. Por ka edhe fjalë që peshojnë më shumë se arkivat.
Reçak është një prej tyre. Jo sepse aty ndodhi një krim – krime ka pasur edhe më parë – por sepse aty u shemb gënjeshtra se krimi ishte i rastësishëm.

Dy muaj para Reçakut, në nëntor të vitit 1998, Slobodan Millosheviqi, gjatë një takimi me ushtarakët e lartë të NATO-s, amerikanin Wesly Clark dhe gjermanin Klaus Naumann fliste për një “zgjidhje përfundimtare” përfundimtare në Kosovë

Dy muaj më vonë, në një mëngjes janari të vitit 1999, kjo fjali mori trup, nË kosovë kishte ndodhru masakra e Reçakut para syve të OSBE-së. 45 civilë shqiptarë ishin masakruar në zemrë të Evropës. Ferri e kishte emrin Kosovë.

“E di si do të merremi me këta shqiptarë. I vrasim të gjithë. Do të gjejë një “zgjidhje përfundimtare” për Kosovën në pranverë të vitit 1999. Millosheviqi shpjegoi se do të përdorte forcën e armatosur për të zgjidhur “problemin me shqiptarët e Kosovës, njësoj siç ishte vepruar me Drenicën, një rajon në Kosovën qendrore, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kur e pyeta Millosheviqin se çfarë kishte ndodhur në Drenicë, ai u përgjigj se –duke iu referuar përplasjeve të vitit 1946 midis shqiptarëve dhe partizanëve të Titos- shqiptarët u grumbulluan në një vend dhe pastaj ishin vrarë,” kështu deklaroi Millosheviqi  në tetorit të vitit 1998 gjatë një takim zyrtar me gjeneralët Wecly Clark dhe Klaus Nauman.

Kjo fjali nuk ishte kërcënim i çastit, por një përmbledhje e një doktrine. Këto fjalë të Millosheviqin nuk ishin metaforë. Nuk ishin retorikë politike, ishin një program i planifikuar veprimi. Siç paralajmëronte edhe Ismail Kadare në kulmin e luftës, krimet e përmasave të tilla nuk janë akte spontane, por produkte të një përgatitjeje të gjatë politike dhe ideologjike, çka përputhet me dokumentimin e planeve shtetërore serbe për zhbërjen etnike të Kosovës. Ishin pjesë e një plani të koduar ushtarak “Patkoi”, sipas të cilit shqiptarët duhet të dëboheshin përmes Bllacës në Maqedoni dhe Morinë në Shqipëri, si dhe një masë e konsiderueshme edhe në Mal të Zi.

Dy muaj më vonë, në mëngjes të ftohtë të 15 janarit këto fjali morën trup në Reçak. Ndërsa “Zgjidhja përfundimtare”, për të cilën fliste Millosheviq, për mua si gjerman më thoshte Klaus Naumannn, gjatë një bisede në Berlin me 2 dhjetor 2024, mu duke e pabesueshme sepse kjo shprehje ma kujtonte politikën e Hitlerit ndaj hebrenjve, përkatësisht “zgjidhjen e tij përfundimtare”, që ishte një kod për shfarosjen sistematike dhe të qëllimshme dhe fizike të hebrenjve evropianë. Ishte një moment kur Hitleri me 1941 kur në Konferencën e Wannsee-së autorizoi këtë projekt të shtrirë në gjithë Evropën.
Në këtë kuptim edhe masakra e Reçakut erdhi si pjesë e një plani të koduar për zhbërjen totale etnike të Kosovës, e cila në fund të luftës rezultoi me dëbimin e 80 për qind të popullsisë shqiptare. Ky krim , po ashtu, përkon me fazën e tretë të Planit “Patkoi”, të cilin në prill të vitit 1999 ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Rudolf Scharping, bashkë me protokollet e intervistave dhe skicave ia kishte dorëzuar prokurores së guximshme dhe të pa kompromis, kanadezes Louis Abrour, kryeprokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandë. Por, më vonë pasuesja e saj, zvicerania Carla Del Ponte do ta heshtte, ashtu siç bëri me doktrinën antishqiptare të artikuluar në Memorandumin e Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

Krimi në Reçak ndodhi si projeksion hegjemonist i Beogradit, për t’u treguar shqiptarëve se nuk mund të llogarisnin në mbrojtjen e bashkësisë ndërkombëtare, erdhi në kohën kur mbi dhjetë UNHCR raportonte se nga Kosova ishin zhvendosur 349.000 shqiptarë të Kosovë, nga të cilët 200 mijë ishin zhvendosur brenda vendit. “Fushata e egër dhe sistematike e ‘spastrimit etnik’, e zhvilluar nga autoritetet serbe në Kosovë, duket se ka një qëllim të vetëm: të dëbojë ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnikë në Kosovë, duke ia mohuar një populli të drejtat më themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë,” theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan në 8 prill të vitit 1999. Annan kishte dënuar dëbimet masive nga Kosova, por kësaj radhe ai shkoi edhe më tej, duke thënë se duket se disa aspekte të spastrimit etnik në Kosovë i afrohen gjenocidit.

Me gjithë paralajmërimet e shumta që nga fillimi i viteve ’90 për rrezikun e një krimi masiv serb në Kosovë, qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes e anashkaluan këtë realitet përmes një heshtjeje politike, e cila e vonoi reagimin ndërkombëtar dhe e bëri të pashmangshëm kulmin e dhunës. Sipas Nevenka Tromp, masakra e Reçakut u realizua përmes të njëjtave metoda operative që policia serbe kishte aplikuar më herët në sulmin ndaj kompleksit të familjes Jashari, duke konfirmuar vazhdimësinë strukturore dhe metodologjike të dhunës shtetërore ndaj popullsisë shqiptare. Vetëm pasi ky krim kundër njerëzimit kulmoi në Reçak, u shënua momenti që e detyroi bashkësinë ndërkombëtare të rishikonte rregullat e angazhimit të saj dhe të intensifikonte përpjekjet për një zgjidhje politike të konfliktit, duke e shndërruar Reçakun në një referencë vendimtare për ndryshimin e qasjes ndërkombëtare ndaj krizës së Kosovës.

Ishte koha kur akoma Beogradi në njërën anë po komunikonte me emisarët ndërkombëtarë, dhe në anën tjetër, vazhdonte me jetësimin e operacionit “Patkoi”, i cili sipas studiuesit amerikano-hebraik John Stoessinger, “Përse kombet shkojnë në luftë”,  ky ishte plani strategjik për të “zgjidhur “ çështjen shqiptare në Kosovë. Sipas tij, Kosova synohej të spastrohej nga shqiptarët për të krijuar Lebensraum (Hapësirë jetësore) për kolonët serbë. Sipas Stoessinger, Adolf Eichman, njeriu përgjegjës për depërtimin e hebrenjve gjatë regjimit nazist, me gjasë do ta kishte vlerësuar madhësinë e operacionit “Patkoi”. Të vetmen gjë që Millosheviqi nuk e kopjoi nga Hitleri, thotë Stoessinger, ishin dhomat me gaz të Aushvicit. Në vend të tyre, viktimat e tij shqiptare do të dëboheshin drejt shteteve fqinje të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë

Në këtë kuptim, masakra e Reçakut as nuk ishte një betejë ushtarake, siç pretendonte Beogradi, as nuk është një incident apo masakër e rastit, por pjesë e një plani dhe e një doktrine të vjetër serbe, gjenezën dhe metodat e së cilës duhet kërkuar në shekullin 19 dhe shekullit 20, kur aspirata serbe – të njohura si platforma e Serbisë së Madhe - u bënë të njohura dhe u mbështetën nga Rusia dhe vende të tjera të Koncertit Evropian.

Krimi në Reçak tregonte se kjo doktrinë, jo vetëm që nuk kishte vdekur, jo vetëm që nuk ishte dënuar në të kaluarën, por ajo vazhdonte rrugëtimin e saj, thënë në mënyrë simbolike, ishte si puna e trenit që ndërron vetëm drejtuesit e lokomotivës. 

Kadare theksonte se ideja e zhdukjes së shqiptarëve nuk ishte devijim i rastësishëm, por pjesë e një mendësie të artikuluar në nivelet më të larta akademike dhe shtetërore serbe, duke përmendur në këtë kontekst edhe traktatin e Vaso Çubrilloviqit të vitit 1937, i cili, ndonëse formulonte hapur dëbimin e shqiptarëve, nuk u përball kurrë me dënim moral apo juridik.

Por, a është Memorandumi i Çubriloviqit versioni i fundit i doktrinës antishqiptare: jo.  Është edhe Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986), për të kulmuar me operacionin “Patkoi,” që po ashtu na paraqitet si vazhdimësi të doktrinës ës Çubriloviqit e titulluar nga vetë autori “Dëbimi i shqiptarëve”. Ky projekt antishqiptar ishte i ngjizur gati në të njëjtën kohë me projektin nazist për hebrenjtë dhe, për nga thelbi, jo larg atij. Ky draft famëkeq, i rënë për kohë të gjatë në koma, priti orën e tij të ringjalljes.  

Në fakt, treni i ringjalljes së projektit për shtetin të madh serb fitoi shpejtësi në fillim të viteve 1970 dhe arriti shpejtësinë marramendëse në vitet 1980. Në një kuptim, Millosheviqi ishte thjesht drejtuesi i trenit i cili, me të rrëmbyer timonin dhe me të fuqizuar pozicionin e tij në krye të Serbisë, vazhdoi ta ngasë lokomotivën vetë.

Edhe pse rendja e trenit të Serbisë së Madhe u pengu nga disa disfata të ndryshme: në Kroaci, me operacionin Stuhia, në Bosnjë e Hercegovinë me Paqen e Dejtonit, në Kosovë, me sulmet ajrore të NATO-s, megjithatë ky tren nuk ka dalë nga shinat, përkundër disfatave dhe procesit gjyqësor ndaj MiIlosheviqit. Vërtetë ai u nxor nga Lokomotiva dhe treni i Serbisë së Madhe e uli shpejtësinë, por treni ai nuk u ndal asnjëherë. Ai vazhdoi të lëviz edhe në dy dekadat e këtij shekulli.

Të fitosh luftën, të humbasësh paqen

“Të fitosh luftën, të humbasësh paqen” ishte titulli i një shkrimi të shkrimtarit Ismail Kadare, botuar në Le Monde më 14 dhjetor 1999, në të cilin ai shprehte shqetësimin se propaganda serbe, e mbështetur edhe nga aleatë të saj në Evropë, kishte nisur një fushatë sistematike për të përmbysur të vërtetën mbi ngjarjet e ndodhura në Kosovë para dhe gjatë luftës. Në thelb, Kadare paralajmëronte rrezikun që, ndonëse lufta ishte fituar, paqja po humbiste në fushën e narrativës dhe të së vërtetës historike.
Ai u drejtohej veçanërisht Shqipërisë dhe Kosovës me thirrjen që të mos heshtnin dhe të mos qëndronin pasive, në një kohë kur Serbia kishte nisur hapur kundërfushatën e saj për relativizimin dhe mohimin e krimeve. Megjithatë, ky paralajmërim i Kadaresë kaloi pothuajse pa jehonë, dhe si Kosova ashtu edhe Shqipëria u gjetën të papërgatitura përballë zhvillimeve të mëvonshme, përfshirë akuzat dhe raportet e ngritura nga Carla Del Ponte dhe Dick Marty. Ne kishim dosjet tona ngjetëse, por për neglizhencën tonë, të “paketuar” si pragmatizëm apo open-minded, nuk i kemi bërë të ditura.
Ndërkohë Serbia po vazhdonte luftën e saj për të dalë sa më e pastër nga e kaluara e saj kriminale. Në këtë kontekst,  Arkivi i procesit gjyqësor ndaj MiIlosheviqit në TPNJ nuk është i plotë dhe nuk përmban të gjitha dokumentet që TPNJ i kërkoi Serbisë.

Në këtë kuadër duhet kuptuar edhe ngritja e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale për Kosovën, e cila përbën kulmin institucional të kundër-narrativës serbe pas vitit 1999. Pas dështimit për të relativizuar krimet përmes Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, dhe pas mbajtjes së dokumenteve kyçe jashtë qasjes së prokurorisë, strategjia serbe u zhvendos drejt inversionit të rolit të agresorit dhe viktimës, duke e fokusuar diskursin penal pothuajse ekskluzivisht mbi palën shqiptare. Në këtë mënyrë, lufta e humbur në terren u vazhdua në fushën e narrativës juridike, duke e përmbysur gradualisht kuadrin moral dhe historik të konfliktit të Kosovës. “sigurisht që një pjesë e fajit bije mbi vetë shqiptarët. E keqja jonë është shpërfillja jonë, ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, por tepër dëmtuese. Rimohuesit, jo vetëm i duartrokasin këto akuza, por çdo përpjekja për mbrojtje e quajnë “kombëtarizim” të dëmshëm, madje “racizëm”, thotë Kadare.

Pas rënies së Millosheviqit në vitin 2000 elitat politike të Serbisë kultivuan dy qëndrime të ndryshme në ndihmën për TPNJ-së. Në njërën anë, ato zbatonin politikën e shpallur të bashkëpunimit fuke dorëzuar të akuzuar të nivelit të lartë, si Millosheviqi e bashkëpunëtorë të tij.  Nga ana tjetër, autoritetet e Beogradit përpiqeshin për të mbajtur larg TPNJ-së prova, që sipas llogaritjeve të tyre, mund të vërtetonin aktakuzën e Prokurorisë. Qasja në këto prova shkresore u bë e vështirë. Autoritetet serbe mbajtën dokumente kyçe larg prokurorisë dhe kjo u kuptua, kur Millosheviqi filloi të thërriste dëshmitarë të mbrojtjes për aktakuzën për Kosovën.

Në këtë kontekst, Carla Del Ponte ishte ajo që, gjatë mandatit të saj, e politizoi funksionimin e Prokurorisë, duke hyrë në bisedime me udhëheqjen politike të Serbisë, të cilat përfunduan në një kompromis problematik. Në maj të vitit 2003, ajo i shkroi Goran Svilanovićit, duke e njoftuar se ishte rënë dakord për zbatimin e masave mbrojtëse ndaj dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Serbisë, pavarësisht se ishte plotësisht në dijeni për ekzistencën dhe rëndësinë e tyre.

Ky kujdes i qëllimshëm për të mos bërë publike prova që mund të kishin zbuluar përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në luftën e Bosnjë-Hercegovinës dhe në fushatën e spastrimit etnik në Kosovë dëshmonte se autoritetet serbe ishin të vetëdijshme për veprimet e tyre të mëparshme.
Kjo qasje u reflektua më pas në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të shkurtit 2007, kur gjyqtarët konstatuan se në Bosnjë-Hercegovinë ishte kryer gjenocid, por njëkohësisht e liruan Serbinë nga përgjegjësia shtetërore për gjenocid. Në këtë rast, mbrojtja e dokumenteve shërbeu drejtpërdrejt për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

Arsyet e mohimit të krimeve të gjenocidit

Mbrojtja e dokumenteve në këtë rast mbrojti Serbinë dhe interesat e saj shtetërore dhe kombëtare. Jo vetëm ky rast, por historia tregon se edhe në rastet e tjera shtetet rrallë janë të gatshme të pranojnë krimin e gjenocidit, të paktën për tri arsye:

Së pari, shteti i akuzuar dhe i gjetur ligjërisht përgjegjës për shkelje të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka gjasa të mëdha të urdhërohet të paguajë dëmshpërblime shumë të larta financiare ndaj palës së dëmtuar.

Së dyti, dokumentacioni gjyqësor që vërteton kryerjen e gjenocidit shndërrohet në dokumentacion historik të përhershëm, duke e njollosur atë shtet në mënyrë të pakthyeshme në kujtesën ndërkombëtare.

Së treti, mospranimi i krimeve të kryera nga regjimi i mëparshëm i lë regjimit pasardhës hapësirë politike dhe ideologjike për të ndjekur objektiva gjeopolitike “të papërfunduara”, të cilat pararendësit nuk arritën t’i realizonin, pavarësisht kryerjes së krimeve çnjerëzore në shkallë masive.
Në këtë kuadër, Kosova, si shtet i vogël dhe i ri, duhet të jetë më e përgatitur për t’i treguar botës dhe opinionit publik ndërkombëtare e askush ishte agresori dhe kush viktima, duke e bërë këtë një proces të qëndrueshëm institucional dhe diplomatik. Në këtë drejtim, krijimi dhe funksionalizimi i Institutit të Krimeve të Luftës përbën një hap të domosdoshëm dhe strategjik, por bashkë me të nuk duhet të mungojë as kontributi i historianëve, akademikëve, publicistëve, bashkë me të institucionet ku punojnë.

Duhet të kemi parasysh se derisa pas qershorit 1999, Kosovë ndërkombëtarët u kujdesën për një inginiering, duke na inkurajuar që të mos merremi me të kaluarën, Serbia punoi me zell dhe në mënyrë të pazakontë me para dhe resurse të tjera për të mohuar krimet e kryera nga formacionet e saj të armatosura, duke ndërtuar me qëllim një kundërnarrativë relativizuese. Përmes kësaj qasjeje, imazhi i qartë “bardh e zi” i agresorit dhe i viktimës është zëvendësuar me një imazh “gri”, në të cilin përgjegjësia shpërndahet artificialisht dhe ku paraqiten viktima—madje edhe kriminelë—nga të gjitha palët. 

Përtej asaj çfarë mund të thonë një korpus i burokratëve evropianë dhe ndërkombëtarë, Kosova duhet ta ndriçojmë me ngulm të kaluar e saj në plotni dhe ta ndërtojë kulturën e kujtesës, në mënyrë që të mos përsëritet ajo që do të thoshte gjenerali Naumannn se pas kishte folur me Millosheviqin  kishte kërkuar burime historike për masakrat në Drenicë pas Luftës së Dytë Botërore, por nuk kishte gjetur asnjë të dhënë.”  Harresa është e rrezikshme, është gati e njëjtë pa aq sa ta fitosh luftën, por ta humbësh paqen. Në këtë kuptim, pa njohur mirë Reçakun dhe gjithë nga ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë, nuk mund të kuptohet në mënyrë të plotë dhe drejtë as ajo çfarë ndodhë aktualisht në relacionet Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, vërejtja e profesorit gjerman të historisë në Universitetin e Potsdamit, Manfred Gortemaker, se “pa njohuri themelore mbi ngjarjet kyçe të shekullit XIX nuk mund të arrihet një kuptim i thellë i botës sonë bashkëkohore”, mbetet plotësisht e vlefshme jo vetëm për analizën e luftës dhe të masakrës së Reçakut, por edhe për të kuptuar natyrën doktrinare të zhvillimeve të fundit të Serbisë ndaj Kosovës, veçanërisht agresionin e armatosur në Banjskë. Nëse Reçaku ishte momenti kur doktrina u ekspozua para syve të botës, Banjska dëshmon se ajo nuk është zhdukur, por vetëm ka ndryshuar formë dhe intensitet.

Përballja me Reçakun nuk është vetëm detyrim moral i Kosovës, por test i vazhdueshëm i përgjegjësisë historike të Evropës, e cila e ndali krimin në vitin 1999, por ende nuk e ka dënuar pa ekuivokë doktrinën që e prodhoi atë. Andaj kishte të drejtë shkrimtar Ismail Kadare kur thoshte se: “bombat e NATO-s e ndëshkuan Serbinë më 1999, por jo doktrinën” – një doktrinë që, sa herë lihet pa u përballur me ndëshkimin, rrezikon të rikthehet me forma të reja.

(Autori është ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Politike në MPJD)