Siç do të thotë filozofi anonim, lumturia është gjendje shpirtërore dhe prandaj, në të s’ëmës me materializmin. Kështu, njeriu mund të jetë i lumtur edhe nëse në vend të mishit ha bar. Me rëndësi të jetë i përmbushur shpirtërisht, duke adhuruar udhëheqjen dhe shëmbëlltyrën e liderit, i cili me tërë mjeshtërinë e tij e luan rolin e bariut të mirë të kopesë së bindur se lideri bën gjithçka për mirëqenien e tij
Kosova e filloi vitin me fushatë zgjedhore dhe po e përfundon me fushatë zgjedhore. Në fakt, i gjithë viti nuk ka qenë asgjë tjetër pos një fushate të stërgjatë zgjedhore. Kosovarët janë i vetmi popull në rajon dhe më gjerë që i paguan politikanët me miliona euro që të bëjnë fushatë. Jo që të bëjnë politika e të marrin vendime që e çojnë shtetin përpara, por që t’i bindin qytetarët se “ne jemi të mirët”, kurse “ata janë të këqijtë”. Krejt kjo në kurriz të qytetarëve. Shpenzim më të kotë e më të pakuptimtë të kohës e të taksave të qytetarëve nuk do të mund të imagjinonte as njeriu më keqdashës. Në anën tjetër, partitë politike i shohin zgjedhjet si bast politik për të rritur mbështetjen popullore pas dështimit për ta përmbushur përgjegjësinë që e kanë marrë si bartëse të sistemit politik, që përcakton logjikshëm se si formohen dhe si veprojnë institucionet e shtetit.
Kjo bjerrakohje politikaneske i ka sjellë Kosovës dëme të mëdha dhe po tregon se çfarë klase politike e dëmshme merret me punët e me shërbimin që do të duhej të ishte publik. Mirëpo, puna me të cilën merren këta është kryekëput interes personal e grupor. Këtu nuk ka asgjë për të mirën publike. E tillë është edhe limonada e një kandidateje, këngëtare e turbofollkut, që doli me një këngë për liderin për të fituar një grusht votash e për t’u zgjedhur deputete. Mbase në këtë çmendinë kolektive edhe do t’ia arrijë qëllimit. Madje të renditet edhe ndër kandidatet më të votuara të partisë. Pastaj, do të ishte mirë që nëse partia e saj del e para në zgjedhje, të propozohet edhe për kryetare të Kuvendit, si njëra ndër kandidatet më të votuara. Pastaj, çdo seancë plenare do të mund të fillonte me këngën kushtuar liderit. Të gjithë do të ishim të lumtur, sepse muzika ushqen zemrën e shëron shpirtin. E zemra e shpirti janë më të rëndësishëm se stomaku, sepse kur ushqehet zemra e shërohet shpirti nuk janë me rëndësi as çmimi i energjisë elektrike, as inflacioni, as sanksionet e besa as humbja e qindra milionëve nga Plani i Rritjes së BE-së. Siç do të thotë filozofi anonim, lumturia është gjendje shpirtërore dhe prandaj në të s’ëmës me materializmin. Kështu, njeriu mund të jetë i lumtur edhe nëse në vend të mishit ha barë. Me rëndësi të jetë i përmbushur shpirtërisht, duke adhuruar udhëheqjen dhe shëmbëlltyrën e liderit, i cili me tërë mjeshtërinë e tij e luan rolin e bariut të mirë të kopesë së bindur se lideri bën gjithçka për mirëqenien e tij.
Kështu, të varfëruar materialisht por të përmbushur shpirtërisht, po i hyjmë edhe një fushate formale zgjedhore, sepse ajo joformalja është një intermezzo në mes të fushatave formale zgjedhore. Mirëpo, ata që e mbajnë në mend televizionin e para 40-50 vjetësh, iu kujtohet ai rrumbullaku i intermezzos në ekranet televizive që nuk zgjaste më shumë se pesë minuta. Këtu tek ne, intermezzoja apo fushata joformale zgjedhore zgjat me vite të tëra. Mbase politikanët janë bërë fushatëxhinj profesionistë, sepse prejse ka ardhur në pushtet LVV-ja në vitin 2021, nuk ka bërë tjetër përveçse fushatë propaganduese. Fillimisht, duke i akuzuar të ashtuquajturat parti të vjetra për shkatërrimin njëzetvjeçar, që, sipas saj, ia kishin bërë Kosovës dhe duke e arsyetuar çdo dështim të vetin të këtij njëzetvjetëshi shkatërrimtar. Pra, në vend se të merret me të tashmen e të ardhmen, kur e ka pasur pushtetin absolut, LVV-ja është marrë me të kaluarën, duke harruar se tashmë i kishte fituar zgjedhjet dhe se rendi ishte që t’i përvjelë mëngët në qeveri e jo të bëjë propagandë.
Mirëpo, viti që po e lëmë pas ishte kulmi i të gjitha fushatave. Për tetë muaj rresht, çdo të dytën ditë, në mënyrë skenike, partitë politike shtyheshin se cila ka faj për bllokadën politike. Arsyeja? Ta bindnin popullin se të tjerët janë të këqijtë. Kjo fushatë bllokuese është pasojë e rezultatit zgjedhor që nuk i siguroi liderit edhe një mandat të pushtetit absolut. Prandaj, ai ndërmori veprime të thjeshta por bindëse për kopenë që nuk ia siguronte dot të gjitha zemrat e shëruara gjatë atyre katër viteve të përmbushjes shpirtërore që i kërkonte për zgjedhjet e 9 shkurtit. Një pjesë e kopesë kishte dalë jashtë gardhit dhe duhet të kthehej në udhën e vetme që i siguron asaj të ndihet mirë e sigurt nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm.
Fushatë patëm edhe për zgjedhjet lokale dhe ato në një farë mënyre e përmbysën Edenin e krijuar me mund e më sakrifica gjatë katërvjetëshit të fundit. Sovraniteti i shtrirë cep më cep, që njeriun e zakonshëm e përmbushte me ndjenjën e krenarisë, po ashtu kategori shpirtërore, pavarësisht izolimit e sanksioneve, rritjes së kostos së jetesës, e cektimit të xhepave, sepse siç e thashë edhe në fillim, terapia më e mirë është përmbushja shpirtërore, doli të ishte dritëshkurtër, sepse në veri pushtetin e fitoi Lista serbe, ani çka se në Serbi, i tërë populli është ngritur kundër patronit të saj që gjendet në Beograd. Sentimenti anti-Vuçiq është në rritje edhe në mesin e serbëve të Kosovës, mirëpo, viktimizimi i Listës Serbe nga LVV-ja e bëri atë të identifikohet si mbrojtësja më e denjë e serbëve në Kosovë dhe kështu të fitonte shumicën dërrmuese të votave në të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe. Kjo na kthen në pikën zero.
Mirëpo, kjo ka pak rëndësi përderisa në publik nuk flitet për këtë. A nuk është fitorja e LVV-së në Mitrovicë dëshmia më e mirë se sovraniteti është shtrirë cep më cep? Me rëndësi është që patëm fushatë dhe u kënaqëm me muhabetet e qyfyret e politikanëve që e bëjnë atë që dinë më së miri: të bëjnë fushatë me paratë e taksapaguesve kosovarë, secili sipas detyrës e takatit të vet. Dhe kush po thotë se fushata ishte polarizuese dhe se përgjegjëse për këtë polarizim është partia e liderit? Kjo nuk është e vërtetë! Fushata nga kjo parti cilësohej me fjalë përkëdhelëse, për shembull të deputetes aktore Matoshi, drejtuar kundërshtarëve politik, si loçkë, zemër, shpirt, e të ngjashme. Ndonjëherë mund edhe të ketë pasur fyerje e sharje personale, por këto ishin përjashtim nga rregullit se ishin fjalët përkëdhelëse ato që u përdorën më së shumti gjatë fushatës.
Pra, si të mos jemi të lumtur me këtë gjendje politike që e kemi? A nuk janë zgjedhjet boshti i një demokracie të shëndoshë? Nëse matemi me zgjedhje, jemi mbase vendi më demokratik në botë dhe këtë e dëshmuam katërcipërisht gjatë këtij viti me tri palë zgjedhje. Raportet e ndryshme të organizatave ndërkombëtare për rënien e lirisë së shtypit e të nivelit demokratik janë bërë me ndihmën e lakejve vendorë të OJQ-ve që për një grusht donacionesh kritikojnë betejat e vazhdueshme të liderit kundër oligarkëve, gazetarëve vrasës, analistëve-mercenarë të Rusisë e Serbisë të paguar me mëditje, që për çdo ditë sulmojnë mirëqeverisjen e liderit, duke shpikur afera korruptive të paqena e të zeza të tjera, me motivin e vetëm se ai ua ndali taxhinë. Ua shkurtoi atë me gërshërë.
Se këtu jemi për të mos lëshuar pe. Nuk lëshojmë pe as për postin e kryetarit të Kuvendit, as për qeverinë e as për asgjë tjetër. Premtojmë kokëfortësi. Këtë premtim e japim që as të tjerët të mos guxojnë të lëshojnë pe nëse e marrin pushtetin. Është premtim mbi premtimet sepse na e siguron pushtetin edhe nëse atë nuk e kemi. Sepse e di lideri se ekzistojnë dy lloje pushtetesh: pushteti formal që bazohet në karrigen e pushtetit dhe ai mbi zemrat dhe mendjet e njerëzve. Kur e ke këtë të dytën, e ke edhe të parën. Kjo u dëshmua më 2021, kur mbi 400.000 mendje e zemra u bashkuan e ia dhanë fitoren absolute liderit. Në të 2025-tën, ishin zemrat por munguan mendjet për ta përmbushur gjysmëmilionshin e kërkuar. Prandaj, ne u premtojmë se nuk lëshojmë pe, nuk e dimë për çka saktësisht, mbase për gjithçka. Sepse kjo “nuk lëshojmë pe” është filozofia jonë që e justifikon tërë bjerrakohjen politike të këtij viti.
(Autori është doktor i shkencave politike)