Distria Krasniqi kishte iniciativën në luftë me Uta Aben, por humbi sërish nga legjenda japoneze. Abe e fitoi titullin e kampionit të botës në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Distria është për herë të parë nënkampione e botës.
Ndonëse ende 24-vjeçare, Abe tashmë vlerësohet prej xhudisteve më të mira në histori. Ajo është fituese e medaljes së artë olimpike në “Tokio 2020”. Ka plot pesë tituj të botës, ndërsa ka fituar shumë medalje në garat Grand Slam e Grand Prix.
Vëllai i saj, Hifumi Abe është po ashtu prej më të mirëve në botë.

Abe ka shumë pak humbje në karrierë. Humbjën e parë e pësoi në vitin 2016, në fillim të karrierës si e rritur. Humbje tjetër pësoi në vitin 2019, ndërsa në gara individuale më pas nuk humbi deri në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Ishte befasuar në xhiron e dytë nga uzbekja Diyora Keldiyorova, që më pas kishte fituar të artën. Ai rezultat e kishte shokuar, ndërsa Abe kishte nisur të qaj në tatami. I ishin dashur shumë minuta për t’u larguar nga tatami. E kishte shqyrtuar edhe tërheqjen nga xhudoja, por u kthye dhe tani fitoi tjetër titull të botës.
Në karrierë i ka mbi 100 fitore dhe vetëm tri humbje. E ka edhe një humbje në gara ekipore.
Xhudoja e Abes vlerësohet e shkëlqyer, ndërsa vlerësohet gati e papërballueshme. Por Distria e sfidoi goxha shumë të shtunën në finale të Botërorit. Distria garoi dukshëm më mirë se në tri përballjet e kaluara që i kishte humbur nga Abe.
