Luftarake

Usyku i vendosur të shkruajë tjetër kapitull historik

Oleksandr Usyk

Boksieri ukrainas, Oleksandr Usyk, vlerëson se mosha nuk do të luajë rol kur ai të përballet me Daniel Dubois. Meçi i së shtunës mbrëma në stadiumin “Wembley” të Londrës përcakton kampionin e padiskutueshëm të kategorisë së rëndë në boksin profesionist. Pra Usyk e Dubois luftojnë për të gjithë titujt e rëndësishëm të botës në kategorinë e rëndë.

Usyku mban titujt WBA Super, WBO dhe WBC, ndërsa Dubois mban titullin tjetër të madh, atë të versionit IBF. Janë këto katër versionet e mëdha të boksit profesionist.

Usyk e Dubois përballen për herë të dytë. Ylli ukrainas fitoi në gusht të vitit 2023 me ndërprerje në raundin e nëntë.

Usyk është 38-vjeçar, ndërsa britaniku Dubois është 11 vjet më i ri. Usyku synon të bëhet për herë të tretë kampion i padiskutueshëm në boksin profesionist. Këtë tashmë e ka arritur në kategorinë kruzer e po ashtu në kategorinë e rëndë.

“E respektoj këtë djalosh”, ka thënë Usyk. “Dubois është i motivuar, por po ashtu edhe unë jam i motivuar. Nuk jam i vjetër. 38 vjet nuk janë shumë. Do ta shohim”, ka theksuar Usyk.

Të dy boksierët ruajtën qetësinë gjatë konferencës. 

Usyku ende nuk ka pësuar humbje në 23 meçet në boksin profesionist. 14 prej fitoreve i ka me ndërprerje. Ai ka boksuar tri herë në Londër, por asnjëherë në “Wembley”.

Ai ka kujtime nga Londra edhe si boksier amator. Kishte fituar të artën në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.

Pasi e mposhti Duboisin, Usyku shënoi dy fitore ndaj Tyson Furyt. Ndaj tij fillimisht fitoi më 18 maj të vitit të kaluar në Riad e në vendin e njëjtë e mposhti britanikun e papërshtatshëm edhe më 21 dhjetor të vitit të kaluar.

Britaniku Dubois ka 22 fitore e dy humbje në boksin profesionist. 21 prej fitoreve i ka arritur me ndërprerje. Pasi humbi nga Usyku, Dubois fitoi ndaj Jarrell Millerit, Filip Hrgoviqit dhe Anthony Joshuas.

“Dua ta shkruaj skenarin tim. Ata e kanë historinë e tyre dhe unë dua ta shkruaj timen. Do t’i fitoj këta breza të kampionit dhe do të jem njeriu që do t’ia dalë”, ka thënë Dubois.

Lennox Lewis ishte britaniku i fundit që mbajti gjithë titujt e kategorisë së rëndë.

Usyk ka folur edhe për dëshirën që të boksojë në vendin e tij, në Ukrainë, para se të pensionohet.

“Nuk po shpresoj, e di që ashtu do të bëhet”, ka thënë Usyk për ESPN para përballjes me Dubois. Usyku nuk ka boksuar në Ukrainë që nga viti 2015. Ukraina ka më shumë se tre vjet që po përballet me pushtimin rus. Sukseset e Usykut shpesh janë parë si motivim për luftëtarët ukrainas në front.

“Çdo gjë që kam nisur do ta përfundoj”, ka thënë Usyk. “Vërtet dua që lufta të përfundojë. Askush nuk dëshiron më shumë se ne ukrainasit që lufta të përfundojë”, ka theksuar Usyk.

Ai ka thënë se ka ushtruar në Spanjë pasi nuk është e sigurt të ushtrojë në Kiev të Ukrainës. 

“Në fakt unë do të mund të ushtroja atje, por partnerët e sparingut nuk do të vinin. Ne vërtet presim që lufta të përfundojë, por duhet të përfundojë në atë mënyrë që mos të fillojë sërish pas tre apo pesë vjetëve”.

Usyk një kohë i ishte bashkuar forcave ushtarake të Ukrainës, pasi nisi pushtimi rus. Por ukrainasit i kërkuan të kthehej në ring dhe kështu të ngre shpirtin luftarak të vendit.