NËPËR FILM

Filma fantastik të Hollywoodit lansohen gjatë muajit nëntor, të shtunën në “Nëpër Film”

Filmat hollywoodian

Të shtunën në “Nëpër Film” sjellim lajmet e fundit nga kinematografia botërore. Pas performancave jo edhe aq të mira në arkat filmike gjatë muajit tetor, nëntori pritet t’i rikthejë shikuesit nëpër kinema ngase disa prej filmave të shumëpritur të këtij viti, do të lansohet gjatë ditëve në vazhdim. Në mesin e tyre, “Predator: Badlands”, “Frankenstein”, “The Running Man”, “Now You See Me: Now You Don’t”, “Zootopia 2” dhe të tjerë.

Nga skena e televizionit do të fokusohemi te dy seriale. “All Her Fault”, një rrëfim rrëqethës e i çuditshëm, në të cilin kryepersonazhi përballet me makthin më të madh të një prindi kur shkon të marrë djalin e saj në shtëpinë e një shokut të tij, vetëm për të zbuluar se gruaja që i hap derën nuk e ka parë apo dëgjuar kurrë, as për të e as për fëmijën e saj. Seriali “All’s Fair”, që vjen me një kastë aktoresh të famshme të Hollywodit si, Glenn Close, Naomi Watts dhe Sarah Paulson, në qendër ka një ekip avokatesh të specializuara në raste të shkurorëzimit, të cilat largohen nga një firmë e dominuar nga meshkujt për të hapur zyrën e tyre. Të ashpra, brilante dhe emocionalisht të ndërlikuara, ato përballen me ndarje me rreziqe të larta, sekrete skandaloze dhe besnikëri të ndryshueshme - si në sallën e gjyqit ashtu edhe brenda grupit të tyre.

Po ashtu ju sjellim një vlerësim rreth filmit të fundit të regjisorit grek të nominuar me “Oscar”, Yorgos Lanthimos. Me titull “Bugonia”, filmi ndjek personazhin Teddy, një bletar të fiksuar pas teorive konspirative, i cili bindet se Michelle Fuller, drejtoreshë ekzekutive e një kompanie farmaceutike, është jashtëtokësor që planifikon shkatërrimin e njerëzimit. Edhe pse filmi është larg të qenit i përsosur, përzierja e tij e çuditshme mes komedisë, dramës dhe trilerit psikologjik e bën atë një përvojë intriguese dhe shpesh shqetësuese për t’u parë në ekran të madh.

Ndiqeni edicionin e ri të emisionit “Nëpër Film”, të shtunën në ora 16:30!