Më shumë se gjysma e grave në Kosovë – 54 për qind – vazhdojnë të përjetojnë dhunë psikologjike, fizike ose seksuale, shpesh nga ata që i konsiderojnë si më afërmit. Këto shifra, të nxjerra nga Anketa e OSBE-së për Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave, nuk janë thjesht të dhëna abstrakte. Ato pasqyrojnë frikë të përditshme dhe besim të cenuar, si brenda familjes ashtu edhe në hapësira publike që do të duhej të ofronin siguri. Çdo incident dhune minon besimin në drejtësi, institucione dhe në premtimin e paqes në përgjithësi.
Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, duhet lëvizur përtej miratimit të ligjeve të mira; kjo gjë kërkon guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim të përbashkët e të vazhdueshëm për t’i shndërruar parimet në vepra dhe masa mbrojtëse. Për më shumë se dy dekada – dhe me intensitet të shtuar që nga viti 2019 – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar krah për krah me institucionet, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar themelet ligjore dhe institucionale që nevojiten për ta kthyer barazinë nga një aspiratë kushtetuese në realitet të jetuar.
Nga angazhimi tek ndryshimi kushtetues
Vendimi i Kosovës në vitin 2020 për ta përfshirë Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës në Kushtetutë ishte një moment historik për të drejtat e grave. Ky hap reflektoi një përpjekje afatgjatë dhe të vendosur për të adresuar fillimisht dhunën në familje dhe më pas për të zgjeruar kuadrin drejt mbulimit të gjithë spektrit të dhunës ndaj grave.
Misioni i OSBE-së pati privilegjin ta mbështeste këtë proces që nga fillimi. Ne lehtësuam dialogun brenda Grupit të Grave Deputete në Kuvend dhe ofruam ekspertizë ligjore dhe politike enkas për të siguruar që kuadri i Kosovës të harmonizohet me standardet ndërkombëtare. Miratimi i Konventës me 93 vota – përfshirë mbështetje të fortë nga komunitete të ndryshme – tregoi se Kosova ishte e gatshme të përballej me dhunën me bazë gjinore në mënyrë sistematike dhe strukturore.
Për të forcuar reagimin në sektorin e drejtësisë, sigurisë dhe atij social, Misioni i OSBE-së në Kosovë paraqiti në vitin 2021 një plan të detajuar legjislativ përpara Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut dhe Barazi Gjinore. Ne ishim aktivë në dëgjimet publike, kontribuuam në Strategjinë e Kosovës kundër Dhunës ndaj Grave dhe punuam për ta mbajtur çështjen lart në agjendën publike, edhe kur u shfaqën prioritete të tjera politike.
Ne ndihmuam edhe ndërlidhjen dhe komunikimin e ligjvënësve të Kosovës me kolegë rajonalë, përfshirë deputetë nga Maqedonia e Veriut, përvoja e të cilëve tregoi se solidariteti dhe bashkëpunimi rajonal mund të përshpejtojnë ndryshimin. Adresimi i dhunës me bazë gjinore nuk është sfidë e izoluar – është përgjegjësi e përbashkët në gjithë rajonin dhe më gjerë.
Po aq i rëndësishëm është edhe fakti që procesi i hartimit përfshiu vendimmarrje me pjesëmarrje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Së bashku me organizatat e grave, komunitetet jo-shumicë, gratë me aftësi të kufizuara dhe grupet e tjera të ndjeshme, bashkorganizuam forume dhe punëtori që ndikuan drejtpërdrejt në dispozitat e Ligjit. Kontributet e tyre siguruan jo vetëm përmbajtje më të fuqishme, por edhe legjitimitet dhe pronësi më të madhe.
Nga avokimi në ligj të fortë
Miratimi i Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore më 21 shtator 2023 është një arritje kolektive për Kosovën. Ky Ligj i obligon institucionet të reagojnë, adresojnë dhe ndjekin penalisht të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, duke zgjeruar shërbimet për viktimat dhe duke krijuar programe të strukturuara për dhunuesit.
E megjithatë, vetëm ligji nuk i ndryshon jetët – zbatimi i tij e bën këtë.
Pas ndihmës tonë teknike gjatë fazës së hartimit, përfshirë analizat krahasuese ligjore dhe vlerësimet e përputhjes me Konventën e Stambollit, Misioni i OSBE-së tani po ndihmon institucionet ta zbatojnë Ligjin në praktikë. Në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë, ne mbështetëm vendosjen e standardeve minimale për funksionimin e Mekanizmave Komunalë të Koordinimit kundër Dhunës në Familje – tashmë një detyrim ligjor – dhe hartuam udhëzime për performancën e tyre efektive, për të forcuar veprimin në mbrojtje të të mbijetuarave në nivel komunal.
Së bashku, ne po lëvizim para edhe në krijimin e linjës së parë SOS në Kosovë, po mbështesim themelimin e Sekretariatit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe po hartojmë programe për ngritje të kapaciteteve për policinë, prokurorët, profesionistët e shëndetësisë dhe punëtorët socialë. Raporti i monitorimit të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje i vitit 2024 i Misionit tonë ofron një pasqyrë të detajuar dhe të bazuar në prova për mënyrën si realizohet drejtësia – një mjet llogaridhënieje për institucionet dhe një zë për të mbijetuarat që shpesh mbeten të pa dëgjuara.
Ndryshimi para nesh: Nga angazhimi te mbrojtja e përditshme
Shumë është arritur, por sfida e vërtetë qëndron para nesh: të sigurohet që çdo dispozitë e Ligjit të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme, në çdo komunë, çdo ditë. Dhuna ndaj grave nuk mund të jetë temë që ngritet vetëm gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit – ajo duhet të mbetet prioritet institucional dhe shoqëror gjatë gjithë vitit. Duhet të jetë angazhim i të gjithë Kosovës.
Institucionet, komunitetet dhe individët kanë role të rëndësishme. Për t’i dhënë fund dhunës kërkohet që të sfidohen pabarazitë e rrënjosura gjinore si dhe garanci se të rinjtë do të rriten me modele respekti, barazie dhe besimi. Për këtë nevojitet zero tolerancë ndaj normalizimit të dhunës në çdo formë, qoftë në sferën private apo publike.
Unë kam besim se Kosova ka lidershipin, ekspertizën dhe vendosmërinë për të përballuar këtë sfidë. Misioni i OSBE-së do të mbetet partner i përkushtuar, duke punuar krah institucioneve dhe shoqërisë civile për t’i shndërruar zotimet ligjore në mbrojtje të vërtetë dhe afatgjatë.
Pas vite të tëra përpjekjesh kolektive, një gjë është e qartë: t’i japësh fund dhunës ndaj grave kërkon ligje të forta, po – por kërkon edhe vullnet politik të qëndrueshëm, llogaridhënie institucionale dhe partneritet të sinqertë.
Premtimi demokratik i Kosovës duhet matur jo vetëm me reforma dhe strategji, por me sigurinë dhe dinjitetin e çdo gruaje dhe vajze. Sepse për sa kohë që edhe një grua e vetme në Kosovë jeton në frikë, paqja dhe siguria e saj – paqja dhe siguria juaj – mbeten të paplota. Nga fjalët në vepra. Nga veprat në siguri.
Dinjitet për gratë = përparim dhe siguri për Kosovën.
(Autori është shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë)