Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Në kohë furtunash, Kosova nuk mund të eksperimentojë me presidentin

I.

Ndërkohë që bota lëviz me një shpejtësi që shpesh e kapërcen logjikën e vet, shtetet e vogla si Kosova, nuk e kanë as mundësinë minimale për gabime institucionale. Ukraina hyri në vitin e pestë në luftën e saj për mbijetesë. Gjermania, dikur e bindur se epoka e armatimit ishte mbyllur përgjithmonë, sot po e rihap atë kapitull pa asnjë hezitim. Në SHBA, Trumpi e ka kthyer politikën e jashtme në një bilanc të ftohtë interesash, ku gjithçka matet dhe gjithçka tjetër negociohet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian, dikur boshti orientues i Ballkanit, po lufton me lodhjen e brendshme dhe me rënien nga rendi global. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky është rend i ri ndërkombëtar dhe e them me bindje se kërkon të lexohet me kthjelltësi, pa iluzione dhe pa humbur kohë. Kosova ndodhet pikërisht brenda këtij rendi me çështje që janë njëkohësisht aktive dhe të pazgjidhura. Së fundi u bëmë anëtarë themelues në Bordin e Paqes, me angazhime operative që kërkojnë vëmendje të përditshme. Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po hyn në fazën e tij përfundimtare dhe me të vjen barra politike, institucionale dhe morale që nuk matet me aktgjykim, por me efektet afatgjata mbi shtetin. Dialogu me Serbinë po ndryshon format ndërkohë që SHBA-ja ka rritur praninë e saj direkte në proces dhe BE-ja ka humbur autoritetin që e mbante atë proces funksional. Integrimi evropian vazhdon pa dinamikë të re dhe pa afate të besueshme. 
E them me shumë qartësi se të gjitha këto procese janë aktive njëkohësisht dhe secili prej tyre kërkon figurë presidenciale me peshë të vet, jo figurë simbolike që e mëson detyrën duke e ushtruar.
Nuk e shkruaj këtë si koment mbi emrat që qarkullojnë dhe as si ushtrim mbi ekuilibrat partiakë të momentit. E shkruaj si dikush që e ka ndjekur situatën ndërkombëtare me vëmendje dhe ka arritur në një përfundim të thjeshtë se profili presidencial që Kosova ka nevojë tani nuk mund të dalë nga kompromisi i minutës së fundit, sepse ai kompromis ka synime krejt të tjera. Sepse sfida ndërkombëtare nuk presin që presidenti i ri t’i mësojë emrat e diplomatëve të huaj. Kosova ka nevojë për dikë që politikën ndërkombëtare e njeh nga brenda prej vitesh dhe që ditën e parë ulet si bashkëbisedues me peshë, jo si emërim i ri që duhet prezantuar.

II.

Presidenti i Kosovës, sipas Kushtetutës, ka kompetenca të kufizuara, por ka një hapësirë ndërkombëtare që nuk e ka asnjë institucion tjetër. Ai përfaqëson shtetin si subjekt më të gjerë se qeveria e radhës dhe kjo dallimësi kuptohet menjëherë nga diplomatë ndërkombëtarë, të cilët e përdorin si kanal më vete. Presidenti me rrjet të vet, kredibilitet të vet dhe peshë personale të vet i hap shtetit kanale që kryeministri nuk mund t'i zëvendësojë. Presidenti, pa këto tri gjëra, i mbyll ato kanale pikërisht kur na duhen më së shumti.

Roli i presidentit sot është kryesisht ndërkombëtar, jo sepse Kushtetuta e parashikon kështu, por sepse situata e imponon. Bordi i Paqes do të kërkojë vendimmarrje të shpejtë dhe do t’i drejtohet pikërisht figurës së presidentit si zë i shtetit. Dialogu me Serbinë, nëse zhvendoset drejt formatit amerikan, ka nevojë për një figurë që gëzon besim personal të ndërtuar me partnerët kyç. 
Presidenti i ri pa profil ndërkombëtar do ta fillojë mandatin nga zeroja dhe do t'i duhen muaj, ndoshta vite, para se të jetë bashkëbisedues që merret seriozisht nga partnerët kyç. Kjo është e kuptueshme si proces, por nuk është e pranueshme si zgjidhje kur kërkesat operative janë tashmë aktive. Muajt e ndërtimit të atij rrjeti janë muaj gjatë të cilëve Bordi i Paqes prodhon detyrime, dialogu me Serbinë pret qëndrime dhe gjyqi i Hagës kërkon komunikim institucional të besueshëm. E them me shumë qartësi se ky boshllëk i fillesës nuk është çmim që e paguan presidenti i ri, por e paguan Kosova.

III.

Serbia ofron mësimin më të qartë mbi vlerën strategjike të kontinuitetit, dhe e them këtë me njëfarë hidhërimi, sepse ne ende nuk e kemi mësuar. Vuçiqi ka mbajtur rolin e figurës kryesore ndërkombëtare të Serbisë me vite të gjata, duke ndërtuar njohje personale me liderë të ndryshëm dhe duke grumbulluar hapësirë negociuese me çdo takim. Rezultati është i dukshëm dhe i dokumentuar. Serbia ka liri lëvizjeje shumë më të gjerë sesa pozita dhe madhësia e saj që do ta sugjeronin. Kjo liri nuk vjen nga forca ushtarake ose ekonomike. Vjen nga kontinuiteti i figurës me peshë dhe nga besimi i akumuluar me bashkëbiseduesit kyç ndërkombëtarë. 

Nëse Kosova zgjidh tani president me figurë pa profil ndërkombëtar, e dobëson veten pikërisht kur kundërshtari ka lëvizur me kujdes dhe me vazhdimësi prej vitesh. Sigurisht, mund të gaboj. Por historia e këtij procesi nuk ofron shumë argumente për optimizëm.

Ka një paradoks këtu që pak e trajtojnë. Kritikat ndaj presidencave të kaluara kosovare, që kanë qenë shumë afër linjës qeveritare dhe jo mjaftueshëm figura të pavarura, janë të drejta dhe nuk i hedh poshtë, sepse i kam shprehur edhe vetë. Por argumenti për ndryshim figure si zgjidhje e atij problemi e injoron gjysmën e analizës. Presidenti me vullnet për distancim nga ekzekutivi ka nevojë edhe për hapësirë institucionale dhe kulturë politike që e lejon atë distancim, dhe kjo është diçka që shpesh harrohet kur diskutohet pavarësia presidenciale. Problemi i varësisë presidenciale nga partia qeverisëse nuk zgjidhet me ndryshim figure nëse kultura institucionale mbetet e njëjtë. Zgjidhet me ndryshim qasje, dhe ky ndryshim mund të bëhet edhe brenda vazhdimësisë.

IV.

Profili presidencial që Kosova sot ka më së shumti nevojë është i definueshëm dhe i testuar, dhe e them këtë jo si dëshirë abstrakte, por si vlerësim i bazuar mbi atë çfarë kanë nevojë shtetet e vogla me çështje aktive ndërkombëtare. Momenti kërkon njohje personale të dokumentuar me bashkëbiseduesit kyç ndërkombëtarë, njohje që ndërtohet me vite pune dhe pranie, jo me emërim. 
Koha është e qartë mbi çfarë do. Kërkon prani të vërtetuar pranë proceseve shtetërore kryesore, qoftë si diplomat, si drejtues institucional ose si figurë e shoqërisë civile me rrjet real ndërkombëtar. Bashkëbiseduesit ndërkombëtarë e dallojnë shumë shpejt kur figura presidenciale është produkt i ekuilibrave partiakë dhe jo rezultat i karrierës. Dhe kur e dallojnë, e trajtojnë në përputhje me atë çfarë shohin.

Kosova ka personalitete me profilet e nevojshme dhe e them me bindje të plotë. Ka ish-diplomatë dhe diplomatë aktivë me eksperiencë të gjatë ndërkombëtare. Ka ish-drejtues institucionalë me prezencë të dokumentuar në proceset evropiane dhe amerikane. Ka figura nga sektori civil me rrjete reale ndërkombëtare. Pra deficiti nuk është i ofertës. Është deficit i procesit, sepse procesi aktual i zgjedhjes presidenciale nuk e prodhon profilin, por e prodhon ekuilibrin partiak të momentit.  
Dhe e kuptoj pse dikush mund të mendojë ndryshe. Procesi partiak ka logjikën e vet dhe nuk është gjithmonë i gabuar. Por kur sfidat janë të kësaj natyre dhe të kësaj shpejtësie, logjika partiake dhe logjika shtetërore nuk duhet të prodhojnë të njëjtin rezultat.

(Autori është hulumtues i pavarur, i specializuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare)