Opinion

Gjykata Kushtetuese ndaloi shndërrimin e Kuvendit në makinë votimi

Këto vlerësime të Gjykatës Kushtetuese i shërbejnë së ardhmes së jetës parlamentare në Kosovë, duke vendosur standarde më të larta procedurale, por njëkohësisht e bëjnë të qartë nevojën që kontrolli kushtetues të jetë i plotë, substancial dhe jo thjesht formal, në mënyrë që rendi kushtetues të mbrohet në thelb dhe jo vetëm në formë

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një numri të madh ligjesh për shkelje procedurale nuk janë thjesht një ndërhyrje për respektim të procedurave në procesin legjislativ, por një ndërhyrje me peshë kushtetuese dhe politike. Vendimet e tilla ngrenë pyetje thelbësore mbi mënyrën se si Kuvendi ushtron funksionin e tij ligjvënës, mbi kufijtë e diskrecionit parlamentar dhe mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e rendit kushtetues.

Me një fjalë, ky lloj vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese jep disa mësime të rëndësishme dhe ka implikime të drejtpërdrejta për të ardhmen e jetës parlamentare dhe legjislative në Kosovë dhe atë në disa aspekte:

Së pari, Gjykata Kushtetuese riafirmoi faktin se procedura parlamentare është normë kushtetuese dhe jo formalitet i zbrazët. Kuvendi nuk ka diskrecion të anashkalojë rregullat e miratimit të ligjeve, sepse mënyra se si miratohet ligji është po aq e rëndësishme sa edhe përmbajtja e tij. Ky është një mesazh i qartë se shkeljet procedurale cenojnë legjitimitetin demokratik të ligjit.

Së dyti, vendimet forcojnë parimin e ndarjes së pushteteve. Gjykata po i kujton pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ se autoriteti për të krijuar ligje buron nga Kushtetuta dhe se ai ushtrohet vetëm brenda kufijve të saj  e jo nga arroganca e numrave. Çdo tentativë për ta shndërruar Kuvendin në një mekanizëm formal të votimit, pa debat konkret dhe pa respektim të procedurave, do të prodhojë ligje të brishta dhe të paqëndrueshme kushtetueshmërisht.

Së treti, këto vlerësime të Gjykatës shërbejnë edhe si paralajmërim për cilësinë e legjislacionit. Pra, Gjykata na rikujton faktin që ligjet e miratuara për qëllime të përdorimit elektoral, me procedura të përshpejtuara, pa konsultim publik dhe pa shqyrtim substancial parlamentar, rrezikojnë të bien në testin kushtetues. Në këtë kuptim, këto vendime nxisin dhe synojnë që gjatë procesit legjislativ të ketë profesionalizëm më të madh legjislativ, rol më aktiv të komisioneve parlamentare dhe respektim më serioz të standardeve kushtetuese.

Së katërti, për të ardhmen e jetës parlamentare në Kosovë këto vendime krijojnë një precedent disiplinues. Me një fjalë, e shtyn Kuvendin të ndërtojë praktika më të qëndrueshme procedurale dhe e bën më të vështirë përsëritjen e shkeljeve të njëjta, sepse kostoja kushtetuese dhe politike e tyre tashmë është e qartë.

Megjithatë, vendimet e tilla japim edhe një mësim kritik: kur Gjykata kufizohet vetëm në vlerësimin procedural dhe shmang shqyrtimin përmbajtjesor, rrezikon të lërë pa adresuar probleme reale të kushtetutshmërisë materiale.

Kjo krijon pasiguri juridike dhe e lë hapur mundësinë që të njëjtat zgjidhje problematike të rikthehen në forma të reja dhe proceduralisht e përmbajtesisht “të dyshimta”.

Megjithatë, në tërësi, mund të themi që këto vlerësime të Gjykatës Kushtetuese i shërbejnë së ardhmes së jetës parlamentare në Kosovë duke vendosur standarde më të larta procedurale, por njëkohësisht e bëjnë të qartë nevojën që kontrolli kushtetues të jetë i plotë, substancial dhe jo thjesht formal, në mënyrë që rendi kushtetues të mbrohet në thelb dhe jo vetëm në formë.

(Autori është jurist i së drejtës dhe gjyqësisë kushtetuese dhe aktualisht vepron si hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI).