Operacioni për ta rrëzuar Madurón bën të qartë se Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së, e publikuar së fundmi, duhet marrë seriozisht dhe se administrata Trump e sheh Hemisferën Perëndimore si një rajon ku interesat e Shteteve të Bashkuara marrin përparësi. Rusia dhe Kina do ta përshëndesin këtë si shenjë se Trump e ndan vizionin e tyre të një bote të ndarë në sfera të ndikimit, në të cilën qeveritë në Moskë dhe në Pekin kanë dorë sipërore në Evropë dhe në Indo-Paqësor, respektivisht. Një rend global që është mbajtur për 80 vjet ndodhet buzë zëvendësimit nga tri rende rajonale që janë të prira të jenë gjithçka tjetër përpos të rregullta – ose të lira
Nicolás Maduro është tani ish-president i Venezuelës, një i burgosur që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrëzimi i tij nga duart e Forcave Speciale të SHBA-së, megjithatë, kuptohet më mirë si fundi i fillimit sesa si fillimi i fundit.
Sa për dijeni, të paktë njerëz në Venezuelë, apo kudo tjetër, do ta vajtojnë rrëzimin e Madurós. Ai qe një autokrat që vodhi zgjedhje, e shtypi popullin e tij, e rrëzoi përtokë ekonominë e vendit pavarësisht rezervave enorme të naftës, dhe u përfshi në trafikim të narkotikëve. Por kjo nuk do të thotë se ky operacion ushtarak ishte qoftë i justifikuar apo i mençur. Në fakt, ligjshmëria e tij është e diskutueshme. E diskutueshme ishte edhe për nga vlera strategjike: Maduro vështirë se paraqiste ndonjë kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara. S’ka dyshim: ky ishte një operacion ushtarak i përzgjedhjes, jo i domosdoshmërisë.
Ekzistojnë disa ngjashmëri sipërfaqësore mes këtij operacioni dhe atij të ndërmarrë nga presidenti George H.W. Bush më 1989 për rrëzimin nga pushteti të burrështetasit të Panamasë, Manuel Noriega. Por asokohe ekzistoi bazë më e fortë ligjore kundër Noriegas, që përfshiu jo vetëm drogën, por edhe vrasjen e një ushtaraku amerikan. Pati edhe shqetësime legjitime për kërcënimin e personelit tjetër ushtarak të SHBA-së të stacionuar në Panama dhe për sigurinë e vetë Kanalit të Panamasë.
Zgjedhja për ta vënë Venezuelën në shënjestër e zbardh motivin e presidentit Donald Trump. Prioriteti kryesor, siç sugjeroi vetë Trumpi në konferencën e tij për shtyp pas operacionit, qe qasja amerikane në rezervat e naftës të Venezuelës, më të mëdhatë në botë. Synimet dytësore përfshijnë përfundimin e përfshirjes së Venezuelës në tregti me drogë, ndihmën për rikthim në vend të atyre që e braktisën atë dhe shtrëngimin e lakut përreth Kubës, e cila është theksueshëm e varur nga nafta e subvencionuar venezuelase për të mbajtur gjallë ekonominë e saj në telashe, të goditur nga sanksionet.
Por do të ishte pamaturi deri në ekstrem që operacioni të shpallet sukses. Është një gjë ta rrëzosh një individ nga pushteti. Është gjë krejt tjetër, në thelb ndryshe dhe si ndërmarrje më e vështirë, ta rrëzosh një regjim dhe ta zëvendësosh atë me diçka më beninje dhe më të qëndrueshme. Në rastin e Venezuelës, vlen “rregulli Pottery Barn” i ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell: E thyem, tani neve na përket.
Trumpi ka deklaruar se SHBA-ja do ta “udhëheqë Venezuelën”. Hollësitë janë të pakta dhe nuk është e qartë nëse për këtë do të duhet një ushtri pushtuese. Një gjë është e qartë, të paktën aktualisht: Administrata Trump preferon të bashkëpunojë me mbetjet e regjimit ekzistues (duket se ka arritur një mirëkuptim me zëvendëspresidenten e Madurós, e cila po e udhëheq qeverinë) se sa ta fuqizojë opozitën. Kjo përputhet me politikën e motivuar nga perspektiva e përfitimit komercial, e jo nga përkushtimi për të promovuar demokraci dhe për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut.
Mund të përjashtohen të gjitha problemet potenciale, porse kryesorja – ndarja sipas rendit – duhet pranuar hapur. Elemente pro-regjim do të mbeten aktive, dhe opozita është larg të qenit e bashkuar dhe mund fare lehtë t’i rezistojë përjashtimit. Të këtilla të panjohura mund të prodhojnë përzgjedhje të vështira politike për SHBA-në, në kuptimin e asaj se çfarë ajo do të ishte e gatshme të bëjë për t’i formësuar zhvillimet në rast se ato dalin prej kontrolli.
Operacioni e kap esencën e politikës së jashtme të Trumpit. Ishte i njëanshëm deri në rrënjë. I kushtoi pak vëmendje ligjshmërisë apo opinionit ndërkombëtar. U përqendrua në Hemisferën Perëndimore e jo në Evropë, në Indo-Paqësor apo në Lindje të Mesme. Qëllimi qe përfitimi komercial, në këtë rast qasja në rezervat e naftës, dhe forcimi i sigurisë së brendshme, duke i reflektuar shqetësimet rreth drogës dhe emigracionit. Forca ushtarake u përdor, por në mënyra të kufizuara.
Dobësia më e madhe e operacionit në Venezuelë mund të jetë precedenti që e krijon, duke e afirmuar të drejtën e fuqive të mëdha për të intervenuar në komshillëkun e tyre kundër liderëve që i pandehin për të paligjshëm apo kërcënim. Kësisoj, mund vetëm të imagjinohet presidenti rus, Vladimir Putin, i cili flet për “denazifikimin” e Ukrainës dhe largimin e presidentit Volodymyr Zelensky, tek e miraton logjikën. Operacioni ushtarak i Trumpit në Venezuelë e bën fundin e negociuar të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës edhe më të largët sesa që ka qenë tanimë.
Një reagim i ngjashëm është i mundur edhe në Kinë, e cila e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur të sajën, ndërsa dhe qeverinë e tij si të paligjshme. Kjo nuk do të thotë se presidenti Xi Jinping papritmas do të veprojë në funksion të ambicieve të tij për Tajvanin, por zhvillimet në Venezuelë mund ta rrisin besimin e tij se do të korrë sukses po qe se do ta pushtojë, rrethojë apo shtrëngojë drejtpërsëdrejti këtë ishull.
Operacioni për ta rrëzuar Madurón bën të qartë se Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së, e publikuar së fundmi, duhet marrë seriozisht dhe se administrata Trump e sheh Hemisferën Perëndimore si një rajon ku interesat e Shteteve të Bashkuara marrin përparësi. Rusia dhe Kina do ta përshëndesin këtë si shenjë se Trump e ndan vizionin e tyre të një bote të ndarë në sfera të ndikimit, në të cilën qeveritë në Moskë dhe në Pekin kanë dorë sipërore në Evropë dhe në Indo-Paqësor, respektivisht. Një rend global që është mbajtur për 80 vjet ndodhet buzë zëvendësimit nga tri rende rajonale që janë të prira të jenë gjithçka tjetër përpos të rregullta – ose të lira.
(Richard Haass është kryetar emeritus i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, këshilltar i lartë në “Centerview Partners”, studiues i dalluar në Universitetin e New Yorkut dhe autor i buletinit javor “Home & Away”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).