Deri më tani nuk ekziston një strukturë e unifikuar dhe e organizuar opozitare brenda Iranit që do të ishte në gjendje të merrte pushtetin në rast të një kolapsi të regjimit. Fragmentimi i opozitës dhe mungesa e koordinimit mbeten ndër sfidat kryesore për çdo ndryshim të mundshëm politik nga brenda.
Irani ka një histori të gjatë protestash, përplasjesh të thella shoqërore dhe ndasish politike. Për këtë arsye, për të kuptuar zhvillimet e fundit ushtarake dhe përshkallëzimin e konfliktit, është e rëndësishme të analizohet edhe dinamika e brendshme politike në Iran dhe shkalla e stabilitetit të regjimit.
Protestat e fundit, të nisura në dhjetor të vitit 2025 dhe të vazhduara gjatë vitit 2026, u nxitën kryesisht nga kriza ekonomike dhe represioni politik i regjimit teokratik. Veçanërisht studentët, edhe shtresa tradicionale e tregtarëve të “bazarit” kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kundërshtimin e këtij regjimi, ashtu si në protestat masive kundër Shahut para revolucionit të vitit 1979. Megjithatë, dallimet brenda radhëve të protestuesve mbeten ende shumë të mëdha, sidomos nga aspekti ekonomik dhe social.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSiç argumenton Misagh Parsa në analizën e tij mbi Revolucionin Islamik të vitit 1979, dallimet ideologjike dhe grupet e ndryshme protestuese luajtën një rol kyç në rrëzimin e regjimit të Shahut, veçanërisht roli i “bazarit”. Edhe në protestat para revolucionit të vitit 1979 kishte mungesë të unifikimit midis protestuesve. Në atë kohë, Ruhollah Homeini nuk erdhi në pushtet si figurë unifikuese e kërkesave të protestuesve, por si një lider që arriti të mobilizonte dhe instrumentalizonte kërkesa të ndryshme për të konsoliduar pushtetin. Pas marrjes së pushtetit, ai filloi eliminimin gradual të grupeve dhe individëve që kishin qenë pjesë e lëvizjes revolucionare.
Edhe pse të rinjtë në Iran shpesh paraqiten si një pjesë e revoltuar kundër regjimit teokratik, sipas Tim Marshall ekziston ende një segment i konsiderueshëm i popullsisë, përfshirë edhe të rinj, që e mbështet regjimin. Kjo ndihmon të kuptohet pse, pavarësisht perceptimit mediatik se shumica e të rinjve janë kundër regjimit, ai vazhdon të qëndrojë në pushtet.
Një faktor kyç është roli i Gardës Revolucionare, e krijuar pas revolucionit të vitit 1979, e cila ka ndërtuar mekanizma të fuqishëm kontrolli politik, ekonomik dhe ushtarak. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për monopolin e dhunës që mban regjimi, por edhe për aspektin ideologjik që e mban atë në pushtet. Mirëmbajtja e regjimit nuk bëhet vetëm përmes forcës, por edhe përmes aparateve ideologjike si media, sistemi arsimor, institucionet fetare dhe ato kulturore. Louis Althusser i përshkruan këto si “aparatet ideologjike të shtetit”, përmes të cilave ideologjia internalizohet nga qytetarët. Në këtë kuadër, islami shiit paraqitet si manifestim i planit hyjnor, ndërsa veprimet politike legjitimohen si pjesë e vullnetit të Zotit.
Politika e jashtme, strategjia rajonale dhe roli i Kinës
Irani është një shtet i rëndësishëm në Gjirin Persik, si për nga pasuria me resurse të naftës dhe gazit, ashtu edhe për shkak të shtrirjes së tij gjeografike dhe potencialit për zhvillimin e armëve bërthamore, të cilat mund të ndryshojnë tërësisht dinamikat e sigurisë në Lindjen e Mesme. Për më tepër, Irani ka rritur ndikimin e tij në vendet e Gjirit Persik duke mbështetur komunitete dhe grupe shiite në vende arabe si Arabia Saudite, Libani dhe Jemeni. Ai përkrah organizata si Hezbollah dhe lëvizjen Houthi, të cilat janë bërë pjesë e strategjisë së tij për zgjerimin e ndikimit rajonal.
Irani renditet ndër vendet me rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit natyror në botë. Megjithatë, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, ai nuk ka arritur ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e tij energjetik. Kina është shndërruar në partnerin kryesor ekonomik të Iranit, veçanërisht në importin e naftës, rol që në një masë e luan edhe Rusia. Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane, shpesh me çmime të zbritura dhe përmes mekanizmave alternativë të pagesës për të shmangur sanksionet amerikane.
Megjithëse Irani ka krijuar një varësi të konsiderueshme ekonomike ndaj Kinës, Pekini ka diversifikuar marrëdhëniet e tij me shtetet e Gjirit, ku interesat energjetike janë edhe më të mëdha. Për Kinën, Irani nuk është vetëm një furnizues energjie, por edhe një element i rëndësishëm në arkitekturën e saj më të gjerë gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe në korridoret tregtare që lidhin Azinë me Evropën.
Vlerësohet se një Iran i pajisur me armë bërthamore do të rrezikonte destabilizimin e rajonit dhe do të cenonte interesat tregtare kineze; për këtë arsye, ambicia e Iranit për të zotëruar armë bërthamore paraqitet si një kërcënim edhe për Kinën. Në këtë kuptim, situata aktuale në Gjirin Persik mund t’iu shërbejë në një masë të caktuar interesave afatgjata të Kinës. Nëse nuk ndodh një ndryshim regjimi që do ta afronte Teheranin me Shtetet e Bashkuara, por përkundrazi mbetet një regjim i dobësuar, atëherë varësia e Iranit nga Pekini mund të rritet edhe më shumë. Një zhvillim i tillë mund të përputhet me interesat afatgjata të Kinës dhe me strategjinë e saj të gjerë globale.
Kjo strategji e madhe e Kinës, e artikuluar nga Deng Xiaoping pas rënies së bllokut sovjetik, konsiderohet shpesh si një udhëzues i rëndësishëm i politikës së jashtme kineze. Rush Doshi e përkufizon strategjinë e madhe si një koncept të integruar sigurie që përfshin dimensionet ushtarake, ekonomike dhe politike për arritjen e objektivave afatgjata. Kjo qasje nënkupton shmangien e përballjes direkte, ndërtimin gradual të fuqisë së brendshme dhe veprimin në momentin strategjik më të përshtatshëm.
Zgjerimi i luftës në Iran dhe ndikimi global
Sulmet e përbashkëta amerikane dhe izraelite ndaj Iranit kanë shënjestruar infrastrukturën bërthamore, objektiva ushtarake dhe struktura të regjimit në Teheran. Si pasojë e këtyre sulmeve, është raportuar se lideri suprem Ali Homeini është vrarë.
Në kuadër të kundërpërgjigjes, Irani ka sulmuar objektiva në shtetet e Gjirit dhe ka aktivizuar aleatët e tij rajonalë, përfshirë Hezbollahun dhe lëvizjen Houthi. Zgjerimi i konfliktit në Gjirin Persik ka pasoja të mëdha jo vetëm për rajonin, por edhe në nivel global, duke ndikuar në tregjet energjetike, sigurinë ndërkombëtare dhe stabilitetin evropian.
Pavarësisht faktit se në fillim të konfliktit liderët evropianë deklaruan publikisht se nuk do të përfshiheshin në të, megjithatë kanë filluar të vërehen zhvillime të tjera. Mbretëria e Bashkuar, pas sulmeve iraniane ndaj një baze ushtarake në Qipro, ka pranuar kërkesën e SHBA-së për përdorimin e bazave britanike për sulme mbrojtëse ndaj objektivave raketore iraniane. Franca i është bashkuar Mbretërisë së Bashkuar duke dislokuar anije luftarake dhe helikopterë në Qipro. Sulmet hakmarrëse të Iranit mund të përfshijnë edhe më shumë shtete në këtë konflikt, jo vetëm në rol mbrojtës, por edhe në rol ofensiv ndaj Iranit.
Për më tepër, zgjerimi i konfliktit mund të prodhojë efekte zinxhir, duke përfshirë rritjen e migracionit, destabilizim rajonal dhe përfshirje më të gjerë të fuqive ndërkombëtare.
Çfarë mund të ndryshojë nga brenda dhe kush mund ta zëvendësojë regjimin?
Një pyetje thelbësore lidhet me situatën e brendshme në Iran dhe me rezultatin që protestat mund të sjellin. Megjithëse ekzistojnë zëra të ndryshëm brenda protestuesve, ende nuk ka një opozitë të konsoliduar që mund ta zëvendësojë Republikën Islamike.
Një nga emrat që përmendet shpesh është Reza Pahlavi, djali i ish-Shahut, i cili jeton në ekzil. Ai ka shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e një procesi tranzicioni, me qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe një rend të ri politik në Iran.
Megjithatë, deklaratat e tij shpesh perceptohen si jorealiste, ndërsa një proces real i rrëzimit të regjimit nuk duket i afërt. Kjo ndodh sepse Republika Islamike vazhdon të ruajë një pozicion relativisht të unifikuar brenda strukturave të pushtetit, sidomos në aparatin e sigurisë. Deri më tani nuk ka pasur ndarje serioze brenda establishmentit të sigurisë, i cili mban ende monopolin e përdorimit të forcës.
Pa dyshim ekzistojnë zëra opozitarë, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, që përpiqen të organizohen për një alternativë politike. Përtej figurës së Reza Pahlavit, ka shumë aktivistë brenda Iranit që janë burgosur dhe kanë luftuar kundër regjimit, duke ndërtuar një bazë morale dhe simbolike të rezistencës. Këta individë përbëjnë një potencial të rëndësishëm opozitar brenda vendit.
Megjithatë, deri më tani nuk ekziston një strukturë e unifikuar dhe e organizuar opozitare brenda Iranit që do të ishte në gjendje të merrte pushtetin në rast të një kolapsi të regjimit. Fragmentimi i opozitës dhe mungesa e koordinimit mbeten ndër sfidat kryesore për çdo ndryshim të mundshëm politik nga brenda.
Autorja është hulumtuese e lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe ka doktoruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Ankarasë.