Luftarake

Xhudistët e Kosovës të pandalshëm në Kampionatin Ballkanik

xhudo

Me garën ekipore të zhvilluar të dielën, ka përfunduar Kampionati Ballkanik i xhudos për të rritur.

Por e shtuna ishte dita kryesore e kësaj ngjarjeje që u mbajt në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Në garat individuale, Kosova ishte dominante.

Organizimi i bërë nga Federata e Xhudos e Kosovës është vlerësuar shumë i mirë. Në shumë prej kategorive edhe konkurrenca ishte në nivel.

Prej xhudistëve të Kosovës medalje të arta fituan Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë, Fatjona Kasapi në 57 kg, Dëbora Gjakova në 63 kg, Muhamedin Veseli në 66 kg, Dardan Cena në 73 kg dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri në 100 kilogramë.

Nga xhudistët e Kosovës janë fituar edhe gjashtë medalje të argjendta: Estea Arifaj në 48 kg, Laurinë Gashi në 52 kg, Enise Zijade në 57 kg, Arba Hasanaj në 70 kg, Furkan Kelmendi në 60 kg dhe Anes Veseli në 90 kg.

Ndërkohë Uvejs Nesimi fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 60 kilogramë.

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ishte e pakonkurrencë në 52 kilogramë. I shënoi tri fitore. Garë interesante kishin edhe Shpati Zekaj, që po ashtu i shënoi tri fitore, Dardan Cena dhe të tjerët. Për shkak të lëndimeve kanë munguar Akil Gjakova e Laura Fazliu.

“Dominimi i Distrisë natyrisht pritej, ndërsa gëzon fakti që xhudistët e rinj bënë hap të rëndësishëm. Disa po ashtu kanë bërë lëvizje të rëndësishme drejt rikthimit në nivelin që e synojmë. Kampionati në përgjithësi ishte shumë i mirë. Ka pasur xhudistë cilësorë nga vende të tjera dhe garë të fortë e interesante”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

 Në konkurrencë ekipore, Kosova nuk garoi.

Vendin e parë e zuri Bosnjë-Hercegovina, që në finale fitoi ndaj Turqisë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u ndalën në gjysmëfinale dhe fituan medalje bronzi.

Në Kampionat Ballkanik morën pjesë xhudistë nga nëntë vende: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Rumania, Greqia e Moldavia.