Opinion

Jo votat, por egoja e vendos stabilitetin politik

Ky titull më erdhi në mendje sapo nisa të shoh, pa pasionet e zakonshme politike, panoramën e zgjedhjeve të parakohshme që po afrohen. Sepse, pavarësisht numrave që do të dalin nga kutitë e votimi, problemi i vërtetë i politikës kosovare nuk është tek rezultati elektoral, por tek paaftësia e liderëve politike për të ulur kokën dhe për të ndërtuar diçka më të madhe se vetja. Ne jemi bërë ekspertë të fitores, por amatorë të qeverisjes. E kemi ngritur votën në shenjë triumfi, ndërsa kompromisin e kemi kthyer në fyerje. Pothuajse çdo krizë që kemi kaluar këto vite e ka një emër të përbashkët: egoja që peshohet më shumë se stabiliteti i shtetit. Prandaj, teksa vendi shkon sërish drejt zgjedhjeve, pyetja që duhet bërë nuk është kush do të marrë më shumë vota, por kush do të jetë i gatshëm të lërë diçka mënjanë për të mos na futur në të njëjtën spirale bllokimi edhe një herë tjetër.
Prej muajsh, vendi është mbërthyer në një paralizë institucionale që nga jashtë duket teknike, por nga brenda është në thelb strukturore. Asnjë parti nuk është në gjendje të konvertojë rezultatin elektoral në kapacitet qeverisës. Dhe ky është tregues i një dobësie të rrënjosur politikisht. Partitë politike refuzojnë të pranojnë se nuk mjafton të fitosh vota, por duhet të fitosh edhe partnerë.

Vetëvendosje është shembulli më i qartë i kësaj arrogance. Me rreth 42% të votave, ajo ishte fitues absolut në çdo matje numerike, por humbëse kronike në matematikën e pushtetit. Kjo nuk ishte surprizë, por pasojë e parashikueshme e një sistemi proporcional qeverisës sipas Kushtetutës së Kosovës. E megjithatë, arroganca u duk qartë kur partia hyri në negociata si fituese e pakontestueshme, jo si aktore që ka nevojë për aleanca. Ky ishte gabimi i parë.

Gabimi i dytë e thelloi edhe me shumë gjendjen. Partitë e tjera nuk hynë në negociata si palë politike, por si palë të fyera, të frikësuara ose të interesuara të mos duken si “partneri që i dorëzohet LVV-së”. Egoja u bë më e rëndësishme se stabiliteti. Në këtë lojë, asnjë palë nuk mendoi për buxhetin, institucionet, politikat publike, ose kohën që humb vendi. Energjia e tyre u koncentrua vetëm se kush do të dukej si “fitimtari” në lojën e refuzimit.

Narrativa e saj e fortë kundër korrupsionit e ka bërë LVV-në të paprekshme moralistisht, por të izoluar politikisht. Ajo qeveris më mirë në konflikt sesa në bashkëpunim, dhe ky instinkt elektoral po i kthehet në disavantazh strategjik. Megjithatë, ky është terreni ku Vetëvendosje ndihet më e sigurt. Partitë e tjera kanë rënë në kurthin e saj, në terrenin ku nuk mund ta mundin.. Vetëvendosje ka bazën më të fortë elektorale, por një kulturë politike të ngurtë në negociim. E sheh kompromisin si rrezik, jo si mjet qeverisës. Kjo e bën fituese pa pushtet, kombinim ironik për një parti që pretendon ndryshim të thellë.
Në anën tjetër, PDK dhe LDK vazhdojnë të funksionojnë si parti që flasin për stabilitet, por veprojnë me llogaritë e vjetra të mbijetesës. PDK po e ri-gjen veten si parti “e rendit” në një klimë politike të lodhur nga polarizimi i skajshëm. Trashëgimia e së kaluarës e PDK-së i kufizon hapësirat, sepse çdo hap politik që ajo ndërmerr ende vlerësohet përmes prizmit të historisë së saj të lidhur me korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe qeverisjen e ashpër të pasluftës. Edhe kur partia përpiqet të projektojë veten si forcë moderne, institucionaliste dhe e gatshme për stabilitet, hija e vendimeve të dikurshme, dosjeve të hapura dhe perceptimeve publike që janë rrënjosur thellë, i ngushton fushën e manovrimit dhe e bën më të vështirë ndërtimin e besueshmërisë së re. PDK në vend që të projektojë ardhmërinë, shpesh mbron betejat e të shkuarës. 

LDK, ndërkaq ka bërë përpjekje për të ringritur një profil të balancuar dhe të arsyeshëm, por shpesh ndalet në prag të artikulimit të një identiteti politik modern. Deklaratat naive të zyrtarëve të lartë mbi raportet me Listën Serbe e frikësojnë edhe votuesin me besnik të LDK-së. Nuk është më partia që vendos ritmin politik. E as ajo që prodhon narrativën e stabilitetit. LDK sot lëviz më shumë si një aktor reaktiv sesa orientues. Ndjek zhvillimet që dikur i udhëhiqte, komenton realitetin që dikur e formësonte dhe përpiqet të ruajë peshën historike në një skenë politike që ka ndryshuar më shpejt sesa vetë partia ka ditur të përshtatet. Në vend që të jetë burim i idesë qendrore rreth së cilës rreshtohet debati publik, LDK shpesh mbërrin e fundit në diskutim, duke ofruar pozicionime të vakëta, të paqarta dhe që rrallë arrijnë të imponojnë ritëm, fokus apo stabilitet në jetën politike të vendit.
AAK po luan rolin e aktorit pragmatik, jo prej fuqisë së votave, por prej elasticitetit të saj politik. Me 7-8 përqind të votave, shpesh mban çelësin e shumicës. Ironikisht, shpesh pikërisht partia e vogël në skaj të spektrit është ajo që përcakton nëse vendi futet apo del nga kriza. 

Ndërsa Lista Serbe, një aktor jo vetëm politik, por edhe gjeopolitik, vazhdon të mbajë një rol disproporcional, duke e bërë aritmetikën parlamentare të Kosovës më shumë çështje të diplomacisë rajonale sesa të vullnetit elektoral.

Nëse shohim skenarin e dhjetorit përmes syrit të një analisti politik dhe jo tifozit partiak, tabloja është e qartë se Kosova është në rrugë për t'u rikthyer në të njëjtën pikë nga e cila po përpiqet të largohet. LVV me shumë vota, por pa shumicë. Opozita e tanishme me më pak vota, por me më shumë opsione. Minoritetet si faktor vendimtar. Dhe presidentja, sërish, e detyruar të ndërmjetësojë një realitet që klasa politike nuk arrin ta menaxhojë vetë.

Ky cikël nuk është aksident, por pasojë e një kulture ku kompromisi shihet si dobësi, ndërsa refuzimi si forcë. Në vendet me demokraci të konsoliduar, koalicionet janë thjesht një mekanizëm funksional. Në Kosovë, ato janë kthyer në traumë politike.

Tani Kosova shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat në pamje të parë duken si zgjidhje e vetme. Por zgjedhjet nuk zgjidhin dot atë që politika nuk e pranon pra mungesën e kulturës së bashkëpunimit.  Në këtë klimë, zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje. Janë një rit i njohur i një krize të njohur që në fund të fundit prodhon legjitimitet formal, por jo stabilitet politik, rikthen mandatet, por jo besimin, gjeneron fitues të rinj, por jo qeveri të qarta.

Nëse ka një pyetje që duhet të bëjë Kosova sot, ajo nuk është:
“Kush do t’i fitojë zgjedhjet?”
Kjo dihet: LVV do të mbetet forca më e madhe.
Pyetja e vërtetë është:
“A ka ndonjë aktor politik të gatshëm të heqë dorë nga egoja për të fituar shtetin?”

Sepse politika, në çdo demokraci funksionale, nuk matet me numrin e votave, por me aftësinë për t’i kthyer ato në qeverisje. Dhe ky vend ka nevojë pikërisht për këtë aftësi, jo për një tjetër rrugëtim tek kutitë e votimit.

Problemi në fund të fundit nuk është matematikor, por etik. Liderët e Kosovës nuk e kanë kuptuar se pushteti nuk është një trofe elektoral, por një përgjegjësi institucionale. Dhe përgjegjësia fillon aty ku mbaron egoja.

Pikërisht për këtë, zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit 2025 nuk do të jenë një test për partitë, por për vetë demokracinë kosovare. Ky vend duhet të mësojë të qeverisë në një sistem parlamentar. Të kuptojë se koalicionet nuk janë gracka, por mekanizma; se kompromisi nuk është dorëzim, por pjekuri; dhe se fituesi nuk është ai që ka më shumë vota, por ai që di t’i përdorë ato për të krijuar shumicë.
Dhe se stabiliteti i shtetit vlen më shumë se krenaria e një lideri.