Në një shoqëri ku shtresa e mesme është në tkurrje të vazhdueshme, ku arsimi gjithnjë e më pak garanton siguri ekonomike dhe ku puna nuk siguron jetë dinjitoze, politika bëhet lehtësisht e manipulueshme. Në këto rrethana, shumicat absolute nuk janë rastësi. Janë pasojë e dobësive strukturore. Ato bëhen të dukshme kur përpjekja personale nuk shpërblehet dhe mobiliteti social bllokohet. Në një ambient të tillë, hapësira për mendim kritik ngushtohet.
Si pasojë, qytetarët e humbin besimin se dija, puna dhe përgjegjësia personale sjellin përparim. Në këtë terren, veprimi politik pushon së garuari me ide dhe programe afatgjata, dhe fillon të funksionojë përmes mjeteve të shpejta të mobilizimit elektoral.
Masat e prezantuara si “ndihmë sociale”, veçanërisht shpërndarjet financiare simbolike pak para zgjedhjeve apo premtimet afatshkurtra për sektorë të caktuar, nuk janë politika zhvillimore. Ato nuk krijojnë autonomi ekonomike dhe as perspektivë afatgjatë. Funksioni i tyre kryesor është qetësimi i përkohshëm i pakënaqësisë dhe prodhimi i mirënjohjes elektorale.
Kjo nuk është kritikë ndaj politikave sociale në parim. Një shoqëri me pabarazi të theksuara ka nevojë për mbrojtje sociale serioze dhe të qëndrueshme. Por ka një dallim thelbësor mes politikave që fuqizojnë qytetarin dhe atyre që e mbajnë atë në varësi politike. Kur ndihma shndërrohet në instrument zgjedhor, ajo pushon së qeni sociale dhe bëhet klienteliste.
Në të njëjtën logjikë, kësaj i është shtuar edhe përdorimi i teknologjisë si zëvendësim i debatit. Gjatë fushatave të fundit, hapësira publike është mbushur me përmbajtje të rreme, profile të dyshimta dhe komente të sinkronizuara, të dizajnuara për të targetuar emocionalisht qytetarë të pasigurt ekonomikisht dhe të zhgënjyer institucionalisht. Në mungesë të edukimit mediatik dhe mendimit kritik, kjo formë manipulimi bëhet jashtëzakonisht efektive.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me rezultatet e dobëta në arsim, të reflektuara edhe në testimet ndërkombëtare, të cilat nuk janë thjesht statistikë. Ato shpjegojnë pse slogani zë vendin e argumentit dhe pse lëmosha zë vendin e politikës zhvillimore. Arsimi i dobët prodhon qytetarë të pambrojtur ndaj manipulimit, dhe një shoqëri e tillë bëhet lehtësisht e kapshme politikisht.
Sepse demokracia nuk matet vetëm me shumicë parlamentare. Ajo matet me cilësinë e zgjedhjes, me barazinë e mundësive dhe me aftësinë e qytetarëve për të dalluar politikën zhvillimore nga propaganda. Pa këto elemente, proceset zgjedhore mund të jenë formalisht korrekte, por përmbajtësisht të zbrazëta.