Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZgjedhjet e 7 qershorit mund të kalojnë pa e shfrytëzuar një nga pak rastet, kur politika kosovare mund të detyrohej të fliste seriozisht për të ardhmen e vendit në arenën ndërkombëtare. Në vend të një debati përmbajtjesor mbi politikën e jashtme, partitë po e trajtojnë këtë fushë si sfond të fushatës, jo si bosht të shtetndërtimit. Kjo është një mangësi e madhe, sepse Kosova dhe rajoni po hyjnë në një periudhë ku rendi ndërkombëtar po ndryshon me ritëm të shpejtë dhe me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë, zhvillimin dhe subjektivitetin e saj.
Në një kohë kur angazhimi amerikan në Evropë nuk mund të merret më si i garantuar dhe kur Bashkimi Evropian vazhdon të shfaqë vështirësi për të vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri, Kosova nuk mund ta ndërtojë strategjinë e saj mbi supozime të vjetra. Një shtet i vogël që nuk i lexon drejt zhvillimet e kohës, rrezikon të mbetet peng i saj. Dhe një klasë politike që nuk e kupton këtë ndryshim, rrezikon ta lërë vendin pa busull për navigim në marrëdhëniet ndërkombëtare pikërisht atëherë kur busulla është më e nevojshme.
Pyetja që partitë po e shmangin është e thjeshtë, por vendimtare: çfarë politike të jashtme po i ofrojnë Kosovës dhe a kanë artikuluar qartë interesat e saj kombëtare që do të drejtojnë vendimet në politikën e jashtme? A e shohin ato këtë fushë si instrument shtetëror afatgjatë, apo vetëm si sfond për deklarata elektorale? A kanë ndonjë vizion për mënyrën se si Kosova duhet të mbrojë interesat e saj në një botë më komplekse dhe më pak të parashikueshme, apo mjaftohen me formulat e zakonshme për integrim euroatlantik dhe me thirrje për aleancën e përjetshme me SHBA-të, sikur ato vetvetiu t’i zgjidhin të gjitha sfidat me të cilat Kosova ballafaqohet në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Për një shtet të vogël si Kosova, politika e jashtme nuk mund të reduktohet në çështje ceremoniale e protokollare. Ajo është instrument sigurie, zhvillimi dhe mbijetese në arenën ndërkombëtare. Përmes saj përcaktohet nëse vendi mbetet subjekt me rol apo shndërrohet në hapësirë ku vendimet merren nga të tjerët për të dhe pa të. Nëse dikur ishte e mjaftueshme të mbështeteshim në miqësinë e aleatëve kryesorë dhe në një horizont të qartë euroatlantik, sot kjo logjikë duhet plotësuar me një lexim më të ftohtë të realitetit. Lufta në Ukrainë, rikthimi i imperializmit agresiv rus, veprimtaria destabilizuese e aktorëve malinjë në rajon dhe rritja e forcave politike skeptike ndaj zgjerimit në disa shtete perëndimore e kanë bërë mjedisin shumë më të paparashikueshëm për shtetet si Kosova.
Në këtë kontekst, si e matin partitë rrezikun strategjik që vjen nga ndryshimet në Uashington, Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane? A kanë ato një plan për një situatë ku mbështetja ndërkombëtare nuk është më automatike, por e kushtëzuar nga interesat gjithnjë më kundërthënëse të fuqive të mëdha? Dhe mbi të gjitha, si do ta mbrojnë Kosovën nëse rrethanat ndërkombëtare bëhen më pak të favorshme se sot? Këto nuk janë pyetje hipotetike. Janë pyetje që një qeveri e ardhshme do të mund të detyrohet t’u përgjigjet me vendime konkrete, jo me fraza të përgjithshme.
Që nga shpallja e pavarësisë, objektivat e politikës së jashtme të Kosovës kanë qenë të qarta: njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe një rrugë e sigurt drejt BE-së, NATO-s dhe, në perspektivë, OKB-së. Por arritja e këtyre synimeve është bërë më e vështirë për shkak të ndryshimeve në sistemin ndërkombëtar dhe për shkak të qasjes penguese të Serbisë dhe mbështetësve të saj, e cila vazhdon të sillet si faktor destabilizues në rajon. Kosova nuk mund ta trajtojë më këtë realitet si një pengesë të përkohshme; ai është bërë pjesë e strukturës së problemit.
Në këtë pikë, pyetjet për partitë duhet të jenë të drejtpërdrejta: cilat janë prioritetet reale për raportin me Serbinë? A e konsiderojnë ato dialogun e normalizimit si proces teknik të menaxhimit të krizës, apo si proces që duhet të mbërrijë domosdoshmërisht te njohja e ndërsjellë? A kanë ide të reja për ta ndryshuar kornizën e këtij raporti, apo do të vazhdojnë me të njëjtën logjikë të administrimit të pafund të status quo-së? Cila është formula e tyre politike për ta ndalur rolin destruktiv të Serbisë në rajon? Pa përgjigje të qarta për këto pyetje, çdo deklaratë për “dialogun” mbetet e boshe.
Prandaj, Kosova ka nevojë për një politikë të jashtme më dinamike, më të thellë dhe më pak të varur nga politika ditore e vendit. Nuk mjafton të përsëriten formulat e zakonshme për integrim euroatlantik. Duhet të ndërtohen marrëdhënie bilaterale të qëndrueshme me shtete që kanë peshë reale në rendin euroatlantik dhe në rajon. Po ashtu, duhet përforcuar instrumentet e veprimit shtetëror, që nga zgjerimi i rrjetit diplomatik e deri te profesionalizimi dhe rritja e kapaciteteve në shërbimin diplomatik. Një politikë e jashtme serioze nuk mbahet vetëm me vullnet politik; ajo kërkon njerëz, ekspertizë, vazhdimësi dhe disiplinë institucionale.
Në politikën e jashtme të një shteti të vogël, nuk mjafton të kesh miq; duhet të kesh partnerë që të japin hapësirë, mbrojtje dhe ndikim. Në këtë drejtim, vendet baltike, nordike dhe ato të Evropës Qendrore, si Polonia, janë partnerë të rëndësishëm për shkak të qëndrimeve të tyre parimore ndaj Rusisë dhe ndaj politikave të saj destabilizuese në Evropë përfshirë në Ballkan. Po ashtu, Kosova duhet të thellojë bashkëpunimin multidimensional me Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kroacinë, Italinë, Greqinë dhe Hungarinë, si shtete anëtare të NATO-s që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin e Ballkanit. Kjo nuk është çështje protokolli. Është ndërtim i kapitalit diplomatik në një kohë kur çdo votë, çdo njohje dhe çdo mbështetje ka peshë strategjike.
Por edhe këtu mbetet pyetja që partitë nuk po e përgjigjen: cilat nga këto partneritete i kanë ato të renditura si prioritare dhe pse? A e dinë se me cilat shtete Kosova mund të fitojë më shumë ndikim, më shumë siguri dhe më shumë hapësirë manovrimi? Apo politika e jashtme do të vazhdojë të ndërtohet me vizita sporadike, deklarata formale dhe fotografi protokollare, sikur diplomacia të ishte punë imazhi dhe jo interes kombëtar?
Veçanërisht i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë. Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri duhet të dalin përfundimisht nga niveli i afërsisë simbolike dhe të hyjnë në fazën e bashkërendimit strategjik në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes dhe sigurisë. Në një ambient rajonal të paqëndrueshëm, koordinimi i ngushtë mes dy shteteve simotra nuk është luks politik, por nevojë shtetërore. Nëse Tirana dhe Prishtina nuk ecin me më shumë koordinim në botën e jashtme, atëherë secila mbetet më e dobët sesa mund të ishte.
A kanë partitë një platformë të qartë për këtë bashkërendim? A do ta trajtojnë Shqipërinë me të vërtetë si partner strategjik në nivel shtetëror, apo vetëm si referencë emocionale në fjalime politike e patriotike? Çfarë marrëveshjesh konkrete synojnë në diplomaci, mbrojtje, ekonomi dhe siguri? Në mungesë të këtyre përgjigjeve, edhe lidhja më e natyrshme mbetet e papërkthyer në fuqi reale.
Kosova duhet po ashtu të ruajë dhe të thellojë marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit që kanë rëndësi të veçantë për stabilitetin e saj: Kroacinë, Turqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Paralelisht, duhet të punohet me më shumë seriozitet për avancimin e marrëdhënieve formale me Greqinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Këto nuk janë çështje dytësore. Janë pjesë e arkitekturës së interesit të Kosovës në rajon dhe pjesë e mënyrës se si vendi e forcon pozitën e vet përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme që burojnë kryesisht nga Beogradi.
Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor i politikës së Kosovës: partitë nuk kanë artikuluar qartë se cilat janë prioritetet e tyre, cilat partneritete do t’i trajtojnë si strategjike dhe çfarë modeli marrëdhëniesh do të ndjekin nëse marrin përgjegjësinë e qeverisjes. Disa figura politike e institucionale kanë devalvuar këtë artikulim deri në pikën ku çdo shtet është referuar si “aleat i palëkundur” i Kosovës, por në të vërtetë përtej retorikës nuk ka pasur veprime konkrete për thellim të marrëdhënieve bilaterale. Cila parti mund të thotë sot me qartësi se çfarë do të bëjë në 12 muajt e parë të qeverisjes në politikën e jashtme, përtej realizimit të vizitave protokollare? Cila prej tyre ka plan për të ndërtuar vazhdimësi diplomatike dhe jo vetëm reagim ndaj krizave?
Kosova ka vuajtur gjatë nga një politikë e jashtme e personalizuar, ku marrëdhëniet ndërkombëtare shpesh janë përdorur për qëllime të brendshme politike dhe jo për ndërtimin e trashëgimisë e memories institucionale të shtetit. Ky ka qenë dhe mbetet një dështim strategjik me pasoja afatgjata, së bashku me periudhat e mungesës së bashkërendimit institucional në trekëndëshin Presidencë – Kryeministri – Ministri e Punëve të Jashtme. Shteti që nuk ndërton vazhdimësi në diplomaci, humb besueshmëri; e pa të nuk ka ndikim. Ndërsa pa ndikim nuk ka as mbrojtje të interesit kombëtar.
Në këtë kuptim, politika e jashtme e Kosovës duhet të mbështetet mbi disa parime të qarta: siguri, diversifikim të partnerëve, bashkëveprim me aleatët, thellim të lidhjeve rajonale dhe ndërtim të reputacionit si partner i besueshëm. Një shtet i vogël e fiton peshën e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare me qasje serioze, të parashikueshme dhe me aftësi për të ruajtur besimin e partnerëve. Nëse Kosova do të jetë e respektuar, duhet të sillet si e tillë: me qartësi, me disiplinë dhe me objektiva të matshme.
A janë partitë politike të gatshme ta pranojnë këtë realitet? Apo do të vazhdojnë ta trajtojnë politikën e jashtme si pjesë dytësore të programit, të rezervuar për deklarata boshe dhe takime protokollare? A kanë ato guximin të thonë cilat janë kufijtë e tyre, cilat aleanca i konsiderojnë jetike dhe cilat gabime nuk duhet të përsëriten më? Këto janë pyetje që nuk mund të mbeten jashtë fushatës, sepse votuesit duhet ta dinë se çfarë janë duke mbështetur kur votojnë një parti të caktuar.
Kosova nuk mund të lejojë që politika e jashtme të mbetet peng i improvizimit, i sloganeve dhe i përdorimit të saj për konsum të brendshëm. Në një kohë pasigurie ndërkombëtare, ajo ka nevojë për diplomaci që mendon afatgjatë, vepron me disiplinë dhe ndërton aleanca që i shërbejnë shtetit, jo interesit të momentit apo personal të bartësve të kohës të institucioneve. Pyetja nuk është vetëm nëse partitë kanë retorikë për politikën e jashtme. Pyetja është nëse kanë një politikë të jashtme të vërtetë.