Zhurma apo diskursi që po pretendohet të krijohet (pa)qëllimshëm rreth procesit të përzgjedhjes së presidentit\es së ardhshme të Republikës, qysh tani, kur kemi katër muaj nga skadimi i afatit të presidentes aktuale, znj. Vjosa Osmani, duket se ka hyrë në një “zonë rreptësie” për të dhënë përgjigje për (pa)mundësitë e rizgjedhjes së saj edhe për një mandat shtesë pesëvjeçar.
Fillimisht duhet theksuar se në Kosovë, mënyra se si zgjidhet presidenti është kthyer prej vjetësh në një “lojë numrash” e kalkulimesh partiake, ku vullneti qytetar mbetet tërësisht jashtë ndikimit apo fuqizimit në të gjithë procesin. Së këndejmi, në situata të tilla, kur ndikimi i sovranit nuk ushtrohet drejtpërdrejt, shtrohet dilema se si duhet vepruar më tej në plotësimin e këtij “vakumi” sociopolitik. Ajo që dihet ka të bëjë me faktin se, në një demokraci funksionale, legjitimiteti i çdo institucioni duhet të burojë nga qytetari e jo nga pazaret dhe nga marrëveshjet e prapaskenës midis partive. Dhe se, kur ka deficit në mënyrën se si duhet të veprohet në situata të tilla, shfaqen me automatizëm dilema dhe rezerva se a duhet dhe si duhet të përmbushen këto deficite demokratike në një shoqëri sikurse është kjo e jona, me një brishtësi evidente gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Andaj edhe zhurma dhe diskursi i nisur rreth (ri)zgjedhjes së figurës së ardhshme për president\e është i pritur.
Por, në kuadër të këtij diskursi do të ishte e shëndetshme që të diskutohet me argumente pro et contra, si mënyra ashtu edhe metodologjia e përzgjedhjes për këtë post, që në Republikën tonë nuk ka ndonjë rol me peshë të madhe ekzekutive. Pra, pyetja kruciale e diskursit mbi mënyrën e përzgjedhjes për këtë post nuk bën dëm, nëse analizohet edhe mënyra e drejtpërdrejtë e përzgjedhjes së presidentit/es së ardhshme të Kosovës. Për këtë arsye, zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të përbënte një hap përpara në emancipimin politik dhe institucional të vendit.
Nga pikëpamja sociologjike, presidenti i zgjedhur nga populli do të kishte një legjitimitet simbolik shumë më të gjithëpërfshirës, më kompetent, madje edhe shumë më praktik e pragmatik. Një president/e, i/e dalë nga vota qytetare, pa dyshim që do të mishëronte “kontratën sociale” mes shtetit dhe qytetarit, siç e përkufizon edhe Max Weberi: autoriteti racional-ligjor fiton kuptim vetëm kur buron nga pjesëmarrja masive dhe pranimi i gjerë social i qytetarisë. Derisa një president/i/e zgjedhur përmes pazareve partiake përherë do të mbetet “mollë sherri” dhe figurë e kontestuar, e jo simbol i përbashkët i shtetësisë, ashtu siç është e përshkruar me “germën e Kushtetutës ahtisariane”.
Një arsye tjetër thelbësore përse presidenti/ja duhet të zgjidhet me votën plebishitare lidhet me detyrimet politike e kombëtare që në shkencat sociale identifikohen si përgjegjësi publike (accountability). Kur presidenti u përgjigjet drejtpërdrejt qytetarëve që e kanë votuar, ai ndien detyrim moral dhe institucional ndaj tyre, jo ndaj partive që e kanë zgjedhur. Në Kosovë, kjo do të rriste ndjeshëm besueshmërinë e institucionit, duke e bërë presidentin më aktiv dhe shumë më të pavarur në raport me pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ.
Nga ana tjetër, sistemi aktual i zgjedhjes përmes pazareve dhe kompromiseve evidente në Kuvend, jemi dëshmitarë se gjithnjë ka nxitur patronazhin dhe klientelizmin politik. Pazaret për vota, premtimet për poste apo llogaritjet për mbijetesë qeveritare e kthejnë institucionin e presidentit në monedhë shkëmbimi. Dhe kjo qasje, në një perspektivë të ardhshme, jam shumë i bindur se do ta minojë dhe gërryejë deri në skajshmëri si kulturën e besimit qytetar, ashtu edhe bindjen publike se pushteti në Kosovë mund të merret vetëm përmes grupeve dhe klaneve partiake, e jo përmes vullnetit të lirë qytetar. Zgjedhja e drejtpërdrejtë do ta zhvendoste këtë raport, duke forcuar demokracinë e pjesëmarrjes dhe duke e bërë qytetarin shumë më aktiv dhe më protagonist të vendimmarrjes.
Në një shoqëri si kjo e jona, ku ende po kalon në “ethet e tranzicionit”, ku shtetësia nuk është përmbyllur, ku demokracia ende është e brishtë dhe ku sovraniteti ende lëngon nga pasiguria vendimmarrëse, simbolika e unitetit nuk është vetëm relikt luksi, por nevojë thelbësore që i duhet jo vetëm brezit të kohës, por edhe rrethanave aktuale gjeopolitike e gjeostrategjike. Thënë më ndryshe, presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët – shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë – e jo një shumicë të rastit në Kuvend. Sepse zgjedhja e drejtpërdrejtë do ta përforconte këtë ndjenjë të përfshirjes dhe barazisë simbolike etnike, ngase çdo qytetar do të kishte pjesën e vet në zgjedhjen e figurës më përfaqësuese të shtetit.
Për më tepër, përvoja e vendeve evropiane me demokraci të konsoliduar si Austria, Finlanda, Sllovenia apo Kroacia dëshmon më së miri se presidenti i zgjedhur nga populli funksionon si balancues institucional dhe faktor stabiliteti, jo si rival i qeverisë. Në këto vende, legjitimiteti popullor nuk prodhon krizë, por përforcon ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve.
Andaj kërkesa për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit në Kosovë nuk duhet të mbetet vetëm temë debati kushtetues. Sepse, një kërkesë e tillë është edhe një nevojë sociologjike që do të rriste shkallën e legjitimitetit të institucioneve, por edhe do ta thyente dominimin e klaneve dhe grupeve partiake. Kjo qasje qytetarit të rëndomtë do t’i jepte ndjenjën se shteti nuk është e drejtë vetëm e subjekteve politike, por edhe e tij. Nëse duam një republikë që i beson vetes, presidenti duhet të zgjidhet jo në zyrat e partive, as nëpër korridore e skuta të errëta, por vetëm në kutitë e votimit, ashtu siç veprojnë shumica e demokracive stabile. Dhe në këtë drejtim, mendoj se duhet peshuar mirë arsyet pro et contra për secilin opsion. Në kuadër të kësaj analize, po përpiqem të ofroj arsye dhe argumente sociologjike.
Tani, për të qenë korrekt në këtë projeksion, të shohim cilat janë arsyet, përparësitë apo avantazhet e mënyrës së drejtpërdrejtë të përzgjedhjes së presidentit/es të Republikës së Kosovës.
Arsyeja e parë:
Afirmimi publik i legjitimitetit të drejtpërdrejtë demokratik, ku presidenti i votuar nga qytetarët me aplikativitet masiv ka shumë më shumë gjasa të gëzojë autoritet moral e politik. Ky autoritet, që do të promovohej përmes vullnetit politik qytetar, definitivisht do të pushonte apo do të ndërpriste çdo mundësi të përzgjedhjes së presidentit/es përmes “kanaleve” dhe pazareve klanore partiake e ideologjike.
Arsyeja e dytë:
Do të evidentohej një shkallë shumë më e lartë e përgjegjësisë së qytetarëve si potencial votues. Një president/e, i/e dalë nga vullneti qytetar, do t’i fuste në obligime jo vetëm morale, por edhe politike qytetarët. Partitë politike do të privoheshin definitivisht nga fuqia ndikuese mbi kandidatët potencialë për këtë post, me përgjegjësi dhe llogaridhënie të rritur.
Arsyeja e tretë:
Dukshëm do ta zvogëlonte patronazhin politik dhe, me këtë akt, edhe do ta shuante përvojën dhe kulturën e “shantazheve parlamentare” që shoqëruan çdo përzgjedhje të ish-presidentëve në Republikën e Kosovës, ku shansin e përzgjedhjes e patën edhe figura anonime.
Arsyeja e katërt:
Do të fillonte të forcohej në mënyrë automatike kohezioni social, bashkë me unitetin simbolik politik, ku presidenti i zgjedhur nga vota qytetare, me më shumë përgjegjësi dhe transparencë, do t’i ushtronte si kompetencat ashtu edhe vendimet e tij në raportet e brendshme (me subjektet politike) dhe ato të jashtme (me aleatët ndërkombëtarë).
Arsyeja e pestë:
Ka të bëjë me rritjen enorme të besimit qytetar në institucionet e dala nga një konkurrencë luajale. Traditat dhe përvojat demokratike kanë dëshmuar se, kur një qytetar i rëndomtë ndien se vota e tij është adresuar me saktësi për figurën më të lartë të shtetit, atëherë i forcohet besimi dhe bindja në demokraci dhe në përfshirjen aktive në jetën politike.
Arsyeja e gjashtë:
Qëndron te pavarësia shumë më e theksuar e presidentit/es nga qeveria dhe partitë, të cilat demokracinë tonë procedurale e kanë sjellë shumë herë buzë kolapsimit. Ilustrimi më i mirë ishin ngërçet dhe “odisejadat” e kota që sollën stagnime dhe kontestime, si në skenën lokale ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Arsyeja e shtatë:
Ka të bëjë me kolizionin evident me praktikat dhe përvojat demokratike evropiane, ku në shumicën e shteteve sistemi i përzgjedhjes në mënyrë të drejtpërdrejtë të figurës së presidentit ka arritur të sigurojë balanca shumë më të shëndetshme midis pushteteve, por edhe stabilitet e siguri shumë më të madhe sociale dhe ekonomike.
Argumentet / Arsyet KUNDËR zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit/es
Arsyeja e parë:
Rreziku nga polarizimi i skajshëm politik. Zgjedhjet presidenciale të drejtpërdrejta, në shoqëri me ndasi të thella partiake, sikurse është rasti me Kosovën, do të përforconin, stimulonin dhe “ushqenin” më tej ndarjen “ne – ata”, duke e kthyer garën presidenciale në luftë mes liderëve, e jo të ideve dhe programeve.
Arsyeja e dytë:
Rreziku nga vazhdimi i konfliktit rreth legjitimitetit mes Kuvendit dhe Qeverisë. Përvoja jonë ka dëshmuar se, në vend të llogaridhënies që qeveritë e dala nga zgjedhjet ishin të detyruara t’ia bënin Kuvendit, Kuvendi i jepte llogaridhënie Qeverisë. Një president/e i/e zgjedhur nga populli do të kishte legjitimitet të barabartë me atë të deputetëve, duke e bërë të vështirë balancimin e pushteteve dhe bashkëpunimin institucional.
Arsyeja e tretë:
Rreziku nga protagonizmi i kandidatëve potencialë në kulte karizmatike. Është dëshmuar se shoqëritë në tranzicion, që nuk kanë kulturë dhe përvojë të gjatë demokratike, janë shumë më të prira të “instalojnë liderë të përjetshëm” sesa shoqëritë me demokraci të konsoliduara. Një prirje e tillë, pa asnjë dyshim, do ta vinte në “shtratin e Prokrustit” si natyrën e pluralizmit, ashtu edhe “kodin” e demokracisë parlamentare.
Arsyeja e katërt:
Përqendrimi i tepërt i kapitalit simbolik dhe politik vetëm te një president/e, i/e cili/a, me mandat të gjerë popullor, do të mbante peshë më të madhe politike sesa Kushtetuta aktuale ia lejon, duke e shndërruar pozitën në instrument rival ndaj qeverisë.
Arsyeja e pestë:
Zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë do ta margjinalizonte, do ta zbehte dhe madje do ta dobësonte dukshëm rolin e Kuvendit si aulë përfaqësuese e sovranitetit të një shteti me pretendime dhe ambicie demokratike.
Arsyeja e gjashtë:
Rreziku nga instrumentalizimi etnik dhe fetar. Në një vend me përbërje të larmishme etnike, fushatat presidenciale mund të përdoren për mobilizim identitar, duke nxitur përçarje shoqërore në vend të bashkimit.
Arsyeja e shtatë:
Sistemi i tillë presidencial do të krijonte një përvojë të re kufizuese për qytetarët në demokracinë e konsoliduar. Demokracia e brishtë kosovare, përveçse ende vuan nga suficiti i sindromës së apatisë dhe varësisë nga liderët karizmatikë, vuan edhe nga mungesa e duhur e pjekurisë politike të elektoratit për ta zgjedhur drejtpërdrejt një figurë të këtyre dimensioneve.
P.S. Në një vend me institucione ende të brishta dhe kulturë politike në zhvillim, sikurse është Kosova, duket se zgjedhja e presidentit/es përmes një legjitimiteti qytetar, por pa fuqi presidenciale, do të ishte zgjidhja më ideale për nivelin aktual të emancipimit politik që ka shoqëria jonë.