Opinion

Limitet e ndërmjetësimit të BE-së dhe udhëkryqi në të cilin gjendet dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë–Serbi është në një pikë kritike. Zbatimi i pabarabartë i marrëveshjeve, ngecjet kronike në procesin negociator dhe perspektiva e iniciativave të udhëhequra nga SHBA-ja do ta testojnë kredibilitetin e BE-së

Për më shumë se një dekadë, Kosovës i është kërkuar të trajtojë vetëpërmbajtjen si strategji dhe durimin si virtyt. Megjithatë, rezultatet konkrete të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, tregojnë një realitet tjetër. Kosova mbetet jashtë organizatave ndërkombëtare kyç, u është nënshtruar sanksioneve politike e financiare dhe i kërkohet herë pas here ta shtensionojë situatën pa parë hapa të ndërsjellë nga Serbia. Me Brukselin që synon të përgatisë një takim të ri të nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë gjatë këtij viti, pyetja kryesore për Kosovën nuk është më nëse dialogu është i nevojshëm, por nëse formati aktual mund të sjellë rezultate kundruall kostove që i bart. Zbatimi i pabarabartë, marrëveshjet e ngecura dhe iniciativa potenciale e udhëhequr nga SHBA-ja vendosin dialogun dhe kredibilitetin e BE-së në pikëpyetje.

Ky nuk është një argument kundër dialogut. Është argument për kredibilitetin e procesit negociator. Problemi kryesor qëndron në erozionin gradual të mekanizmit që kishte për qëllim ta bënte dialogun efektiv: kushtëzimin e anëtarësimit në BE - mekanizmit që duhet ta bënte dialogun efektiv. Pa trajtim të barabartë, zbatim të besueshëm dhe pasoja të parashikueshme, procesi i normalizimit është transformuar nga një rrugë drejt zgjidhjes, në një sistem vonesash të menaxhuara. Derisa numri i marrëveshjeve po rritet, zbatimi nuk po ndodh. Rreziku politik absorbohet në mënyrë të pabarabartë nga palët dhe ambiguiteti strategjik bëhet një zgjedhje racionale.

Për të kuptuar pse procesi vazhdon të ngecë, është e nevojshme të qartësohet se çfarë do të thotë “normalizimi” në praktikë dhe pse kuptimi i tij ndryshon mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Tri kuptime të normalizimit dhe një pabarazi strukturore

Për Kosovën, normalizimi gjithmonë ka nënkuptuar njohje reciproke dhe trajtim të barabartë në substancë, jo vetëm në gjuhë. Në terma praktikë, kjo nënkupton obligime reciproke, sekuencë të drejtë të angazhimeve dhe simetri në pasoja. Kosova ka zbatuar në vazhdimësi marrëveshje që mbartnin kosto të menjëhershme politike dhe të brendshme, shpesh përpara hapave të Serbisë, me mirëbesimin se progresi në procesin e normalizimit do të çonte drejt integrimit ndërkombëtar dhe do të përshpejtonte rrugën e saj drejt Evropës. Kur këto rezultate nuk arrihen, procesi i normalizimit ndalon së qeni urë drejt arritjes së atyre qëllimeve dhe bëhet një dhomë pritjeje.
Për Serbinë, procesi i normalizimit u ka shërbyer qëllimeve të tjera. Ai është trajtuar si një mjet për akomodim funksional, jo arritje e një marrëveshjeje të detyrueshme që prodhon pasoja ligjore. Serbia ishte bashkëpunuese deri në masën që i siguron përfitimet ekonomike nga BE-ja dhe rritje të ndikimit në rajon, ndërsa ajo që përkufizon si “çështja e statusit të pazgjidhur të Kosovës” shtyhet në mënyrë të pafund. Kjo qasje i ka mundësuar Serbisë të nxjerrë përfitime nga procesi, duke ruajtur ambiguitetin strategjik mbi sovranitetin e Kosovës.

Për Bashkimin Evropian, megjithatë, procesi i normalizimit nuk është as simbolik dhe as opsional. Ai është kusht ligjor dhe institucional i ngulitur në kuadrin e procesit të zgjerimit.

Normalizimi në logjikën ligjore të BE-së: përmbyllje e konfliktit pa fjalën “njohje”

Nga perspektiva e BE-së, konflikti Kosovë-Serbi përfaqëson një pengesë strukturore për procesin e zgjerimit. Për të, pavarësia e Kosovës ekziston në një hapësirë ligjërisht hibride: e njohur nga shumica e shteteve anëtare të BE-së, e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si jo shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por e kundërshtuar nga Serbia dhe pesë shtete të tjera të BE-së. Kjo paqartësi mund të menaxhohet politikisht në afat të shkurtër, por në aspektin afatgjatë paraqet sfidë ligjore dhe procedurale.

Normalizimi është projektuar për ta zgjidhur këtë sfidë përmes tri efekteve të lidhura. Së pari, ai e synon neutralizimin e çështjes së pavarësisë së kontestuar nga anëtarët e saj. Zyrtarët e BE-së kanë vënë shpesh në dukje se, megjithëse e drejta ndërkombëtare nuk e konteston deklaratën e pavarësisë së Kosovës, shtetësia e qëndrueshme konsolidohet përmes pranimit të mëvonshëm. Pranimi i Serbisë, qoftë i shprehur ose de fakto, do ta siguronte këtë konsolidim, duke e kthyer pavarësinë e Kosovës nga një fakt i kontestuar në një realitet ligjor të pranuar reciprokisht.

Së dyti, normalizimi e mundëson koherencën e brendshme të BE-së. Pesë shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën janë kufizuar më pak nga kundërshtimi ndaj saj sesa nga shqetësimet mbi precedentët ligjorë. Një marrëveshje normalizimi e mbështetur nga Beogradi do t’u mundësonte këtyre shteteve t’i ndryshojnë pozicionet e tyre, pa e vënë në pyetje kuadrin e tyre kushtetues dhe pozicionimin ndërkombëtar si mbështetëse të sistemit ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Së treti, normalizimi e vendos kushtin ligjor për anëtarësim. BE-ja nuk mund ta integrojë një shtet, sovraniteti i të cilit është aktivisht i kontestuar nga një shtet kandidat tjetër, as nuk mund ta avancojë anëtarësimin e Serbisë ndërsa një pretendim territorial i pazgjidhur vazhdon. Për këtë arsye, Brukseli insiston në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, edhe pse e shmang gjuhën e njohjes formale. Qëllimi është i qartë: përmbyllje ligjore e konfliktit pa përshkallëzim retorik.
Megjithatë, kjo logjikë varet plotësisht nga zbatimi.

Kur zbatimi dështon: pasoja të pabarabarta dhe incentivat e shtrembëruara

Nëse normalizimi është proces ligjor, trajtimi i barabartë i palëve nuk është fakultativ - është parakusht themelor. Kredibiliteti i ndërmjetësimit të BE-së ka vuajtur më shumë aty ku ky parim është aplikuar në mënyrë jokonsistente.

Kontrasti mes reagimit të BE-së ndaj veprimeve të Kosovës në veri dhe reagimit ndaj sulmit të Banjskës e ilustron këtë qartë. Kur institucionet e Kosovës vazhduan me inaugurimin e kryetarëve të komunave pas zgjedhjeve të ligjshme lokale në veri të Kosovës, pavarësisht pjesëmarrjes së vogël të votuesve në ato komuna, BE-ja reagoi me masa ndëshkuese politike dhe financiare të menjëhershme ndaj Kosovës, duke theksuar kërkesën për shtensionim. Pas sulmit në Banjskë, që përfshinte grupe të organizuara e të armatosura nga Serbia, një polic të Kosovës të vrarë dhe tregues të qartë për përfshirjen e Serbisë, nuk u morën masa të krahasueshme. 

Dallimi nuk është çështje interpretimi, por e rëndësisë ligjore. Një rast lidhej me ushtrimin e autoritetit komunal sipas ligjit të Kosovës. Rasti tjetër, me sulm të armatosur që sfidonte integritetin territorial. Megjithatë, zbatimi e përmbysi këtë hierarki. Kosova u penalizua; Serbia jo.

Kjo asimetri ka ndryshuar incentivat në të gjithë rajonin. Duke dështuar të vendosë kosto pas Banjskës, BE-ja, ndoshta pa dashje, sinjalizoi se jostabiliteti mund të absorbohet, ndërsa veprimet e ligjshme, por politikisht të pakëndshme, do të sanksionoheshin. Me kalimin e kohës, kjo e ka dobësuar fuqinë kushtëzuese dhe ndikuese të BE-së mbi palët dhe e ka forcuar perceptimin në Kosovë se sovraniteti i saj shihet nga BE-ja si i kushtëzuar dhe jo i plotë.

Nga dialogu i lehtësuar te vetëpërmbajtja: si humbi momentumi për dialogun

Ndërsa niveli i zbatimit të marrëveshjeve të arritura gjatë procesit të normalizimit ulej, procesi gradualisht u zhvendos nga dialog i lehtësuar te vetëpërmbajtja. Marrëveshjet u arritën, por nuk u zbatuan. Mekanizma monitorimi u prezantuan, pa masa ndëshkimore. Krizat politike u menaxhuan, por nuk u zgjodhën.

Ngërçet ciklike politike dhe zgjedhjet e shpeshta në Kosovë dhe në Serbi e pengojnë më tej progresin. Çdo cikël zgjedhor reseton incentivat, vonon zbatimin dhe e nënshtron procesin e dialogut ndaj konsideratave vendore dhe pozicionimeve përkatëse në garën e partive politike brenda vendit. Njëkohësisht, të dy palët u mbështetën gjithnjë e më shumë te faits accomplis (faktet e kryera) për të ndryshuar realitetin në terren, duke llogaritur, shpesh me të drejtë, se dialogu do të përshtatej më pas.
Për Kosovën, kjo krijoi një paradoks: sa më shumë që i përmbushte obligimet nga procesi i dialogut, aq më shumë pritej vetëpërmbajtje prej saj; sa më pak që i përmbushte obligimet Serbia, aq më shumë akomodim për veprimet e saj pasonte.

Pse dështimi më 2026 do të kishte kosto strategjike për BE-në

Dialogu gjatë vitit 2026 mbart më vete rreziqe më të larta se në raundet e mëparshme. Evropa tashmë po përballet me opsione jo të favorshme për përmbylljen e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, e cila ka nxjerrë në pah kufijtë e autonomisë strategjike të saj dhe menaxhimin e krizave. Njëkohësisht, kthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë më 2025 e ka përshpejtuar kalimin drejt një rendi ndërkombëtar më transaksional, ku normat gjithnjë e më shumë u nënshtrohen interesave dhe garancitë vijnë me kushte të qarta.

Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor mbetet pikë e dobët e Evropës. Një konflikt i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë e dobëson kredibilitetin e BE-së, e dobëson unitetin e brendshëm dhe i forcon dyshimet mbi efektivitetin e kushtëzimit gjatë procesit të anëtarësimit. Për Bosnjë-Hercegovinën mund të prodhojë precedent që sovraniteti i pazgjidhur mund të menaxhohet pafundësisht. Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ngre pyetje mbi pritjet që realizimi i reformave sjell progres real. Për Serbinë, ajo forcon besimin se paqartësia strategjike shpërblehet.

Përfshirja eventuale e Washingtonit: normalizim përmes kushtëzimit

Në këtë sfond, perspektiva e një iniciative të pavarur dhe të udhëhequr nga SHBA-ja nuk mund të përjashtohet tërësisht. Hipotetikisht, një përpjekje e tillë nuk do të synonte të përmirësonte formatin aktual të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por do të mund ta zëvendësonte logjikën e tij me një model më transaksional, të fokusuar në rezultate të shpejta dhe të zbatueshme.
Precedentët e një angazhimi të tillë amerikan gjatë Presidencës së dytë Trump mund të shërbejnë si udhëzues të asaj se çfarë mund të presim nga një angazhim i tillë. Në rastin e Ukrainës, angazhimi i SHBA-së ka lidhur ndihmën gjithnjë e më shumë me përmbushjen e kushtëzimeve specifike, mekanizmat e mbikëqyrjes dhe qasjen në burime strategjike kritike për zinxhirët e furnizimit amerikan dhe të aleatëve. Në marrëveshjen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Washingtoni e ka prioritizuar rihapjen e korridoreve të transportit dhe integrimin ekonomik, duke lënë anash çështjet historike të pazgjidhura në favor të stabilitetit. Marrëveshjet e Abrahamit normalizuan marrëdhëniet e Izraelit me shtetet arabe jo duke i zgjidhur mosmarrëveshjet kryesore, por duke shkëmbyer arritje simbolike për bashkëpunim konkret ekonomik, sigurie dhe teknologjik, mbështetur nga garancitë amerikane.
Për rastin e dialogut Kosovë-Serbi, një marrëveshje e udhëhequr nga SHBA-ja do të prioritizonte stabilitetin mbi simetrinë ligjore. Duke iu referuar marrëveshjes së Washingtonit, të arritur në shtator 2020 gjatë administratës së parë Trump, Kosovës mund t’i kërkohej të pranonte një moratorium të përkohshëm mbi aplikimet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare - një koncesion që do të vononte konsolidimin e shtetësisë dhe do të testonte konsensusin e brendshëm në Kosovë. Në këmbim, Serbia do të kërkohej t’i ndalonte të gjitha format e obstruksionit ndaj Kosovës, të pranonte autoritetin e Kosovës në të gjithë territorin, të pranonte de facto pavarësinë e saj dhe të ndërpresë fushatat kundër njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera.
Asociacioni shumë i kontestuar i komunave me shumicë serbe do të ishte i kufizuar rreptësisht dhe i integruar brenda rendit kushtetues të Kosovës dhe nën monitorim rigoroz ndërkombëtar. Qëllimi i tij do të ishte bashkëpunimi funksional komunal dhe jo krijimi i një mjeti për shantazh ndaj tërësisë së Kosovës.

Zbatimi do të ishte elementi përcaktues. Integrimi ekonomik, zhvillimi i infrastrukturës dhe aksesimi i sektorëve strategjikë do të përshpejtoheshin, ndërsa shkeljet do të aktivizonin automatikisht ndëshkime. Zbatimi do të ishte i detyrueshëm përmes trupave trepalësh, dhe andaj nuk do të ishte fakultativ.

Një qasje e tillë nuk do të ishte pa rreziqe. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja gjatë Presidencës Trump zakonisht përmbyllen shpejt, por janë të ndërlikuara politikisht dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë. Garancitë transaksionale mund të japin rezultate afatshkurtra, por nuk e kanë qëndrueshmërinë që e ofron dialogu i lidhur me procesin e anëtarësimit në BE që është i parashikueshëm dhe i bazuar në rregulla dhe përfitime. Për Kosovën, kompromisi është i qartë: njohje de fakto me koston e shtyrjes së konsolidimit ndërkombëtar për një periudhë qoftë të shkurtër kohore.

Rruga përpara: BE-ja apo SHBA-ja

Zgjedhja që qëndron para Kosovës nuk është që të zgjedhë midis Brukselit dhe Washingtonit. Është midis rikthimit të dialogut kredibil nën ombrellën e BE-së ose pranimit të një marrëveshjeje të shpejtë të imponuar qoftë nga Washingtoni - e lindur nga frustrimi i dështimeve të deritanishme në qasjen e BE-së.

Për BE-në, kjo do të thotë riafirmimin e trajtimit të barabartë të palëve, zbatimin simetrik të marrëveshjeve dhe rikthimin e kredibilitetit te kushtëzimet e lidhura me një proces të përcaktuar në afat kohor të qartë të anëtarësimit në BE. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte dhënia Kosovës të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Pa këtë, procesi i dialogut rrezikon të bëhet një ushtrim i përhershëm i menaxhimit të konfliktit dhe jo një rrugë drejt zgjidhjes së tij.

Për Kosovën, pyetja nuk është më nëse vetëpërmbajtja e vazhdueshme brenda një procesi të dobësuar prodhon rezultate. Kosova ka aftësi t’i përcaktojë vijat e kuqe, të radhisë angazhimet dhe të insistojë që moszbatimi i marrëveshjeve të shoqërohet me pasoja ndaj Serbisë.

Dialogu pa zbatim të marrëveshjeve nuk është diplomaci. Ai prodhon vetëm vonesa dhe në Ballkanin Perëndimor, vonesat kanë një histori të gjatë që shpesh shndërrohet në paqëndrueshmëri dhe veprime destabilizuese.

(Blerim Vela shërbeu si shef i stafit të presidentes së Kosovës (2021-2023) dhe ka doktoruar në Studime Evropiane Bashkëkohore, në Universitetin e Sussexit).